LAJMI I FUNDIT:

Stellantis po fajëson veturat elektrike për pushimet e ardhshme nga puna te nën-marka Jeep

Stellantis po fajëson veturat elektrike për pushimet e ardhshme nga puna te nën-marka Jeep

Stellantis, kompania e cila qëndron pas Fiat, Dodge dhe Jeep, ka njoftuar se planifikon që në muajin shkurt të pezullojë punën në njërën nga fabrikat e saj dhe t’i pushojë rreth 1,200 punëtorë. Por cila është arsyeja e këtij plani? Presioni nga COVID-19 së bashku me shkurtimin e furnizimit me çipa janë njëra nga arsyet – por kryesisht është edhe arsyeja e sasisë të veturave elektrike të cilat duhet të prodhohen.

Fabrika në pyetje është ajo që ndërton makinat Jeep Cherokee në Illinois, dhe ky lajm vjen teksa prodhuesi i veturave po përgatitet për negociatat me sindikatat. Përderisa sindikata United Auto Workers argumenton se “kalimi drejt elektrifikimit gjithashtu krijon mundësi”, në fabrikë, një zëdhënës anonim i Stellantis për CNBC dhe The Wall Street Journal tha se kjo ishte arsyeja për pezullimin e prodhimit.


“Sfida e cila do të ketë ndikimin më të madh është kosto në ngritje e cila lidhet me elektrifikimin e tregut të automobilave”, pretendon kompania, duke shtuar se po eksploron mundësi të tjera për të cilat mund të përdoret fabrika, dhe se po përpiqen që të gjejë punë për punëtorët të cilët do të pushohen nga puna, raporton The Verge, transmeton Telegrafi.

Ky është një pretendim i guximshëm, veçanërisht pasi vjen nga një kompani që nga shumë konsiderohet si një nga pretendentët kryesorë në garën e tre prodhuesve të mëdhenj amerikanë të automobilave për të zhvendosur formacionet e tyre nga gazi në bateri.

Gjithashtu nuk ndihmon fakti që Stellantis ka premtuar mjaft xhipa të elektrizuar dhe është e vështirë të shihet pse kjo fabrikë nuk mund të luante një rol në prodhimin e atyre automjeteve, të paktën një prej të cilave do të dalë vitin e ardhshëm (dhe shumë prej të cilat kanë qenë shumë të vështira për t’u gjetur).

Kjo nuk do të thotë se Stellantis nuk po shpenzon para të mëdha mbi veturat elektrike – nga ata është premtuar një investim i përbashkët prej 2.8 miliardë eurove (3 miliardë dollarëve) me Samsung për ndërtimin e një fabrike të baterive në Indiana, dhe ata gjithashtu po investojnë 3.8 miliardë euro (4 miliardë dollarë) në një fabrikë të njëjtë në Kanada, kësaj radhe në bashkëpunim me LG. /Telegrafi/