Disa persona u plagosën në një sulm me thikë në një sinagogë në Mançester të enjten.

Policia qëlloi të dyshuarin, kurse numri dhe shkalla e lëndimeve janë të paqarta, transmeton Telegrafi.


Njësitë iu përgjigjën fillimisht thirrjeve për një automjet që po drejtohej drejt këmbësorëve, tha policia e Mançesterit në një deklaratë.

"Policia u thirr në Sinagogën e Kongregacionit Hebraik të Parkut Heaton, në rrugën Middleton, Crumpsall, në orën 9:31 të mëngjesit nga një kalimtar, duke deklaruar se kishte parë një makinë që po drejtohej drejt civilëve dhe një burrë ishte therur me thikë", thuhet në deklaratë.

Policia tha se i dyshuari është qëlluar me armë.

"Mjekët mbërritën në vendngjarje në orën 9:41 të mëngjesit dhe po kujdesen për të lënduarit, aktualisht katër janë me lëndime të shkaktuara si nga automjeti ashtu edhe nga plagët me thikë", sipas autoriteteve, të cilat i kërkuan qytetarëve të shmangte zonën deri në njoftim të mëtejshëm.

Kryebashkiaku i Mançesterit, Andy Burnham, i tha BBC-së se ky ishte një "incident serioz" që u trajtua "në mënyrë efektive" nga policia dhe njerëzit në vendngjarje.

Sulmi ndodhi ndërsa komuniteti hebre shënon Yom Kippur, me shumë besimtarë që shkojnë në sinagoga dhe e shënojnë ditën me agjërim. /Telegrafi/