LAJMI I FUNDIT:

Shtohen rastet me fruth, deri tash dy të vdekur

Shtohen rastet me fruth, deri tash dy të vdekur

Këtë vit në Kosovë janë shënuar më shumë se 163 raste me fruth. Të prekur nga fruthi, raportohet se janë kryesisht personat të cilët nuk janë vaksinuar. Tashmë dy persona kanë humbur jetën nga fruthi, njëri fëmijë 14 muajsh dhe tjetri i rritur, rreth 40 vjeç.

Kosova njihet si vend ku mbulueshmëria me vaksina është shumë e lartë, përkatësisht është mbi 95 për qind.


Por, pavarësisht fushatave dhe nismave të autoriteteve gjegjëse, pjesëtarët nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, kanë një përqindje shumë më të ulët të vaksinimit. Të dhënat flasin se janë diku 3 në 10 fëmijë nga këto komunitete që vaksinohen. Këta persona, përbëjnë edhe 5 përqindëshin e popullatës së pavaksinuar.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publik në Kosovë, duke u bazuar në dëshmi ndërkombëtare dhe udhërrëfyesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka zhvilluar një plan operativ dhe është duke ndërmarrë masat dhe veprimet e nevojshme në bashkëpunim me mjekët dhe infermierët komunalë për të shpëtuar jetë, për të kontrolluar gjendjen e vazhdueshme të fruthit dhe për të parandaluar rastet e reja të fruthit.

Kjo iniciativë përfshin edhe vaksinimin shtëpi më shtëpi, thonë zyrtarë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ndryshe vaksina e fruthit te fëmijët aplikohet në dy doza. Doza e parë në moshën një vjeçare dhe e dyta në moshën 6-vjeçare.

Udhëheqësja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Ardita Tahirukaj, thotë se në situatën e krijuar me fruth në Kosovë, rekomandimi i kësaj Organizate është që të bëhet intensifikimi i aktiviteteve të vaksinimit, duke shpjeguar më tej se çka duhet konkretisht të ndërmerret.

“Në këtë situatë të krijuar duhet të aplikohet një dozë minimale për të gjithë fëmijët e moshës mbi 9 muaj, pra të mos pritet që fëmijët t’i mbushin 12 muaj. Të gjithë fëmijëve tjerë në zonat e prekura t’u ofrohet gjithashtu doza e dytë, dhe të mos pritet gjithashtu mosha 6-vjeçare”.

“Doza e vaksinës kundër fruthit e dhënë para 12 muajve konsiderohen si dozë ‘zero’. Ata ende duhet të marrin dy doza rutinë nëpërmjet programit të rregullt të vaksinimit, pra në vitin e dytë të jetës dhe në moshën 6-vjeçare. Fëmijët e moshës shkollore duhet të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, sqaron Tahirukaj.

Ndërkaq, infektologu Izet Sadiku thotë se ndonëse pas 16 viteve që kur nuk ishin paraqitur raste me fruth, ndërsa tani ka raste të tilla në Kosovë, situata epidemiologjike është nën kontroll.

“Kohëve të fundit ka pasur epidemi me fruth. Si pasojë e komplikimeve janë shënuar dy raste të vdekjeve. Ka pasur mbulim me barna në klinikë dhe gjithë terapia e nevojshme është përdorur te njerëzit. Ne kemi pasur numër të madh të njerëzve të infektuar dhe kjo ka qenë e re për ne pasi shumë vjet më parë nuk është paraqitur asnjë rast”, shprehet Sadiku.

Bazuar në një studim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera, viteve të fundit, sëmundja e fruthit ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë OBSH, thotë se vaksinat kundër fruthit duhet menjëherë të shtohen në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore.

Ka qenë një thirrje prej një grup njerëzish në vendet evropiane, të cilët kanë lobuar kundër vaksinimit me vaksinë të fruthit pasi thuhej se shkakton autizmin.

Por, infektologu Izet Sadiku thotë se asnjë studim nuk ka dalë me ndonjë të dhënë të bazuar se kjo vaksinë shkakton ndonjë sëmundje. Ai thotë se vaksinimi është i obligueshëm dhe duhet kryhet.

“Duhet të mbulohen të gjithë me vaksina, pasi mos-vaksinimi i një komuniteti krijon parakushte që të infektojë edhe njerëzit tjerë. Kemi rastin e 40 vjeçar-it që ka vdekur nga fruthi, ndonëse ka qenë i vaksinuar, por në këtë moshë i ka rënë imuniteti dhe rënia në kontakt e njerëzve të infektuar me fruth, ka sjellë situatën në të cilën po gjendemi”, thekson Sadiku.

Edhe qytetarët mendojnë se është obligim i çdo prindi që t’i vaksinojnë fëmijët me kalendar të vaksinimit dhe t’u shmangen sëmundjeve dhe epidemive të mundshme.

Këtë e thotë edhe Eglantina Kastrati, qytetare nga Prishtina: “Mendoj që duhet të vaksinohen, sepse është më mirë edhe për të tjerët. Sidomos kur po merret parasysh që tashmë janë shënuar edhe raste të vdekjeve. Unë i rekomandoj çdo prind që ta vaksinojë fëmijën pasi që është shumë e rëndësishme”.

Ndryshe, fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse dhe serioze e shkaktuar nga një virus. Virusi përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe përmes ajrit dhe mund të përhapet shpejt sidomos aty ku përfshirja me vaksinim rutinor ka qenë vazhdimisht nën 95%, duke lejuar akumulimin gradual të individëve lehtë të prekshëm nga virusi.

Sëmundja mund të jetë vdekjeprurëse, sidomos te fëmijët dhe të rriturit me sëmundje të tjera ekzistuese si dhe sistem imunitar të komprometuar. /REL/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Momenti kur vetura “fluturon” në Veternik dhe përplaset në një pompë derivatesh

Momenti kur vetura “fluturon” në Veternik dhe përplaset në një pompë derivatesh

Kronika e Zezë
Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Kryesuesja në KS të OKB-së përplaset ashpër me Vuçiqin për minutat e fjalimit

Lajme
Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Përplasja e SHBA-së me Rusinë në KS të OKB-së: Nuk mund të ndryshoni historinë e intervenimit të NATO-s në Kosovë

Lajme
Vasfije Krasniqi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit: Serbia humb çdo betejë kur jemi në kushte të barabarta

Vasfije Krasniqi pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit: Serbia humb çdo betejë kur jemi në kushte të barabarta

Lajme
Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Katër të mbijetuara të luftës nuk u lejuan të futeshin në sallën e KS të OKB-së, Osmani refuzoi pjesëmarrjen derisa lëshoi pe protokolli

Lajme
Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit

Momenti kur Osmani i thotë Vuçiqit "Shikoj në sy dhe kërkoju falje katër viktimave të krimeve serbe"

Lajme
Kalo në kategori