Stavileci thotë se është keqkuptuar, ndërsa citon thënien popullore: Zgjatni këmbët sa e keni jorganin!
Stavileci ka thënë se i vjen keq që është keqkuptuar dhe keqinterpretuar deklarata e tij meqë, sipas tij, ai ka dashur të vë theksin tek planifikimi familjar, për çka shton se nuk ka pasur asnjë tendencë fyese.
“Kam trajtuar një dukuri. Nuk kam qëllim të ofendojë qytetarët”, thotë ai, duke insistuar se nuk kishte asgjë të keqe në atë që ka thënë. “Ai shembull nuk flet as më shumë e as më pak se sa një fjalë e urtë e popullit shqiptar: ‘Njeriu duhet t’i zgjas këmbët aq sa e ka jorganin’”.
Ai i quan të pakuptimta paralelet mes deklaratës së tij dhe atyre antishqiptare në ish-Jugosllavi, përfshirë të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, ndërsa thotë se ka pranuar edhe komente pozitive nga miqtë që, sipas tij, e kanë kuptuar qartë deklaratën që ka bërë. Prandaj, mendon se nuk ka pse të kërkojë falje.

















































