LAJMI I FUNDIT:

Skënderbeu në Prizren, si Getoari në refren

Skënderbeu në Prizren, si Getoari në refren
Foto: Ilustrim

Nga: Alban Tufa

Vepra, qoftë skulpturë, pikturë, muzikë apo tekst letrar, mund të analizohet në disa këndvështrime. Po i përmendim shkurt:


1. Imagjinata. Pra, a ka autori një imagjinatë, a na sjell diçka të re? Kjo imagjinatë e tij a na nxit edhe neve si dekodues të veprës njëfarë imagjinate të re atë ngjashme? Në qasjen aristoteliane, a krijon ajo një vijë paralele me realitetin apo, sipas Platonit, veç e imiton atë, dhe kështu është një kopje e shëmtuar? Edhe pse imagjinatës sot i referohen me një fjalë të nderë: risi. Nëse ka imagjinatë, krijuesi është vizionar, sjell diç të re, nxitëse dhe padyshim që e bukura buron nga imagjinata. Nëse nuk ka imagjinatë, është kopje.

2. Koherenca. Pra, kjo vepër a i flet kohës? Nëse i flet, si e bën? Duke i kundërvënë të shkuarën, duke i imagjinuar të ardhmen, apo duke ngelur tek e tashmja të cilën të gjithë në një mënyrë a në një tjetër e jetojmë. Kjo qasje pritet me qenë komerciale, për një audiencë që nuk do imagjinatë, veçse të gjejë në vepër ngushëllimin e ditëve të veta. Si me thënë të bësh çfarë kërkohet. Ose vetëm për faktin se kërkohet. Në këtë sens vepra merr fund me atë brez që e ka lexuar dhe që e ka pëlqyer.

3. Forma. Nga buron forma e veprës, në vazhdën e kujt autorëve është. Po qe se nuk mundemi të gjejmë të ngjashëm, vepra është krijuar nga një gjeni, i cili nëse është i tillë e ardhmja do ta vërtetojë. Veçse nëse këtë ai e ka bërë me vetëdije, është zotësi e tij, nëse jo, është zotësi e Diçkaje më të madhe se ai vetë.

4. Stili. Me çfarë mjetesh tenton të surprizojë vepra? Me formën? Me përmbajtjen? Me detajin? Me kundërvënien? Cila është maniera që krijuesi përzgjedh? Me ç’gjuhë rreh të na flasë? Me gjuhën tonë a me të vetën? I intereson kuptimi, apo i intereson ndijimi? I interesojnë të dyja njëkohësisht apo asnjëra?

Me këto katër elementë edhe një gazetar shumë i dobët kulture mund të kishte bërë një analizë të ftohtë të shtatores së Skënderbeut në Prizren.

Të gjithë pa përjashtim, njerëz të artit dhe të Facebook-ut u morën me trupin dhe shpatullat e Skënderbeut. Pse i ka të vogla? Pse nuk është vigan? Pse nuk është i madh dhe pse e ka shpatën aq të hollë? E dimë tashmë, shqiptarëve po i preke mitin sikur i ke ngrënë bukën. Lexojeni pak Roland Barthesin (Mitologjitë) dhe do acaroheni jo vetëm për mitin, por edhe për shijen estetike që e ka marrë tatëpjeta.

Unë nuk shoh ndonjë të keqe te trupi, te madhësia dhe te fiziku i Skënderbeut. Nuk ka kurrfarë të keqeje të mos jesh aq sa të imagjinojnë të tjerët. Nuk kemi parë akoma një shqiptar aq sa Skënderbeu në libra dhe në qendër, as turk nuk kemi parë. Madje edhe aktori rus që luan në film është pak a shumë sa shtatorja në Prizren, veçse me ca kile më tepër.

Edhe përtej kësaj, ajo shtatore e vendosur së fundmi në Prizren mbetet një vepër skandaloze. Skulptura duket sikur është krijuar nga berberi i Baba Stars-ve, i Capital T-së apo i çdo reperi që ka mjekër. Hiqja përkrenaren e shpatën dhe Skënderbe mund të ishte cilido. Sikur Skënderbeu e rruante (ose më saktë e qethte) mjekrën me një makinë rroje me numra të ndryshëm, duke i lënë atë majë si pykë. Fill pas kësaj sikur bëhej gati për videoklipin e radhës me shampanjë që derdhet. Veç syzet i mungojnë.

Për këtë duhet të çmendeni, madje ta shkulni atë shtatore prej aty. Ta shkulni sepse po na përdhosën shijet estetike. E mandej t’ia bëni copash atë mjekër shëmtaqe.

Kjo pra tregon mungesë imagjinate; një koherencë bajate me realitetin; një formë të dobët dhe një stil të vjedhur të mjekrave që janë në modë nga këtu e deri në Amerikë, kuruar nga berberë skematikë.

Kjo tregon se si YouTube-i dhe Instagram-i ndikojnë në shijet tona artistike. Sesi, krijuesit tanë janë shndërruar në anekse instagram-i dhe YouTube-i. Se si po formatohet në mënyrë të shëmtuar bukuria. Sesi një mjekër e paqethur merret e shëmtuar dhe një e qethur e bukur, se si buzë të holla dhe asimetrike merren si të shëmtuar, etj.

Nëse ecim kështu, mos u habisni kur të kemi një Shote Galicë me buzë si Zajmina, Kida, Elvana, ose të gjitha të tjerat, sepse tek e fundit të gjitha, kokë-e-këmbë janë copy/paste.

Në trend Kultura

Më shumë
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
XHUBLETA

XHUBLETA

Poezi
FRIKË

FRIKË

Poezi
Didaktikë historie

Didaktikë historie

Kulture
Vepra poetike Kadare!

Vepra poetike Kadare!

Analiza
Shqipja e kërcënuar!

Shqipja e kërcënuar!

Analiza
Kalo në kategori