LAJMI I FUNDIT:

Sogojeva për fluksin e mërgimtarëve: Secili biznes ka pasur rritje të vizitorëve për së paku 25 për qind

Sogojeva për fluksin e mërgimtarëve: Secili biznes ka pasur rritje të vizitorëve për së paku 25 për qind

“Realisht, varemi shumë nga diaspora. Të gjitha bizneset i presin këta muaj”, thotë Kujtim Behluli, përfaqësues i një qendre tregtare në Suharekë.

Gjatë muajve të verës, thotë ai, shitjet rriten për më shumë se 50 për qind.


Në veçanti nga data 20 korrik deri më 15 gusht, shitjet dallojnë shumë nga muajt e tjerë të vitit, thotë Behluli.

Vizitat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës janë më të shumta gjatë verës.

Vetëm në korrik, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë regjistruar 400 mijë hyrje-dalje. Flukse të mëdha njerëzish ka pasur edhe në kufijtë tokësorë.

Zvicra, Gjermania dhe Austria janë destinacionet me më së shumti udhëtarë dhe fluturime. Këto janë edhe tri shtetet ku diaspora e Kosovës është e përqendruar më së shumti.

Mërgata vazhdon me rekordin e remitencave, për shtatë muaj u sollën mbi 80 milionë euro më shumë në Kosovë
Lexo po ashtu Mërgata vazhdon me rekordin e remitencave, për shtatë muaj u sollën mbi 80 milionë euro më shumë në Kosovë

Hysen Sogojeva, udhëheqës i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë sektor e ringjall “fluksi i madh i mërgimtarëve”.

“Mjetet që ata i shpenzojnë në Kosovë, janë infuzion për ekonominë, e më së shumti për hotelerinë dhe gastronominë”, thotë Sogojeva.

Nga vizitat në biznese të ndryshme, ai thotë se pothuajse secili prej tyre ka raportuar rritje të numrit të vizitorëve për më shumë se 25 për qind.

“Mezi ka mbijetuar ky sektor, por tani fluksi i diasporës ka bërë që këto biznese ta rimarrin veten”, thotë Sogojeva, duke iu referuar periudhës së pandemisë COVID-19.