LAJMI I FUNDIT:

Sondazhi i Telegrafit, 67% e pjesëmarrësve thonë se hasin shumë në 2 euro false

Sondazhi i Telegrafit, 67% e pjesëmarrësve thonë se hasin shumë në 2 euro false

Tash e një kohë në treg janë duke qarkulluar monedha prej 2 euro false. Qytetarët dhe bizneset tashmë kanë shtuar kujdesin, pasi disa herë kanë rënë pre e mashtrimeve me monedha false të cilat janë vënë në qarkullim nga persona të pandërgjegjshëm.

Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet lidhur me rastet, ku edhe kanë sekuestruar mijëra euro false, të cilat ishin nga 2 euro, si dhe ka arrestuar disa persona të dyshimtë.


Telegrafi ka raportuar për problemet që janë duke pasur qytetarët dhe bizneset me parat false, ku tashmë edhe kanë filluar të pajisen me mjete për identifikimin e parave origjinale.

Në një sondazh të bërë nga Telegrafi, ku kanë marrë pjesë 1 mijë e 892 persona, përqindja e qytetarëve që hasin në para false është mjaft e madhe.

Në pyetjen: Sa shumë hasni në 2 euro false në Kosovë, 12 përqind janë përgjigjur (pak), 20 përqind janë përgjigjur me (mesatarisht), ndërsa 67 përqind janë përgjigjur (shumë).

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar qytetarët dhe bizneset se të gjitha denominimet në Euro të kartëmonedhave dhe monedhave të vërteta (origjinal), pa përjashtim, janë mjet i vlefshëm pagese në Republikën e Kosovës.

Problemi me 2 euro false, qytetarët dhe bizneset gjejnë metoda për identifikimin e tyre
Lexo po ashtu Problemi me 2 euro false, qytetarët dhe bizneset gjejnë metoda për identifikimin e tyre

Sipas njoftimit, asnjë autoritet tjetër nuk mund të vendos për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave.

“BQK duke njohur rëndësinë që ka furnizimi i ekonomisë së Republikës së Kosovës me para të gatshme dhe nevojën të ruhet besueshmëria dhe integriteti i Euros në përdorimin e saj si mjet pagese, është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale dhe teknike”, thuhet në komunikatën për media.