LAJMI I FUNDIT:

“Situata në veri mund të tensionohet”

“Situata në veri mund të tensionohet”

Në një operacion të arrestimeve masive të policëve të Kosovës, kanë përfunduar në pranga 59 policë të trafikut rrugor, kryesisht nga rajoni i Mitrovicës në jug dhe nga veriu poashtu.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka vlerësuar që një numër i tillë nuk është edhe aq i lartë duke marrë parasysh përmasat e mëdha të operacionit.


Ai ka thënë që është e rëndësishme të mos humbet besueshmëria në Policinë e Kosovës, megjithatë arrestimet e lartpërmendura kanë dëshmuar nevojën e menaxhmentit për rritjen mekanizmave mbikëqyrës të brendshëm, dhe kapaciteteve vëzhguese.

“Një proces i tillë e ka dëshmuar edhe njëherë që menaxhmenti e ka të nevojshme të ketë një plan më dinamik në kryerjen e detyrës dhe vlerësimin e performancës, mirëpo në të njëjtën kohë është një veprim që duhet të përshëndetet në kuptimin e parandalimit të zhvillimit të mëtutjeshëm të korruptimit të zyrtarëve policorë” ka thënë Ramadani në një interviste në Ballë Për Ballë të Klan Kosovës.

Ligji i ri për komunikacionin rrugor, sipas Ramadanit, mund të jetë shkas i dhënies së ryshfetit, pasi që ky ligj parasheh gjoba të larta, e me këtë lidhet edhe ndjenja e faljes së policëve për shkelësit e ligjit.

Ndër të tjera Burim Ramadani ka vlerësuar që situata në veri të vendit po shkon duke u tensionuar.

“Situata në veri nuk është e qetë në kuptimin e plotë të fjalës. Është një situatë që po shkon kah tensionimi, veçanërisht përmes disa veprimeve të fundit duke filluar prej luginës së diellit e deri tek muri. Vlen të theksohet që serbët në veri jetojnë totalisht jetë paralele ndaj pjese tjetër si dhe prezenca e organizatave kriminale në veri është e fuqishme”, ka thënë Ramadani.