“Situata e re në Ukrainë stimulon nevojën për të mbajtur një bashkëpunim të fortë ndërkombëtar me vendet e rajonit, për shkak të të cilit Republika e Maqedonisë së Veriut është e përfshirë në mënyrë aktive dhe mbështet të gjitha nismat ndërkombëtare që synojnë forcimin e bashkëpunimit dhe sigurisë në rajon, duke përfshirë dhe sigurinë e gjithë kontinentit evropian”, tha ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në fillim të fjalimit të tij në konferencën për Procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që po mbahet në Athinë, në kuadër të presidencës greke, njofton AIM.

Ministri iu referua ndikimit dhe pasojave të pushtimit rus të Ukrainës, duke theksuar se si vendet e tjera, edhe Republika e Maqedonisë Veriore nuk është plotësisht imune ndaj ndikimit të luftës në Ukrainë, “por në këtë moment efektet janë kryesisht indirekte dhe nuk mund të “krahasohen me ato në disa shtete anëtare të BE-së si shtete kufitare”.

“Aktualisht ne monitorojmë situatën përmes shkëmbimit të informacionit strategjik, zakonisht përmes kanalit të Europolit. Si reflektim i luftës në Ukrainë, rreziqet janë rritur në disa fusha ku ka nevojë për një bashkëpunim të zgjeruar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku kategoria më e cenueshme janë gratë dhe fëmijët, aktiviteti i shtuar i grupeve të ndryshme radikale dhe ekstremiste mund të radikalizojë situatën ose të krijojë tensione përmes thirrjeve për protesta dhe demonstrata të dhunshme, kërcënime dhe sulme ndaj individëve të caktuar (shtetas dhe zyrtarë vendas dhe të huaj) ose grupe të tjera etnike, pastrim parash përmes transferimit të parave, hapjes së llogarive jorezidente dhe kriptovalutave dhe kërcënimeve nga grupe kriminale me rrezik të lartë”, tha ministri Spasovski.