Subvencionohen 250 kultivues të misrit

Në kuadër të projekteve për subvencionimin e të mbjellave pranverore Komuna e Podujevës, DBPZHR, ka subvencionuar shpërndarjen e nga 200 kg plehra minerale dhe farë misri për 250 fermerë, të cilët do të mbjellin nga një hektarë tokë me misër.
Drejtori i këtij departamenti, Vezir Januzi, tha se tash e disa vite Komuna e Podujevës, nga buxheti i saj subvencionon fermerët për të mbjellat pranverore dhe vjeshtore.
“Komuna në kontinuitet është duke i kushtuar prioritet sektorit të bujqësisë, duke përkrahur fermerët përmes subvencionmeve. Krahas subvencionimit të mbjellave vjeshtore dhe pranverore, ne vazhdojmë të subvencionojmë edhe në sektorin e pemëtarisë dhe blegtorisë, duke shpërndarë fidanë pemësh, sistem ujitjeje dhe ushqime të koncentruara për bagëti dhe shpeztari”, tha drejtori Januzi. /Telegrafi/





































