LAJMI I FUNDIT:

Spastrimi i brendshëm etnik

Spastrimi i brendshëm etnik
Ilustrim

Spastrimi etnik i territoreve nga etnitë tjera, ishte strategji serbe, por çka po bëjmë për të ndalur spastrimin tonë të brendshëm?

Na ndoqi ushtria e policia serbe, por pse sot po ikim, ne shqiptarët, nga shqiptarët, ashtu siç po ikin edhe serbët nga vet serbët?


Gazetari serb Svetislav Basara, duke folur për spastrimin  e brendshëm etnik serb, mes tjerash thotë:

“Numri i serbëve të vrarë nga dora serbe gjatë sundimit të dinastive të ndryshme, të partive të ndryshme, qoftë gjatë komunizmit apo monarkisë, nga vrasjet mes veti gjatë luftërave dhe prerja e kokave të njëri-tjetrit, është i panjohur, dhe do të mbetet enigmë akoma. Por, me siguri, ky numër është marramendës… Nuk do të më habiste fakti nëse ky numër do të ishte edhe më i madh se numri i serbëve të vrarë në kampin e Jasenovcit”, thotë kolumnisti që u sulmua nga shumë serbë.

Nëse dikush ka mësuar historinë e popullit të vet, sheh me fakte se vet ky popull i ka ngritur “djajtë” dhe ua ka dhënë pushtetin, dhe po ata ia kanë sjellë shpirtin të hunda. Në fund, po ata liderë që i ka ngritur, lavdëruar e kënduar,  po këtij njeriu ia kanë sjell punën të ikën prej këtu.

Edhe te shqiptarët, pa asnjë dyshim, ekziston kjo dukuri. Aq shumë vrasje kanë ndodhur mes shqiptarëve, e që nuk janë zbardhur. Madje, vazhdimi i kësaj dhune është aktual kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët. Kronikat e zeza e dëshmojnë këtë. Prandaj, shtrohet pyetja: mos po i konvenon dikujt kjo dukuri?

Shumë sulmohet ish-sistemi komunist. shtypi vë në spikamë emrat e burgjeve të asaj kohe. Por, sistemi i tashëm demokratik fsheh statistikat e zeza për numrin e të vrarëve. Sot, në Shqipëri e në Kosovë, numri i njerëzve nëpër burgje është më i madh se në cilindo sistem politik gjatë historisë sonë.

Tek serbët është akoma aktual projekti që të gjithë serbët të jetojnë në një shtet të vetëm, në Serbi. Te shqiptarët që të jetojnë në një Shqipëri. Por, as serbët e as shqiptarët nuk duan ta shohin njëri-tjetrin!

Nëse merret e studiohet kjo temë, do të shohim se punët nuk janë më mirë te ne. Se sa e duam njëri-tjetrin, kjo dihet! Secili nga ne kemi thënë se jemi të gatshëm që, kur të çlirohemi, të jetojmë edhe afër një there e së bashku me fqinjët.  Por, nuk kemi lënë gjë të ligë pa bërë. Dhe, kur gjithçka u grabit, filloi ikja e madhe.

Akoma shohim parulla pompoze për bashkimin kombëtar, e ikja e njerëzve vazhdon. Askush nga përfaqësuesit e shtetit nuk e ka asnjë statistikë se sa njerëz kanë ikur e se sa kanë mbetur aty ku kanë lindur (në një rast, autori i këtij teksti ka parë se vetëm imami i një xhamie, në një bashkësi lokale të Kosovës, kishte pasur të shënuar emrat dhe numrin e shtëpive e të pasurive të mbetura mbyllur në atë lokalitet). Shumë “patriotë” i shohim se si flasin e shkruajnë për bashkimin e trojeve etnike, ndërsa askush nuk ka edhe një fjalë bindëse se çka po bën. Këta fjalamanë flasin e shkruajnë sikur serbët: “Kufiri i Serbisë duhet të shtrihet deri atje ku jeton qoftë edhe një serb”.

Kur vritet dikush në pikë të ditës, para shumë vetave, para kamerave që sot janë aktive në çdo kënd, dhe kur shihet autori e askush nuk merr guxim të thotë emrin e dorasit, e kur pastaj shohim se si organet kompetente që dalin në vendngjarje thonë se “dyshohet se këtë njeri e vrau dikush”… autori i krimit mund të shëtis i lirë.

“Serbët së pari vrasin kryeministrin e vet e pastaj këtë akt barbar shumica e të ashtuquajturve patriotë ‘të ajvarit’  e quajnë akt patriotik”, thekson Basara.

Nëse kthehemi pak kohë mbrapa, shohim se edhe tek shqiptarët ndodhë e njëjta gjë. Nuk ka rast që nuk sulmohet një kryeministër. Madje, sot më shumë se kurrë, kur mungojnë argumentet, atë zbrazëti e mbushë kërcënimi. Kështu, ky kërcënim gjen edhe kohën dhe ambientin e përshtatshëm për ta realizuar qëllimin. Për fat të keq, politika nuk është imune ndaj kësaj të keqeje.

“Pamë se si në ‘Skupshtinën’ serbe, deputetet e zgjedhur nga populli, midis ‘Rajhstagut kozak’, kërkuan lirimin e vrasësve të ish-kryeministrit, krejt me krenari dhe pa u turpëruar fare”, thotë Basara.

Kemi kaluar shekuj duke vazhduar me këso vrasjesh e pastrimesh etnike të përbrendshme dhe nuk kemi nxjerrë mësim, asnjëherë. Kush mund ta demantojë me fakte këtë konstatim? Askush!  Asnjëherë nuk kemi qenë në gjendje të jetojmë në paqe, së pari mes veti dhe brenda vetvetes, por rregullisht kemi rënë në bela.

“Është koha që populli serb ta pyes vetveten se çfarë të zezash  ia ka bërë vetit dhe çfarë u ka bërë e po iu bën popujve të tjerë, që po ikin prej tij”, shton Basara.

Kjo fjali e këtij autori duhet të kuptohet drejt nga secili, pasi as këta popujt fqinj të serbëve, nuk po duken më të mirë.

Ikjet e pandalshme, sidomos të brezit të ri; zbrazja e pandalshme e fshatrave të tëra; rënia e madhe e natalitetit; shtimi drastik i shkurorëzimeve; mbyllja e shkollave pa nxënës dhe bizneseve… nëse nuk janë vërejtje të mjaftueshme për ata që drejtojnë politikën shtetërore, atëherë nuk di njeriu se çka duhet të ndodhë që të shohim kah jemi duke shkuar… E, fatkeqësisht, asnjë ministër e asnjë deputet nuk është në gjendje të thonë me shifra e fakte se në çfarë gjendje kemi rënë dhe çka duhet bërë!