Menakshi Ama është trajnere e kalaripajatit, një stil i lashtë i luftimit, që tani falë saj po e praktikojnë çdo herë e më shumë vajzat.

Edhe pse i ka 78 vjet, derisa me shkop të bambusit bën sparing me të birin, Mekashi Ama nuk duket si gjyshe, por atë çfarë në të vërtetë është – mjeshtre e kalaripajatit, llojit më të vjetër të sportit luftarak në Indi, transmeton Telegrafi.

Kjo stërgjyshe nga Kerali, është mjeshtre e vërtetë e këtij lloj sporti luftarak, e falë saj tani çdo herë e më shumë nëpër Indi po e praktikojnë vajzat.

“Fillova të merrem me kalaripajati kur isha 7-vjeçe, Tani i kam 78. Akoma e praktikojë dhe i mësojë të tjerët”, ka thënë për France Press, drejtoresha e shkollës Kadatanad Kalgari Sangam, që e themeloi bashkëshorti i saj i ndjerë në vitin 1949.

“Sapo hapni gazetën, vazhdimisht shihni lajme për dhunë ndaj femrave. E kur femrat mësojnë këtë sport, ndjehen fizikisht dhe mendërisht më të forta dhe të sigurta të shkojnë në punë apo edhe të udhëtojnë vetëm”, ka shtuar Menakshi Ama.

Kalaripajati, përmban elemente të vallëzimit dhe jogës, ku përdoren shpatat, shkopinjtë dhe mbrojtëset. Është një lloj sporti mbi 3000 vite i vjetër, që përmendet në shkrime të ndryshme hinduse.

Ishin britanikët ata që ndaluan praktikimin e kalaripajatit në vitin 1804, por mbijetoi dhe sërish u bë i popullarizuar kur India fitoi pavarësinë më 1947.

Dekadave të fundit teknikat e këtij sporti janë analizuar dhe përmirësuar, dhe falë Menakshit është bërë edhe më i popullarizuar – duke marrë edhe mirënjohje për këtë në vitin 2017, që tani edhe zyrtarisht në Indi njihet si sport. /Telegrafi/