LAJMI I FUNDIT:

Shtrenjtimi i çmimit të ngrohjes, Uka: ZRRE-së i mbetet të vendosë për caktimin e tarifave të energjisë termike

Shtrenjtimi i çmimit të ngrohjes, Uka: ZRRE-së i mbetet të vendosë për caktimin e tarifave të energjisë termike

Rritja e eventuale e çmimit të energjisë dhe derivateve të naftës në botë, mund të ketë efekt edhe në Kosovë.

Në lidhje me shtrenjtësimin e mundshëm të çmimit të ngrohjes, zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka – Fejzullahu në një përgjigje për Telegrafin, thotë se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) si i vetmi autoritet që është përgjegjës për përcaktimin e këtyre tarifave.


Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) si i vetmi autoritet, që rregullon aktivitetin në sektorin e energjisë në Kosovë, është përgjegjëse për përcaktimin e tarifave të energjisë termike. Ndërkaq, Termokos i mbetet që të aplikojë ato tarifa, cilado qofshin ato që përcaktohen nga ZRRE-ja”, tha Uka – Fejzullahu.

Ndërsa për sa i përket nisjes së ngrohjes, ajo thotë se duke filluar nga 15 tetori do të filloj furnizimi.

“Bazuar në Rregulloren e ZRRE-së për furnizim me energji, sezoni ngrohës, në varësi të kushteve klimatike, duhet të fillojë më 15 tetor. NP Termokos tanimë është i gatshëm për fillimin e furnizimit”, thotë ajo.

Uka – Fejzullahu shton se tashmë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për fillimin e ngrohjes, ku sipas saj, ka pasur ndërhyrje të ndryshme në rrjet.

“Kanë përfunduar një varg përgatitjesh, që kanë të bëjnë me ndërhyrje të ndryshme në rrjetin primar të ngrohjes, kudo ku për shkak të gypave të stërvjetëruar të ngrohjes janë evidentuar probleme. Pastaj janë kryer intervenime nëpër nënstacionet e ngrohjes, ka përfunduar pastrimi i këmbyesve të nxehtësisë, si dhe intervenime tjera nëpër pajisjet e ngrohjes, të gjitha këto në funksion të një përgatitje sa më të mirë dhe një sezoni sa më të mbarë ngrohës”, përfundon Uka – Fejzullahu.

Muaj më parë, Qeveria e Kosovës kishte miratuar nismën për zgjerimin e Termokosit.

“Marrëveshja parasheh ofrimin e asistencës teknike për zgjerim të rrjetit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë. Kjo Marrëveshje kap vlerën 1.5 milionë euro dhe është në formë granti”, kishte njoftuar ministri i Financave, Hekuran Murati. /Telegrafi/