Mitrovica do të jetë nikoqire e edicionit të 16-të të Mitrovica Green Fest, i cili do të mbahet nga 12 deri më 16 gusht, me një program që përfshin muzikë, art, film dhe aktivitete në natyrë.

Festivali i këtij viti zhvillohet nën moton “REFLEKTO!”, ndërsa aktivitetet do të shtrihen në disa hapësira të qytetit dhe rreth tij.


Hapja zyrtare do të bëhet më 12 gusht, në ora 19:00, në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, ku do të hapet edhe ekspozita e artit që do të jetë e qasshme gjatë pesë ditëve të festivalit.

Programi i ditës së parë do të vazhdojë në Kej, me shfaqjen e filmit “The Territory”.

Gjatë ditëve në vijim, aktivitetet do të zhvillohen në lokacione të ndryshme, përfshirë Liqenin Akumulues, ku do të organizohen aktivitete me kajak, si dhe turet “Visit Trepça”. Programi përfshin gjithashtu punëtori arti për fëmijë, aktivitete me harkëtari, çiklizëm, ekspozita dhe shfaqje filmash.

Dy net muzikore me artistë nga skena shqiptare

Pjesë e programit do të jenë edhe dy net muzikore, të cilat do të mbahen më 14 dhe 15 gusht, nga ora 18:00 deri në mesnatë.

Më 14 gusht do të performojnë Alban Skënderaj & Band, Dren Abazi, Lore, Kurr n’jetë dhe Neritan.

Ndërsa më 15 gusht, në skenë do të ngjiten Dren Abazi, BB Poqi, Shkodra Elektronike, NR dhe Doroci.

Sipas organizatorëve, motoja e këtij edicioni “REFLEKTO!” synon që përmes programit të festivalit të nxitet vëmendja ndaj qytetit, mjedisit dhe mënyrës së bashkëjetesës në komunitet.

Festivali do të përmbyllet më 16 gusht me aktivitetin e çiklizmit në relacionin Parku i Qytetit–Çabër.

Programi i ditës së fundit do të vazhdojë në mbrëmje në Kej, me shfaqjen e filmave “A Boat in the Garden (Slocum et moi)” dhe “The Man Who Plants the Baobabs”.

Organizatorët synojnë që aktivitetet e shpërndara në hapësira kulturore, urbane dhe natyrore ta përfshijnë qytetin në tërësi në programin e festivalit.

Mitrovica Green Fest XVI mbahet nga 12 deri më 16 gusht në Mitrovicë.