Gjiganti suedez i transmetimit muzikor, Spotify, ka prezantuar zyrtarisht një funksion të ri të quajtur “artikuj të narruar” (“narrated articles”), duke vazhduar zgjerimin e përmbajtjes së tij përtej muzikës dhe podkasteve.

Ky opsion u mundëson përdoruesve të dëgjojnë artikuj të lexuar me zë, ngjashëm me librat audio, duke e kthyer platformën në një kombinim mes shërbimeve muzikore, video dhe përmbajtjeve informative.


Kjo lëvizje shihet si një përpjekje e Spotify për të konkurruar më drejtpërdrejt me platforma si YouTube dhe Netflix.

Kompania prej kohësh po investon në përmbajtje video dhe multimedia. Gjatë vitit të kaluar, Spotify zgjeroi funksionin e videove muzikore për abonentët Premium në SHBA dhe Kanada, duke u lejuar përdoruesve të kalojnë nga audio në video me një klikim të vetëm.

Përveç kësaj, platforma ka prezantuar edhe kontrolle të reja për videot, në mënyrë që përdoruesit të mund të zgjedhin nëse duan një përvojë vetëm me audio apo me përmbajtje vizuale shtesë.

Megjithatë, reagimet e përdoruesve janë të ndara. Në diskutime në Reddit, shumë përdorues kritikojnë Spotify-n se po largohet nga identiteti i saj si aplikacion muzikor dhe po tenton të bëhet një “YouTube i ri”, ndërsa të tjerë e mirëpresin zgjerimin e përmbajtjes. /Telegrafi/