LAJMI I FUNDIT:

Sponsorizoi librin ku kishte akuza për ish-krerët e UÇK-së, Komuna e Ferizajt del me një sqarim publik

Sponsorizoi librin ku kishte akuza për ish-krerët e UÇK-së, Komuna e Ferizajt del me një sqarim publik

Ditën e premte në media ka qarkulluar një lajm se Komuna e Ferizajt ka sponsorizuar për botim librin që akuzon ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Lidhur me këtë ka reaguar Komuna e Ferizajt, e cila është distancuar publikisht për përmbajtjen e librit, duke shprehur keqardhjen se autori i librit ka keqpërdorur mirëbesimin e Komunës dhe vullnetin e tyre për botimin e librit, transmeton Telegrafi.


“Duke qenë se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes operatorit të saj ekonomik, ka qenë vetëm botuese, pra aspekti teknik e jo redaktore e këtij libri, konsiderojmë se është e padrejtë dhe e pavend, që të atakohet vullneti i mirë që ka institucioni për të mbështetur krijuesit e studiuesit ferizajas përmes botimit të veprës së tyre, porse në rastin konkret, e gjithë përgjegjësia mbi përmbajtjen e veprës, sikurse për çdo vepër tjetër të botuar nga secili botues, bie mbi autorin, redakturën dhe ekipin punues në përgatitjen e këtij libri”, thuhet mes tjerash në reagim, transmeton Telegrafi.

Reagimi i plotë i Komunës së Ferizajt:

Gjatë ditës së sotme, z. Nehat Mustafa, ka bërë një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, me titullin “Skandaloze – Komuna e Ferizajt sponzorizon për botim librin që akuzon deri në tradhëti ish krerët e UÇK dhe PDK që janë në Hagë” ku ka paraqitur shqetësimin e tij, lidhur me përmbajtjen e librit me titull “Degradimi i Pavarësisë së Kosovës” me autor historianin ferizajas, Muhamet Shabani.

Në këtë publikim, z. Mustafa, shtron çështjen e financimit të këtij libri nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sa më sipër, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sqaron opinionin publik, se ka disa vite, që mbështet jo financiarisht, por përmes botimit vepra të autorëve të ndryshëm ferizajas, përmes operatorit ekonomik të përzgjedhur për këtë veprimtari. Edhe kjo vepër, është botuar përmes këtij operatori ekonomik, sipas kërkesës për mbështetje të parashtruar nga autori Muhamet Shabani.

Përmbajtja, idetë dhe gjithë pjesa jo teknike që paraqitet në vepër, mirëfilli dihet se janë autorësi, rrjedhimisht edhe përgjegjësi e autorit për veprën përkatëse e që në këtë rast, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përkatësisht Komuna e Ferizajt, për përmbajtjen e librit “Degradimi i Pavarësisë së Kosovës” me autor Muhamet Shabanin, DISTANCOHET PUBLIKISHT, duke shprehur gjithashtu keqardhjen tonë për të apostrofuarit në këtë vepër si dhe indinjatën e thellë për keqpërdorimin e mirëbesimit, përkrahjes e vullnetit tonë, nga autori, përmes këtij libri.

Pra, referuar një tradite shumëvjeçare të mbështetjes së autorëve ferizajas, përmes botimit falas të veprave të tyre nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, rasti konkret paraqet një shkelje e keqpërdorim të rëndë të besimit e mirëkuptimit, qasje joprofesionale e gjuhë të papranueshme të përdorur nga autori.

Duke qenë se Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes operatorit të saj ekonomik, ka qenë vetëm botuese, pra aspekti teknik e jo redaktore e këtij libri, konsiderojmë se është e padrejtë dhe e pavend, që të atakohet vullneti i mirë që ka institucioni për të mbështetur krijuesit e studiuesit ferizajas përmes botimit të veprës së tyre, porse në rastin konkret, e gjithë përgjegjësia mbi përmbajtjen e veprës, sikurse për çdo vepër tjetër të botuar nga secili botues, bie mbi autorin, redakturën dhe ekipin punues në përgatitjen e këtij libri.

Gjuha e papranueshme, qasja joprofesionale e përdorur nga autori Muhamet Shabani në librin e tij, na bënë të ndihemi jo mirë, andaj duke shprehur indinjatën tonë, për këtë abuzim me gatishmërinë për mbështetje e vullnetin tonë, nga autori i librit, inkurajojmë personat e apostrofuar në këtë libër, që të demantojnë publikisht të thënat në këtë libër, por edhe të ndjekin rrugën ligjore përkundrejt pohimeve e përfundimeve të nxjerra nga autori në librin e tij”.

Ndryshe, ish-zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, të premten në Facebook ka shkruar se libri i botuar akuzon për tradhti ish krerët e UÇK-së, derisa ka publikuar edhe disa pjesë nga libri, kishte akuza për ish – presidentin Hashim Thaçi. /Telegrafi/