Stafi i muzeve në Kosovë trajnohet për digjitalizimin e koleksioneve në programin që po zhvillohet në Mitrovicë

Stafi i muzeve në Kosovë është duke marrë pjesë në fazën praktike të programit të trajnimit për digjitalizimin e koleksioneve muzeore, i cili po zhvillohet në Muzeun e Mitrovicës.
Programi organizohet nga Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova), në bashkëpunim me Ukrainian Heritage Monitoring Lab (HeMo), dhe synon forcimin e kapaciteteve profesionale në dokumentimin dhe digjitalizimin e koleksioneve përmes teknikave 2D dhe metodave të avancuara 3D, përfshirë fotogrametrinë.
Sipas organizatorëve, trajnimi përfshin të gjithë procesin e digjitalizimit, nga standardet e punës deri te menaxhimi i të dhënave digjitale.

“Programi synon forcimin e kapaciteteve të profesionistëve të muzeve në dokumentimin dhe digjitalizimin e koleksioneve përmes teknikave 2D dhe metodave të avancuara 3D, përfshirë fotogrametrinë”, thuhet në njoftim.
Dita e parë e fazës praktike është hapur me prezantime nga përfaqësues të CHwB Kosovës, të cilët kanë ndarë përvojën në digjitalizimin e trashëgimisë arkitekturore, ndërsa ekspertë nga HeMo dhe organizata Archaic nga Ukraina kanë prezantuar praktikat e tyre në digjitalizimin e artefakteve muzeale.

Në kuadër të programit është mbajtur edhe një tryezë e rrumbullakët e moderuar nga Sali Shoshi, me temën “Protokollet e muzeve në situata emergjente: menaxhimi dhe mbrojtja e koleksioneve në rast krize”.
“Protokollet e muzeve në situata emergjente: menaxhimi dhe mbrojtja e koleksioneve në rast krize”, ishte tema e diskutimit ku morën pjesë drejtues të institucioneve muzeore dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Pjesa praktike e trajnimit është fokusuar në përdorimin e fotogrametrisë, ku pjesëmarrësit kanë realizuar digjitalizimin e artefakteve të thjeshta nga qeramika, duke ndjekur hapat fillestarë të përpunimit digjital.
Programi i trajnimit ka nisur më 14 prill në format online dhe do të vazhdojë deri më 24 prill me sesione praktike në Muzeun e Mitrovicës.
Ky aktivitet organizohet me mbështetjen e Cultural Emergency Response (CER) nga Holanda dhe Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.



























































