LAJMI I FUNDIT:

Si ta mirëpresim mendimin ndryshe?

Si ta mirëpresim mendimin ndryshe?

Është shokuese kur në publikimin e lajmeve dhe artikujve në gazeta e portale elektronike lexon dhe analizon komentet e disa njerëzve se si me gjuhën dhe qasjen e tyre konfrontuese dhe ofenduese, me një logjikë përjashtuese, aspak racionale dhe argumentuese, me fjalë të cilat burojnë nga paragjykimet dhe fobitë e ndryshme, e mbushin këndin e komenteve duke krijuar kështu një imazh të komunikimit të brishtë.

Pse kështu?


Përveç një lexuesi apo qytetari të rëndomtë që mbase mund të mos ketë kulturë të mjaftueshme komunikimi, ne shohim në debate të fundit edhe figura apo personalitete të ftuara si debatues në tema me karakter dhe rëndësi të veçantë dhe edhe tek ata e sheh një qasje të këtillë.

Disa kanë prirje me rrah gjoks në debate dhe m’i tregu muskujt, duke u shfaqur më pak konstruktivë e më shumë konfrontues. Në vend se t’i sqarojnë opinionit publik dilemat në fokus, apo të ofrojnë alternativa dhe zgjidhje për problemet preokupuese, ata më shumë krijojnë huti e mjegulli dhe shumë herë devijojnë nga esenca e debatit duke u marrë me akuza të njëri-tjetrit. Pra, debati zhvendoset në personale dhe i ngjanë një zënke në çajtore.

Jeta nuk do të ishte interesante dhe e vlefshme pa mendimet diverse, sepse diversiteti është pasuri. E mendimi ndryshe tek ne është vështirë i pranuar edhe si liri e shprehjes, perceptohet shpeshherë gabimisht dhe shumëkush pretendon se mendimi i tij është ai që duhet ta ketë primatin në konglomeratin e mendimeve dhe botëkuptimeve njerëzore dhe të tjerët domosdo t’ia pranojnë atë mendim si të pakontestuar.

Unë besoj se vetëm fjala e Zotit në Kur’an dhe e të dërguarit të Tij në Hadith janë të pakontestueshme. Fjala nga qielli i shtatë as që vihet në dyshim, sepse është e shpallur nga i Gjithëdijshmi, i Përsosuri dhe i Pavdekshmi, Allahu.

Ndërsa, interpretimet e njerëzve në kohë, vende, kultura e kontekste të caktuara janë diverse dhe të gjitha ato mund të kontestohen, avancohen, ndryshohen, refuzohen apo edhe pranohen varësisht nga rrethanat e ndryshme, qofshin ato edhe nga kokat më të mëdha të dijes apo institucionet më kredibile dhe prestigjioze të shkencës sepse dituria nuk ka kufi.

Divergjencat ekzistojnë, por ato s’duhet të shndërrohen në mjete përçarëse e përplasëse, por me një kulturë racionale e parimore të debatit, të vazhdojnë debatet dhe t’u shmangen polemikave sepse polemikat nuk zgjidhin problemeve.

Mjeruese është fakti kur shohim që polemizohet për çështje të parëndësishme, të kota dhe joproduktive e që si rezultat i mungesës së kulturës dhe idesë së shëndoshë të debatit, komprometojnë veten e tyre.

Postimet në rrjetin social të Facebookut të tipit "dora t’u thaftë nëse s’e bën LIKE", tregojnë nivelin e dobët dhe gjuhën vulgare e mjeruese të komunikimit me publikun. Postimeve të tilla kurrë nuk ju japi LIKE edhe nëse më pëlqen përmbajtja e tyre. Aq më shumë kur disa postime artikulohen si “vetëm ai që s’është shqiptar apo vetëm ai që s’është mysliman s’e bën LIKE këtë"! Mjerim!

Shumë potencial harxhohet vend e pavend! Por, megjithatë, çdo njëri prej nesh posedon ndonjë vlerë në botëkuptimin e tij, andaj s’duhet t’i mohohet askujt, por me kujdes të madh të merret në konsideratë mendimi i gjithsecilit prej nesh, edhe prej atyre mendimeve më ekstreme, sepse edhe urtësia në mendimet e përziera s’ka kufi.

Andaj, duhet të kemi një qasje më racionale dhe më parimore të komunikimit dhe interpretimit pa u bërë fjala jonë thumbim për të tjerët që mendojnë ndryshe prej nesh.