Sipas Agjencisë së Statistikave në Kosovë (ASK), shkalla e papunësisë për tremujorin e tretë për vitin 2019 ka qenë 24.5%.

Se gjetja e punës në Kosovë është jo e lehtë është konfirmuar edhe nga sondazhi i Pyper përmes një mostre jo të rastësishme.

Në sondazhin e realizuar nga Pyper, më shumë se gjysma e respondentëve (53.51%) konsiderojnë se gjetja e një vendi të punës në Kosovë është e vështirë.

Në anën tjetër, një përqindje e vogël (10.68%) janë optimist sa i përket gjetjes së punës pasi ata e konsiderojnë të lehtë një gjë të tillë.

Sipas të dhënave të këtij sondazhi, faktorët më të rëndësishëm për të gjetur punë në Kosovë konsiderohen të jenë lidhjet politike, më saktësisht lidhjet me njerëz të pushtetshëm, lidhjet familjare si dhe anëtarësimi në ndonjë parti politike.

Pas këtyre renditen faktorët si shkathtësitë profesionale dhe përvoja e punës që sipas respondentëve nuk është se merren shumë parasysh në Kosovë – ndonëse janë mjaft të rëndësishme.

Të fundit për kah rëndësia renditen faktorët si prejardhja krahinore dhe niveli i edukimit.

Gjithashtu, vlen të theksohet se sektori publik vazhdon të mbetet vendi i preferuar për të punuar për 61.48% të pjesëmarrësve të këtij sondazhi, kjo për faktin se ky sektor mund të ofroj një punë afatgjatë si dhe siguri më të madhe në vendin e punës.

Sektori privat ndonëse konsiderohet si punëdhënësi më i madh në Kosovë, preferenca për të punuar në këtë sektor është mjaft e vogël (13.04%) dhe ende më e vogël vërehet preferenca për punësim në organizata ndërkombëtare (11.85%) si dhe organizata joqeveritare (6.1%).

Sa u përket faktorëve që ndikojnë në përzgjedhjen e vendit të punës, prezente është një shumëllojshmëri e tyre.

Prej faktorëve më të rëndësishëm duket se janë të pasurit një punë të sigurt (55.25%), niveli i pagës (51.27%), të pasurit e një pune afatgjatë (51.11%), mundësia për sigurim shëndetësor (48.56%), mundësia për ngritje në detyre (42.77%), ofrimi i një pushimi vjetor (42.70%) etj. /Telegrafi/