LAJMI I FUNDIT:

Si Policia e Teksasit ndryshoi më shumë se 10 herë ‘raportimin’ rreth asaj që ndodhi gjatë të shtënave në një shkollë, ku u vranë 19 fëmijë

Si Policia e Teksasit ndryshoi më shumë se 10 herë ‘raportimin’ rreth asaj që ndodhi gjatë të shtënave në një shkollë, ku u vranë 19 fëmijë

Zyrtarët e Teksasit bënë ndryshime thelbësore në ‘raportimet’ për rrjedhën e ngjarjes me të shtëna masive në një shkollë fillore në Uvalde, Teksas.

Me këtë, edhe ishte shtuar mungesa e qartësisë rreth mënyrës se si ndodhi masakra dhe sesi policia iu përgjigj sulmit, shkruan Business Insider, përcjell Telegrafi.


Sipas mediumit në fjalë, që nga raportet fillestare të të shtënave deri në konferencën më të fundit nga Drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit, Steven McCraw, policia ka ndryshuar narrativën se si reaguan autoritetet e zbatimit ët ligjit ndaj “tërbimit” të një personi të armatosur i cili vrau 19 fëmijë dhe dy mësues.

Këtu janë ndryshimet kryesore në detaje që zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë ofruar që nga të shtënat:

Policia e Uvalde fillimisht tha se personi i armatosur ishte në paraburgim. Në një nga deklaratat e para për të shtënat, Departamenti i Policisë Uvalde tha në Facebook se personi i armatosur ishte në paraburgim nga policia.

Departamenti më vonë zbuloi se një ekip taktik i Patrullës Kufitare të SHBA-së qëlloi për vdekje personin e armatosur brenda shkollës.

Por siç vë në pah Business Insider, askush në fakt nuk u përball me personin e armatosur para se ai të futej brenda.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit, Steve McCraw tha se “një oficer i guximshëm” u përball me personin e armatosur.

Megjithatë, të enjten, u tha se kjo ishte e pasaktë.

Sulmi që la disa të vdekur në Teksas: Një nxënës kujton se si i armatosuri hyri në klasë – mësuesja përshkruan ’35 minutat më të gjata të jetës së saj‘
Lexo po ashtu Sulmi që la disa të vdekur në Teksas: Një nxënës kujton se si i armatosuri hyri në klasë – mësuesja përshkruan ’35 minutat më të gjata të jetës së saj‘

“Nuk kishte një oficer të gatshëm dhe të armatosur”, ishte thënë më vonë në një konferencë për shtyp.

Dhe të premten, McCraw shtoi se oficeri nuk ishte as në terrenin e shkollës në kohën e të shtënave.

“Ka pasur diskutime që herët se një ISD … ishte përballur me të dyshuarin. Kjo nuk ndodhi. Sigurisht që u deklarua në intervistat paraprake, por shpesh këto intervista paraprake…”, citohet të ketë thënë McCraw të premten.

“Përfundimi është se oficeri nuk ishte në vendngjarje, as në kampus, por kishte dëgjuar thirrjen 911 për një të armatosur, shkoi menjëherë në zonë, shpejtoi në drejtim të atij që mendonte se ishte njeriu me armë, prapa shkollës, por rezultoi të ishte mësuesi dhe jo i dyshuari”, vazhdoi McCraw.

McCraw shtoi se oficeri i policisë së shkollës në fakt kaloi me makinë pranë personit të armatosur, i cili ishte fshehur pas një makine.

Sa shpejt i armatosuri hyri në shkollë?

Policia ka qenë e qëndrueshme në detajet e sulmit të të armatosurit ndaj gjyshes së tij përpara të shtënave dhe përplasjes së tij pranë një shtëpie përballë shkollës në orën 11:28 të së martës.

Por policia fillimisht tha se personi i armatosur u përball para se të shkonte në shkollë.

Të enjten, u tha se personi i armatosur po qëllonte jashtë shkollës dhe hyri në shkollë në orën 11:40 të mëngjesit, duke lënë një hapësirë kohore 12-minutëshe që ishte e pashpjegueshme.

Por të premten, McCraw tha se sulmuesi në fakt hyri në shkollë në orën 11:33 të mëngjesit, tre minuta pasi një mësues thirri 911 për të raportuar përplasjen dhe një person të armatosur në terrenin e shkollës.

Në konferencën për shtyp të së mërkurës, McCraw tha: “Përfundimisht, forcat e zbatimit të ligjit ishin aty, ata u angazhuan menjëherë, e mbajtën atë në një klasë. Ata vendosën një grup taktik, në një mënyrë shumë të rregullt, dhe e sulmuan individin”.

E nënkoloneli Chris Olivarez të mërkurën në një intervistë për emisionin “Today” në NBC theksoi shpejtësinë e reagimit të policisë. Ai tha se policia u përgjigj “brenda një momenti të caktuar”.

Ai tha gjithashtu se oficerët “pa hezitim u përpoqën të hynin në atë shkollë”, por u ndaluan nga personi i armatosur që qëlloi mbi ta.

Por deri të enjten, policia tha se personi i armatosur nuk ishte vrarë nga një agjent i Patrullës Kufitare të SHBA-së deri në orën 12:40, duke ngritur pikëpyetje se çfarë ndodhi afërsisht në orën midis fillimit të të shtënave dhe vrasjes së personit të armatosur.

Sipas informacioneve të reja nga McCraw të premten, tre oficerë të policisë lokale arritën në shkollë në orën 11:35, vetëm dy minuta pasi personi i armatosur fillimisht hyri në ndërtesë dhe hapi zjarr.

Dy nga policët u rrezikuan nga plumbat teksa hynë në shkollë, shtoi ai.

Në këtë përshkrim të fundit, McCraw tha se policia shkëmbeu armë zjarri me të dyshuarin deri në orën 11:44 të mëngjesit.

Deri në orën 11:51 të mëngjesit mbërriti një rreshter policie dhe agjent federal dhe që nga ora 12:03, kishte 19 oficerë policie në korridorin jashtë klasës ku personi i armatosur ishte fshehur.

Pse policët nuk e ndaluan sulmuesin të futej në shkollën e Teksasit?

Të mërkurën, siç ishte thënë, policia filloi të thyente xhamat dhe të evakuonte njerëzit ndërsa personi i armatosur u barrikadua në shkollë derisa oficerë të armatosur rëndë mbërritën dhe vranë të armatosurin.

Tregimi i parë nuk e bëri të qartë se sa kohë zgjati kjo. Mospërputhja prej një ore u zbulua të enjten.

Kur u pyet të enjten se pse oficerët nuk e qëlluan sulmuesin teksa ai ishte në klasë me fëmijët dhe pse autoritetet nuk u angazhuan më herët, Victor Escalon, një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Publike në Teksas tha: “Kjo është një pyetje e vështirë”.

Ai përmendi nevojën për të evakuuar njerëzit si një arsye të mundshme dhe shtoi në mbrojtjen e oficerëve se “po ndodhte shumë” dhe se ishte “një situatë komplekse”.

Por prindërit filluan të tregojnë se policët jashtë shkollës kishin refuzuar të hynin për të ndaluar sulmuesin dhe frenuan prindërit që u përpoqën të futeshin vetë, përcjell Telegrafi.

McCraw – i cili nuk ishte në vendngjarje në kohën e të shtënave dhe nuk komandonte oficerët në atë kohë – shtoi: “Natyrisht, bazuar në informacionin që kemi, kishte fëmijë në atë klasë që ishin në rrezik dhe kjo ishte, në fakt, ende një situatë aktive me të shtëna”.

Ai vuri në dukje se “sigurisht që nuk ishte vendimi i duhur. Ishte vendim i gabuar. Nuk ka asnjë justifikim për këtë”.

Si ka arritur Japonia të eliminojë pothuajse plotësisht vdekjet nga të shtënat me armë
Lexo po ashtu Si ka arritur Japonia të eliminojë pothuajse plotësisht vdekjet nga të shtënat me armë

Sipas afatit kohor të fundit të siguruar nga McCraw të premten, policia hapi derën e mbyllur të klasës duke përdorur një çelës dhe qëlloi dhe vrau personin e armatosur në orën 12:50 — 10 minuta më vonë se sa ishte raportuar fillimisht.

Edhe guvernatori i Teksasit, Greg Abbott reagoi të premten ndaj informacionit të ri që u zbulua më herët gjatë ditës së premte në lidhje me reagimin e policisë ndaj të shtënave masive, duke thënë: “Unë u mashtrova”.

“Jam i mërzitur për atë që ndodhi”, tha Abbott, i cili ditë më parë vlerësoi përgjigjen nga forcat e rendit.

“Siç e kanë mësuar të gjithë, informacioni që më dhanë doli pjesërisht i pasaktë”, tha Abbott. “Dhe jam absolutisht i mërzitur për këtë”. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Ajo hipi mbi një peshkaqen, pastaj u pendua shumë: Vajza u lëndua në një vend të papërshtatshëm

Ajo hipi mbi një peshkaqen, pastaj u pendua shumë: Vajza u lëndua në një vend të papërshtatshëm

Amerika

"Mos e provokoni Iranin", paralajmëron zëdhënësi i Hezbollahut

Botë
Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Treni në Japoni u nis me 17 minuta vonesë: Kur pasagjerët dëgjuan arsyen, askush nuk u zemërua

Azia
Pse Irani po mundohet ta fshehë sulmin izraelit?

Pse Irani po mundohet ta fshehë sulmin izraelit?

Botë
Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Çfarë janë retë artificiale dhe a shkaktuan përmbytjet e mëdha në Dubai?

Azia
U hodh nga shkëmbi famëkeq në det, por britaniku gjykoi gabimisht: Videoja horror po përhapet në rrjetet sociale

U hodh nga shkëmbi famëkeq në det, por britaniku gjykoi gabimisht: Videoja horror po përhapet në rrjetet sociale

Evropa
Kalo në kategori