Përfaqësuesi i Serbisë në dialogun teknik Kosovë-Serbi ka thënë të mërkurën të ketë mbështetjen e udhëheqjes së shtetit serb për ta vizituar Prishtinën dhe për të takuar dikë nga zyrtarët kosovarë para se të mbahet raundi i katërt i dialogut në Bruksel, diku në mes të muajit. Të njëjtën ditë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se do t’i japë leje Stefanovicit të hyjë në Kosovë.

Mirëpo, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, që është kryesuese e ekipit kosovar në këtë dialog, ka vlerësuar të mos jetë momenti i duhur që ndonjë zyrtar qeveritar ta presë në takim këtë zyrtar serb.


“Jam e njoftuar me planet e përfaqësuesit të Serbisë në dialogun teknik, z. Stefanovic, për interesimin e tij për ta vizituar Kosovën dhe për të takuar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Këtë e ka shprehur edhe më herët në takimet në Bruksel”, ka thënë Tahiri, në një prononcim telefonik për “Kohën Ditore”. “Natyrisht plani i tij nga ne është i mirëpritur, mirëpo unë i kam rekomanduar që një vizitë e tillë, mbase, do të duhej të bëhej kur të arrihej ndonjë marrëveshje konkrete si rezultat i dialogut teknik”.

Zëvendëskryeministrja nuk ka qenë në gjendje të deklarojë nëse dikush në Prishtinë do ta presë Stefanovicin, njeriun që ka shpërfillur rekomandimin që ia ka dhënë në Bruksel.

Ajo ka thënë të mos ketë marrë ndonjë shkresë zyrtare për një takim të mundshëm me të. Në momentin kur ta ketë, ka thënë ta ndajë me publikun edhe përgjigjen. /Telegrafi/