LAJMI I FUNDIT:

Skenarët e mundshëm: Çfarë pas daljes së BDI-së nga Qeveria?

Skenarët e mundshëm: Çfarë pas daljes së BDI-së nga Qeveria?

BDI mbrëmë vendosi t’i tërheq të gjithë përfaqësuesit e saj të deritanishëm në pushtetin ekzekutiv në Maqedoni, njofton Telegrafi Maqedoni.

Nuk bëhet fjalë për shaka të një prillit, ndërsa nuk është madje as lajm tronditës. Opinioni vendor dhe ndërkombëtar tashmë janë mësuar me lojërat e tilla të partnerëve të koalicionit qeveritar VMRO-BDI. Pothuajse me të njëjtën recetë të provuar, këto dy parti në vitet e kaluara, i lajmërojnë zgjedhjet. Me koncept të ngjashëm të dy partitë paralajmëronin që më 24 prill do të shkojnë në zgjedhje, nëse ka nevojë edhe pa opozitën, por…?


Lojë e vjetër e besnikëve VMRO DPMNE dhe BDI apo Qeveri e zgjeruar?

Reagimet e para të analistëve në vend janë që ky vendim i BDI është nga pak kontradiktor, sidomos nëse merret parasysh pjesa e dytë e njoftimit të BDI. Respektivisht, nëse në pjesën e parë, partia e Ali Ahmetit, lajmëron braktisjen e qeverisë, pa dhënë detaje, në pjesën e dytë të njoftimit në fakt e demanton pjesën e parë.

„Kryesia, po ashtu i vërtetoi të drejtat me statut që të gjithë të drejtat ekzekutive dhe autorizimet për marrje të vendimeve t’ia delegojë kryetarit Ali Ahmeti për të vendosur për hapat e mëtutjeshme të BDI. Po ashtu, BDI e informon opinionin vendor dhe ndërkombëtar se do ti rishqyrtojë politikat e veta në ditët në vijim“, thuhet në njoftimin e BDI.

Nëse BDI vërtetë vendos ta braktis Qeverinë, përse atëherë e lajmëron opinion e këtushëm dhe atë ndërkombëtar se do ti rishqyrtojë politikat e veta në ditët në vijim, komentojnë një pjesë e analistëve, të cilët shtojnë që ky është një skenar tashmë i parë i partnerëve besnik të koalicionit, sidomos meqë në njoftim shkruan se do të tërhiqen nga Qeveria, që nuk do të thotë se japin dorëheqje.

Skenari 1: Janë të mundshme zgjedhjet më 05 qershor?

Pastrimi i listës zgjedhore dhe puna e KSHZ janë kyçe për dhënien e përgjigjes në këtë pyetje. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar për 5 qershor, por siç pohon e tërë opozita, pa listë të pastruar zgjedhore dhe reforma në media nuk mund të ketë zgjedhje, ose mund të ketë por pa opozitën, (LDSM; PLD, FD, RDM, Uniteti, Besa, partitë e Rufi Osmanit, Ziadin Selës dhe të tjerat). VMRO DPMNE, mbrëmë nuk kishte koment për vendimin e BDI.

Nuk do të ishte hera e parë që Gruevski dhe Ahmeti të reterojnë

Në fillim të këtij viti, VMRO DPMNE dhe BDI ishin të vendosur që më 24 prill të vitit 2016, do të shkojnë në zgjedhje parlamentare, duke u referuar në marrëveshjen e Përzhinos. Edhe pse, deri në momentin e fundit pohonin që do të shkojnë në zgjedhje, prapë se prapë reteruan nga qëndrimi i tyre fillestar.

Skenari 2: Mundësia për shumicë të re parlamentare dhe Qeveri të zgjeruar

Vështirë është të interpretohet nëse vendimi i BDI për tërheqje nga Qeveria mund të thotë mundësi për shumicë të re parlamentare, sepse kjo është një lojë e partnerëve të koalicionit, janë të bindur analistët.
Edhe pse, matematikisht kjo është e mundur. Sipas burimeve tjera, edhe pse është vështirë e besueshme, nuk mënjanohet mundësia për një Qeveri të gjerë teknike në të cilën do të merrnin pjesë katër partitë politike deri sa të përgatitet terreni për zgjedhje të drejta dhe demokratike, që nënkupton listë të pastruar zgjedhore dhe reforma në media.

Skenari 3: Vendimi i BDI është një përpjekje për shpërqendrimin nga “Kalaja” e PSP

Spekulohet që veprimet e këtilla të partnerëve qeveritar vijnë si përgjigje ndaj paraburgimit për shefin e drejtorisë së pestë në MPB, Goran Grujovski i cili është i dyshuari kryesor në hetimet e PSP për lëndën „Kalaja“, si dhe paraqitjet gjithnjë më të shpeshta të prokurorëve special. Burimet partiake pohojnë se në partinë e Ahmetit, gjoja qenkan shumë të mllefosur ndaj publikimit të materialeve të përgjuara në rrjetet sociale, dhe për këtë arsye kanë vendosur që të tërhiqen nga Qeveria. /Telegrafi/