LAJMI I FUNDIT:

Shumë vdekje të dyshimta, shumë pak autopsi

Shumë vdekje të dyshimta, shumë pak autopsi

Në dhjetor të vitit të kaluar, familjes Pajaziti nga fshati Strellc i Ulët i Deçanit, iu dha lajmi se vajza e tyre Donjeta Pajaziti kishte vdekur. Kanë qenë rezultatet e autopsisë të cilat kanë verifikuar trupin e pajetë të Donjetës, e cila kishte qëndruar më shumë se pesë javë në bjeshkët e Strellcit. Por, ka shumë raste te vdekjeve në Kosovë të cilave nuk iu bëhet autopsia nga ana e organeve kompetente dhe nuk dihen shkaqet e vdekjeve të tyre, ndonëse Ligji e detyron obduksionin për çdo vdekje të dyshimtë dhe kur vdekja ndodh në spitale 72 orë pas pranimit të pacientit.

Në të gjitha spitalet në Kosovës gjatë vitit 2015 kanë ndodhur 2 mijë e 41 vdekje. Ramadan Sopa, ushtrues detyre i drejtorit në Institutin e Patologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë për Gazetën Fjala se çdo vit po shënon rënie trendi i kryerjes së autopsisë.


“Gjatë vitit 2015 kemi pasë 15 autopsi të pacientëve që kanë ndërruar jetë në QKUK”, ka thënë Sopa.

Në të shumtën e rasteve, familjarët e të vdekurve refuzojnë që t’ju lejojnë mjekëve autopsinë për familjarët e tyre. E, në këtë ndikojnë rrethanat e mentalitetit, çështjet sentimentale e aspekti fetar.

Besim Kodra, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, thotë se në bazë të raporteve të tyre, në vitin 2015 në spitalet e Kosovës kanë ndodhur 2041 vdekje dhe se për vetëm 13 vdekje është kryer autopsia. Kodra këtë shifër e vlerëson të ulët në raport me numrin e vdekjeve. Ai thotë se autopsia është e domosdoshme jo vetëm për të zbuluar gabimet mjekësore, por edhe për të zbuluar sëmundjet gjenetike të të vdekurit të cilat mund të përcillen tek pasardhësit.

Kodra thotë se fajin për mos informim për autopsinë e kanë edhe stafi mjekësor, ngase “nuk janë të interesuar që t’ju shpjegojnë pacientëve e familjarëve për dobitë që mund të sjell autopsia”. Ndaj, sipas tij, bashkë me trupin e pajetë të të vdekurve, shpeshherë në varr mbulohen edhe gabimet e mjekëve. /GazetaFjala/