LAJMI I FUNDIT:

Stavileci: Vetëm në çantën e një qytetari në Aeroport kemi gjetur 50 telefona

Stavileci: Vetëm në çantën e një qytetari në Aeroport kemi gjetur 50 telefona

Mbi 50 telefona celularë janë konfiskuar në çantën e një qytetari në Aeroportin e Prishtinës ka thënë përfaqësuesi i Doganës, Adriatik Stavileci.

Ai këto të dhëna i shpalosi në emisionin ku u fol për luftimin e kontrabandës së telefonave dhe mundësinë e ndalimit të rrjetit për telefonat të cilët nuk i janë nënshtruar tarifave doganore.

“Telefonat mobilë hyjnë në atë gamën e mallrave lehtë të kontrabandushme, pasi kanë vlera të mëdha ndërsa paketime shumë të vogla, kemi gjetur njerëz në aeroport ku e ka vetëm një çante me 50 telefona, është shumë vështirë me i gjetë këto raste”, shtoi përfaqësuesi i Doganës.


Ai theksoi se Dogana e Kosovës ka pasur disa iniciativa për të bllokuar operimin e telefonave që nuk i paguajnë taksat doganore mirëpo asnjëra nga to deri me tani nuk ka shkuar deri në fund.

“Ne kemi pasur përpjekje vazhdimisht që të rrisim numrin e zhdoganimit të telefonave se ka humbur buxheti humbje të madhe, në vitin 2014 ka fillu iniciativa ku kemi marrë shembull Turqinë e cila e ka instaluar një softwer që të gjitha operatorët telefonikë me e instalu dhe që nuk e lejon  asnjë telefon të pazhdoganuar të futet në sistemin e valëve, mirëpo kërkesa jonë është klasifiku prej institucioneve si shkelje e të drejtave të privatësisë së njerëzve”, tha Stavileci.

Stavileci tha se në vend brenda vitit zhdoganohen mbi 55 mijë telefona përderisa e quajti të pamundshme luftën ndaj kësaj dukurie pa bashkëpunimin e të gjithëve.

“Prej vitit 2019 kemi rritje të numrit të zhdoganimit të telefonave, në atë vit kemi pas 55 mijë telefona të zhdoganuar si copë, në 2020 ka ra ky numër në 52 mijë ndërsa në vitin 2021 ka qenë mbi 56 mijë. Lufta e Doganës ndaj kontrabandës së telefonave është e pamundshme vetëm prej nesh pa ndihmën e të tjerëve”, shtoj përfaqeuesii i Doganës në emisionin “Kallxo Përnime”.

Për tentativat e bllokimit të rrjetit për telefonat e pazhdoganuar foli edhe drejtoresha e zyrës ligjore në ARKEP, Rrezarta Ajeti.

Ajeti tha se ka qenë pjesë e disa grupeve punuese në të cilat është tentuar regjistrimi i IMEI-ve dhe bllokimi i valëve për telefonat që nuk janë të doganuar.

“Kemi pasur shumë përpjekje për me e regjistru IMEI, kam qenë pjesë e grupit punues ku kemi marrë për bazë rregullimin e Turqisë pasi nuk ka pasur ndonjë formë tjetër. Pasi është konstatu shkelje e privatësisë e kemi ndërpre punën ndërsa koncept dokumentin tonë e kishte marrë Shqipëria”, tha Ajeti.

Ajo shtoi se sistemi i Turqisë e ndalon qasjen në rrjetin e komunikimit për telefonat e pazhdoganuar.

“Në Turqi vetëm 120 ditë mundesh me e përdor telefonin, unë me qet telefon nëse shkoj në Bruksel mundem me nejt sa të dua ndërsa në Turqi jo se ta ndërpresin shërbimin sepse në momentin kur kyçesh në rrjet ai e ka një periudhë që të len me u regjistru”, shtoi Ajeti.