LAJMI I FUNDIT:

Si duhet të përkujdeseni për foshnjën (Video)

Si duhet të përkujdeseni për foshnjën (Video)

Të qenit prind është shumë kënaqësi për shumicën e prindërve por edhe kërkon shumë sakrificë ngase foshnja kërkon kujdes të veçantë.

Prindërit duhet të jenë shumë të vëmendshëm, duhet të marrin me kujdes të gjitha këshillat që ofrohen nga neonatologu në mënyrë që të sigurohen për rritjen sa më të mirë të foshnjës.


Menjëherë pas lindjes fillojnë edhe kontrollet e para nga neonatologu në mënyrë që të konstatohet se gjithçka është në rregull me foshnjën.

“Vetë titulli i porsalindur e shpreh atë ndjeshmërinë dhe këtu është roli i neonatologut dhe infermierës së neonatologjisë që t’ia mundëson mënyrën sa më të mirë të mundshme adaptimin të porsalindurit”, tregon për emisionin Ninullë, neonatologu dr. Faton Xhaka, nga Klinika Amerikane Dr. Behar Kusari.

Menjëherë në orët e para pas lindjes specialistët tregojnë se preferohet edhe realizimi i gjidhënjes së parë,  nëse gjendja e nënës është e mirë.

“Brenda 30 min deri në 2 orë zakonisht me ndihmën e infermieres së neonatologjisë bëhet edhe ose realizohet gjidhënia e parë”, shpjegon neonatologu dr.Xhaka.

Sipas infermieres së neonatologjisë, Edona Vllahiu-Krasniqi, gjidhënia te foshnjat bëhet menjëherë pas lindjes, zakonisht nëse gjendja e nënës dhe e foshnjës është e mirë.

“Foshnja, këshillohet, që të vihet në gji në çdo 3 ose 4 orë, varet edhe nga gjendja e nënës. Fillimisht, qumështi vjen pas ditës së dytë. Foshnjat zakonisht gjatë ushqyeshmërisë ndihmohet prej infermierës për shkak se nënat e porsalindura kanë nevojë për pushim, kanë nevojë edhe për ndihmë, të cilën ia japin motrat, sidomos motrat e neonatologjisë, e cila kujdeset që thithja prej anës së foshnjës apo refleksi i thithjes të jetë sa më i mirë”, sqaron infermierja Vllahiu-Krasniqi.

Ditën e parë të lindjes së bebes është një pyetje e shpeshtë se a duhet pastruar beba apo jo?

“Menjëherë pas lindjes, beba vetëm mbështillet dhe mandej kur lahet, njëherë lahet vetëm me ujë të vakët, pa detergjente, pa shampon, pa asnjë gjë, dhe nuk duhet të tentohet të largohet me forcë shtresa e verniks kazeozes (mbështjellësi i bardhë), sepse ajo me kohë disklamohet dhe bie vetë. Deri vonë ka qenë si rregull që beba të pastrohet çdo ditë, mirëpo edhe pastrimi i shpeshtë është një traumë, një irritim për lekurën dhe kështu që tani preferohet që beba të lahet dy herë në javë”, konfirmon, Dermatologia Nexhmije Kusari, nga Klinika Amerikane, dr. Behar Kusari.

Një shqetësim i madh i nënave për bebet e tyre është edhe vaksinimi. E sa me rëndësi eshtë vaksinimi, kur duhet berë dhe cilat vaksina i jepen bebes do të mësoni nga neonatologu dr. Xhaka.

“Normalisht, i porsalinduri gëzon ose fiton imunitet prej nënës, varesisht prej sëmundjeve të ndryshme edhe imuniteti ka kohëzgjatje të ndryshme. Më së paku imunitet fiton kundër turbekulozës dhe kundër verdhëzës të shkaktuar nga virusi B, pikërisht për këtë arsye është e obliguar me ligj që secili femijë ti nënshtrohet vanksinimit menjëherë pas lindjes dhe më së largu deri në ditën e 10 pas lindjes”. Spjegon dr. Xhaka.

I porsalinduri në muajt e parë, konkretisht në periudhën 4 deri 6 javë duhet ti nënshtrohet edhe skriningut të ultrazërit të kërdhokullave.

“Te bebat e porsalindura ka shumë anomali që e çrregullojnë jetën e mëtutjeshme. Është e domosdoshme që 4 deri në 6 javët e para të bëhen ekzaminimet e para, te mjeku i cili është i specializuar për anomalitë e sistemit lokomotor, për sistemet e ecjes. Fëmiu i porsalindur mund të ketë anomali të kurrizit, të qafës, të kërdhokullave, të shputave e kështu me rradhë andaj ekzaminimet duhet të kryhen me kohë”, apelon Faton Morina, proc.asoc. ortoped-traumatolog.

Një shembull i mirë se si duhet përkujdesur për foshnjën është ai i Filloretës. Ajo fillimisht ka marr këshillat e doktorit e më pas me përpikmëri i ka ndjekur ato. Kështu edhe ka një foshnje të shëndetshme.

“Rëndësi të veçantë i kom kushtu vetës gjatë shtatzënisë por tash pas lindjes po i kushtoj vëmendje të madhe edhe Malit, pasiqë është ende shumë i vogël. Me rekomandim të neonatologut i kam kryer të gjitha vizitat që është dashtë, te ortopedi edhe tek të tjerët ku ai më ka rekomandu”, tregon Filloreta Rafuna, nënë e cila më profesion është edukatore.

Për më shumë informata rreth kësaj teme mund të ndiqni emisionin në linkun e mëposhtëm.