LAJMI I FUNDIT:

Shtohet mundësia për rritje të mëtejshme të normave të interesit në Eurozonë

Shtohet mundësia për rritje të mëtejshme të normave të interesit në Eurozonë

Papunësia në Eurozonë arriti një nivel rekord të ulët në muajin nëntor 2022, duke shtuar kështu presionet ndaj Bankës Qendrore Evropiane për të vazhduar me rritjen e normave të interesit.

Gjatë kësaj periudhe, kishte 10.8 milionë njerëz të papunë në Eurozonë apo 2 mijë persona më pak se në muajin e kaluar. Kjo është shifra më e ulët e papunësisë që nga fillimi i regjistrimeve të këtyre shifrave në 1998

Sipas statistikave të Eurostatit, shkalla e papunësisë mbeti e pandryshuar nga muaji tetor, në shifrën 6.5 për qind, më e ulëta që nga fillimi i regjistrimeve të saj në vitin 1995.

Tregu i punës në Eurozonë po demonstron qëndrueshmëri përballë rënies ekonomike që pritet të rezultojë nga çmimet e larta të energjisë. Shumica e ekonomistëve presin që Eurozona të ketë pasur një recesion të shkurtër në fund të vitit të kaluar.

Tregu i kontraktuar i punës mbështet pikëpamjen se Banka Qendrore Evropiane do të detyrohet të vazhdojë me rritjen e normave të interesit, teksa përpiqet të përballojë inflacionin e lartë.

Tregjet parashikojnë një rritje prej 50 pikësh bazë të normave të interesit në mbledhjen e BQE-së më 2 shkurt. Nëse kjo ndodh, ajo do të aplikohet mbi rritjet aktuale të normës së interesit prej 2.5 pikë përqindje në total, të cilat kanë filluar që nga qershori i vitit të kaluar. Përpara këtij momenti, normat e interesit në eurozonë ishin negative, por rritjet e tyre bënë që norma bazë e depozitave të arrijë 2 për qind në muajin dhjetor.

Ndërmjet periudhës tetor-nëntor, shkalla e papunësisë pësoi rënie në Itali, Francë dhe Spanjë me 0.1 pikë përqindjeje, duke shkuar në 7.8 për qind, 7 për qind dhe 12.4 për qind respektivisht. Ajo mbeti në nivelin e ulët prej 3 për qind në Gjermani. /Telegrafi/