LAJMI I FUNDIT:

Si e ndryshoi Brexit-i, gjuhën angleze?

Si e ndryshoi Brexit-i, gjuhën angleze?

Nga ‘Bremain’ dhe ‘Bregret’ te ‘Euro-Fudge’… Christine Ro analizon frazat dhe shprehjet e reja të shpikura nga referendumi për daljen e Britanisë së Madhe nga Unioni Evropian. Pjesë të shkrimit të saj të publikuar në BBC, Telegrafi sjell më poshtë.

Në mars, poeti britanik Brian Bilston botoi një pjesë në Twitter të quajtur “Votimi kuptimplotë”, që përfundon me rreshtat: “Sa çmenduri duket / Sa pa kuptim, sa absurde / Të definosh sërish një komb / Në kërkim të një fjale”. Sepse, “Brexit”-i është futur në përdorim si fjalë e pashmangshme në biseda, po aq sa “më fal” apo komentet për motin. Por, janë disa paralele interesante midis “Brexit”-it (si fjalë) dhe Brexit-it (si fenomen politik).

Peter Wilding thotë se “Brexit”-i mund të jetë epitafi i rënies dhe dështimit të kombit

Brexit-i u parapri nga Grexit-i. Një grup i ekonomistëve nga Citigroup, e përdorën termin “Grexit” në shkurt 2012, duke iu referuar mundësisë që Greqia të dilte nga Eurozona. Tre muaj më vonë, Peter Wilding e krijoi “Brexit”-in duke e përshkruar si “një fjalë tjetër të trishtuar”. Wilding punonte në Partinë Konservatore të udhëhequr nga David Cameron. Ai mendon se kapja pas fjalës “Brexit”, e ndihmoi fushatën e largimit, ndaj pendohet që e krijoi. Ai është tash “Bregret”.

“Për shkak të fjalës, jemi futur në telashe”, thotë linguistja Lise Fontaine. “Duke e pranuar këtë term, duke e përsëritur atë, duke e bërë kaq të shpeshtë… i kemi mbyllur perspektivat dhe idetë alternative për t’i dhënë fund anëtarësimit të Mbretërisë së Bashkuar në Unionin Evropian”.

Në qershor 2012, revista “The Economist” publikoi artikullin me titullin “A Brixit looms”. Por, termi Brexit e mundi Brixit-in…

Hulumtimi i saj tregon se “Brexit”-i më herët u shënua me thonjëza, me përkufizime dhe terma si “i ashtuquajtur”, që tregon se në drejtshkrim përdorimi i termit nuk ishte i standardizuar. Në fakt, “Brexit”-i nuk pati jehonë të shpejtë, deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015 në Britaninë e Madhe, kur një nga premtimet e fushatës së Cameronit ishte rinegociimi i marrëdhënieve britanike me UE-në. Nga ajo kohë, e sidomos pas shpalljes së referendumit, “Brexit”-i “shpërtheu”. Fontaine thotë se termi dëgjohej kudo, në taksi dhe në bare. Në vitin 2016, Fjalori Collins e quajti fjalë të vitit. E, deri në fund të vitit 2016 ishte fjalë globale – sipas Fjalorit Anglez të Oksfordit, i cili gjithashtu vuri në dukje shprehjet si “Brexit dividend”.

“Backstop” përdoret në sport dhe financa, por nga viti 2016 ka kuptim tjetër

“Backstop” dhe variacionet e tij janë disa nga termet që shfaqen në Leksikonin e Brexit-it, që prezantohet në video-instalimin e artistit Simon Roberts. Kjo vepër arti përmban dy pjesë: një video 80-minutëshe të një spikeri që lexon listën alfabetike të fjalëve dhe frazave që lidhen me Brexit; dhe një projeksion të teleprompterit që është duke lexuar.

Roberts i mblidhte këto terma që nga dita e parë pas referendumit, rezultati i të cilit e tronditi dhe e shtyu të bënte vepra arti. Ishte proces i vështirë përmbledhja e leksikut. Për dy vjet, Roberts mbuloi mediat për të regjistruar gati 5,000 shprehje të reja që përshkruajnë një aspekt të Brexit-it. Ka pasur gjithashtu shprehje rreth ngjarjeve specifike, siç është plani i Brexit-it i korrikut 2018, që u arrit në rezidencën kryeministrore, në Chequers. Kjo nxiti frazat “Chequers Blueprint”, “Chequers Checkmated”, “Chequers Euro-fudge” dhe “Chuck Chequers”.

Artisti Simon Roberts ka krijuar Leksikonin Brexit

Bëhet e qartë nga Leksikoni i Brexit-it, se “Brexit”-i ka dalë jashtë sferës politike. Që nga referendumi, ishin dhjetëra regjistrime të kompanive me “Brexit” në emrat e tyre, si dhe aplikime për markat tregtare për artikujt, si biskotat Brexit dhe pijet energjetike Brexit.

Disa aspekte e kanë ndihmuar “Brexit”-in të shihet kudo. Njëra ka të bëjë me lehtësinë e anglishtes. Tabloidët britanikë kanë shkëlqyer me titujt kryesorë të epokës post-referendum. Një përmbledhje e lajmeve – përfshirë titujt “All the Authority of a Smacked Blancmange”, “Fudgiest Fudge in the History of Euro-fudge” dhe “Ambitious Managed Divergence” – shfaq humorin e errët dhe risitë linguistike që kanë përdorur njerëzit për të shpjeguar Brexit-in.

Adhuruesit po reagojnë kundër pensionimit të Messit nga futbolli, duke kërkuar referendumin “Mexit”

“Anglishtja ka traditë të gjatë dhe të pasur të humorit verbal. Mediat britanike nuk bëjnë përjashtim për lojë të fjalëve”, thotë Gordana Lalic-Krstin. Ajo dhe Nadezda Silacki, të cilat japin Gjuhën Angleze në Universitetin e Beogradit, kanë hulumtuar neologjizmat (ose termat e rinj) të ndikuar nga Brexit-i.

“Brexit” ka dhënë mundësi për “Califexit” (që mund të jetë titulli i një albumi të Red Hot Chili Peppers dhe që përcakton Kaliforninë që braktis SHBA-në) dhe “Fixit” (që tingëllon si një mjet hidraulik, por i referohet mundësisë së daljes së Finlandës nga UE). Silaski dhe Lalic-Krstin kanë vërejtur këtë strukturë duke u përdorur në termat si “Mexit” (për pensionimin e futbollistit Lionel Messi) dhe “Trexit” (nëse një rezident amerikan vendos të largohet nga vendi për shkak të Donald Trump-it).

Një peticion me 53 mijë nënshkrime ka kërkuar nga Qeveria e Finlandës të debatojë për dalin nga Eurozona më 2015, duke frymëzuar fjalën “Fixit”

“Dominimi global i gjuhës angleze, sidomos në internet, do të thotë që fjalët u përhapën shpejt dhe se mund të miratohen në gjuhë të ndryshme”, thotë Llalic-Krstin. “‘Brexit’-i është një internacionalizëm, domethënë një fjalë e njohur globalisht, që ka hyrë në shumë gjuhë të tjera në formën dhe kuptimin origjinal – në vend se të përkthehet”.

Ka gjithashtu fleksibilitet me vet fjalën. Fontaine për këtë thotë: “Exit është një nga ato fjalët fleksibile që nuk mund të klasifikohet si emër e as si folje. Kështu, dykuptimësia është avantazh për këtë lloj fjale… ‘Brexit’ është emër i ndërlikuar, ose emër që ngërthen kuptim të madh”.

“Trexit” ka shumë kuptime, përfshirë refuzimin e presidentit Trump

“Duke qenë përzierje, pothuajse i fton njerëzit të luajnë me të dhe të prodhojnë fjalë të tilla si ‘Bregret’, ‘Regrexit’, ‘Brexitesque’ ose ‘Brexitannia'”, thotë Lalic-Krstin. “Këto fjalë janë kompakte dhe shumë ekspresive”.

Ndonëse “Bremain” është e kundërta e “Brexit”-it, Fontaine shpjegon se “gramatika e tyre individuale është krejt ndryshe”. Mbi të gjitha, nuk është aq fleksibile: “Nuk mund të flasësh për ‘Remain’. Nuk ka një emër homolog. Dhe, është më pak imponuese si fjalë, sepse nuk ka asgjë emocionuese, nuk ka rrezik, nuk ka kërcënim, nuk është e denjë për lajme”.

“Bremain” nuk nënkupton rrezik apo kërcënim, ndaj nuk është fjalë “interesante”

Duket se Brexit-i ka kapur imagjinatën e botës si asnjë term tjetër politik. Një pararendës ishte skandali Watergate në vitet 1970. Watergate vazhdon të ndikojë neologjizmat edhe disa dekada më vonë, si “Monicagate” (për çështjen midis Monica Lewinsky-t dhe Bill Clinton-it) dhe ‘Piggate’ (për një akuzë që përfshin David Cameron-in dhe një klub të Oksfordit). Sa për të ardhmen e “Brexit”-it, pavarësisht se çfarë ndodh më 29 mars, kjo fjalë do të ketë shpejtë përdorim metaforik. Por, mbetet të shihet nëse do të thotë ndarje e një vendi apo një periudhë e re e prosperitetit dhe sovranitetit. /Telegrafi/