ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Deputetja e Partisë Socialiste (PS), Elisa Spiropali ka reaguar pas deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq e cila tha se po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Spiropali përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se është e pabesueshme të dëgjosh nga një ministre e një qeverie të një vendi që aspiron integrimin europian të shprehë pa asnjë drojë keqardhjen se në Kosovë nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar.


“Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet. Ky nuk është mendim politik. Ky është barbarizëm verbal. Europa nuk mund ta dëgjojë këtë gjuhë dhe të heshtë. Kush justifikon ose shpreh keqardhje për krime që nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha, nuk mund të jetë partner i vlerave europiane, duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale, por më së shumti humane”, ka shkruar Spiropali.

Tutje ajo tha se Kosovës nuk ia fali kush Lirinë.

“Kosova Lirinë e fitoi me gjak. Është në nderin dhe detyrën e Europës të mbrojë kujtesën e viktimave, që përbën themelin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar. Nëse Serbia rrugën drejt Bashkimit Europian e ka seriozisht, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtij makabriteti verbal që, më së paku, e turpëron, më së shumti ia rrezikon bashkëjetesën paqësore me fqinjët”, ka shkruar Spiropali në Facebook. /Telegrafi/