Sia në një betejë të ashpër ligjore me ish-bashkëshortin, akuzohet për varësi - këngëtarja 'shpërthen' ndaj pretendimeve

Këngëtarja e famshme Sia është përfshirë në një skandal të ri familjar, pasi ish-bashkëshorti i saj, Dan Bernad, ka kërkuar kujdestarinë e plotë të djalit të tyre 19-muajsh, Somersault – të njohur si Summi.
Dokumentet që ka siguruar E! News zbulojnë se Bernad pretendon se artistja po përballet me varësi dhe nuk është në gjendje të kujdeset për fëmijën.
Dan, 47 vjeç, ka deklaruar në padi se Sia “përbën rrezik të menjëhershëm” për djalin, duke pretenduar madje se ajo ka fshehur një shtrim dyjavor në spital gjatë shtatorit. Ai thotë se këngëtarja ka rezultuar pozitive në testet për barbiturate dhe benzodiazepina – medikamente qetësuese që përdoren zakonisht për ankthin dhe pagjumësinë – pa pasur një arsye mjekësore për përdorimin e tyre.

Por akuzat e ish-burrit nuk ndalen me kaq. Ai pretendon se Sia ka shkelur marrëveshjen e kujdestarisë së përbashkët duke i mohuar takimet me djalin. “Sjellja e saj është e papërgjegjshme dhe e rrezikshme”, ka shkruar ai, duke shtuar se vetë është “i vetmi prind i sigurt”, pasi, sipas tij, është i shëndetshëm, pa histori kriminale dhe pa varësi.
Megjithatë, Sia ka reaguar menjëherë duke i cilësuar akuzat si “plotësisht të pabaza dhe mashtruese”.
“I vërteta është se unë jam përballur me probleme me drogën dhe alkoolin më shumë se 15 vite më parë. Që prej më shumë se gjashtë muajsh jam plotësisht e pastër dhe i nënshtrohem testimeve javore”, tha ajo.

Këngëtarja shtoi se ka qenë gjithmonë kujdestarja kryesore e Summit dhe ka hedhur dyshime mbi aftësinë e Danit si prind.
“Dan nuk punon. Ai e kalon kohën në jetë nate dhe festa, kjo ka qenë e qartë gjatë gjithë martesës sonë së shkurtër”, u shpreh ajo. Sipas Sias, edhe kur ai qëndronte në Los Angeles, koha që kalonte me djalin ishte minimale dhe zakonisht në prani të dado-ve.
Beteja ligjore mes ish-çiftit pritet të vazhdojë, ndërsa publikimi i detajeve të reja ka ndezur reagime të shumta në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare. /Telegrafi/



























































