LAJMI I FUNDIT:

Shteti i dekonspiruar

Pasi u informova rreth një skandali që kishte ndodhur në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku tentativa për ta fshehur mu duk shumë e rëndë, në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, më 2 maj 2013, i bëra pyetje një parlamentare Ministrit të këtij dikasteri, z. Agim Ceku.

Bëhet fjalë për zëvendësministrin e FSK-së Slavisa Filipovic, i cili ishte zënë në flagrancë duke dërguar në Beograd informacion në lidhje me armatimin e FSK-së. As më shumë e as më pak, ky zyrtar i qeverisë së Kosovës, ishte zënë duke bërë spiunazh, një vepër penale e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (nenin 131) deri në 12 vjet burg; në rast lufte deri në burgim të përjetshëm, e që është dënimi maksimal që parasheh ky Kod.


Ministri i FSK-së e pranoi se zv.ministri i tij kishte pasur shkëmbime të dhënash me e – mail, me zyrtarë të Beogradit, por u mundua ta relativizonte rëndësinë e këtij spiunazhi. Disi nëpër dhëmbë deklaroi se nuk e kishte shkarkuar sepse ai ishte i “emëruar politik,” me pak fjalë pjesë e koalicionit qeverisës dhe çfarëdo veprimi që do të ishte ndërmarrë, do të prishte ekuilibrin e koalicionit qeverisës.

Spiunazhi i këtij zv.ministri në fakt, shpërfaq një gjendje shumëdimensionale të shtetit të Kosovës.

Së pari përcjell mesazhin dhe realitetin se kushdo që është nga komuniteti serb, pavarësisht sa e rëndë është vepra penale që kryen kundër shtetit të Kosovës, ai nuk preket.

Raste të ngjashme kemi pasur pafund në Kosovën e pasluftës. Janë mbyllur sytë ndaj ish pjesëtarëve të forcave paramilitare që kanë kryer krime në Kosovë dhe disa prej tyre janë integruar në institucionet e Kosovës, ka gjykatës e prokurorë të cilët punuan për regjimin duke dënuar shqiptarët, por sot ende janë të lirë të ushtrojnë këtë profesion pikërisht në institucionet e Kosovës.

Askush nuk u mor deri tani me të shkuarën e njerëzve të cilëve ju besohen poste të rëndësishme. Kjo është e nevojshme në një shoqëri të pasluftës. Kujtoni Gjermaninë dhe denazifikimin sa për të bërë krahasimin.

Së dyti, ne emër të ruajtjes së koalicionit, fshihet çfarëdolloj krimi. Çfarë tjetër është në gjendje të fshehë e të tolerojë kjo qeveri, vetëm e vetëm për të qëndruar në pushtet, deri ku mund t’ia fusë dikush thikën në shpinë shtetit, që kjo qeveri të thotë mjaft më. Sot Beogradi ka në dorë të gjitha detajet e armatimit të FSK-së, ushtrisë së ardhshme të Kosovës dhe i ka marrë nga një zv.ministër i cili punon për institucionet e Kosovës, por që nuk përmbush kriterin themelor për këtë, besnikërinë ndaj institucioneve të Kosovës. Kjo besnikëri është e sanksionuar me ligjet e shtetit, Ligji për FSK-në, dhe Kodi Penal për ata që nuk i respektojnë.

Problemi i tretë që shpërfaq skandali i spiunazhit të zv.ministrit Filipovic, është edhe më i rëndësishmi. Ka të bëjë me filozofinë e ndërtimit të shtetit multietnik, ku kuotat për minoritet janë bërë dhunuese të standardeve të sigurisë. Rezultati?- Një Shtet tërësisht i dekonspiruar. Unë jam për integrimin e minoritetit serb në institucione, por t’ju besosh pikat kyçe të sigurisë, më duket papjekuri dhe e rrezikshme për momentin. Nuk do shumë mend për të kuptuar se ende shumica e këtyre zyrtareve punojnë për Serbinë, dhe këtë përmes shkeljes së ligjeve të Kosovës; afeksioni i tyre për Serbinë është i kuptueshëm, por shkelja e ligjit e patolerueshme. Shenjat janë të qarta, ka pasur rast p.sh që njëri prej politikanëve serbë e la mandatin e deputetit, për tu bërë zv.ministër i brendshëm. Lidhja është logjike, pozitë e rëndësishme për tu informuar rreth çështjeve të sigurisë.

Askush prej deputetëve të tjerë në Kuvendin e Kosovës nuk do ta linte mandatin për tu bërë diku zv.ministër. Një zv. komandant i Policisë së Kosovës është gjithashtu nga komuniteti serb, sërish, ne zemër të informacioneve të sigurisë. Problemi madhor është se të gjitha këto poste janë dhënë me filozofinë që të dukemi zemërgjerë përpara ndërkombëtareve, në mënyrë që të mbulohet dështimi i qeveritarëve. Në rastin e zv.ministrave, që në një qeveri të vogël si Kosova janë plotësisht të panevojshëm, Hashim Thaçi i bëri për t’i rehatuar shpirtrat e trazuar për pushtet, 40 zv.ministra dhe qindra këshilltarë të tyre.

Dimensioni i katërt i problemit në fjalë, pra spiunazhit dhe dekonspirimit të shtetit lidhet domosdoshmërisht me marrëveshjen Kosovë-Serbi të arritur në Bruksel. Në këtë marrëveshje thuhet tekstualisht se strukturat ilegale që kanë vepruar në veri do të inkuadrohen në strukturat e sigurisë. Të kujtojmë tani, formacione të tilla ilegale dhe kriminale si Rojet e Urës, forcat e MUP-it, Mbrojtja civile, BIA etj, që prej 14 viteve e kanë shndërruar Mitrovicën në vendin ideal të krimit të organizuar, që kanë hedhur bomba për çdo natë duke vrarë e plagosur njerëz, që mbajnë gjithë qytetarët nën terror, që kontrollojnë kontrabandën, që kanë vrarë e përzënë shqiptarët pas luftës nga shtëpitë e tyre. Të gjithë këta, si me shkop magjik do të hyjnë në institucionet e Kosovës. Nga ta pritet siguri, luftim i krimit, pritet të ndërmarrin aksione te koduara, të fshehta për të luftuar e kapur kriminelët. E në fakt kur ke njerëz të përfshirë në krim, kriminelët do të jenë të parët të informuar prej tyre.

Dimensioni pestë i skandalit të zv.ministrit që bën spiunazh ka të bëjë me pranimin si normale të diçkaje që është anormale. Kam marrë shumë komente gjatë këtyre ditëve që vijnë nga qytetarë të zakonshëm, të tilla si ky zv.ministër nuk është i pari që spiunon, që si ky ka plot, që pak a shumë kështu bëjnë të gjithë. Në çdo vend normal, veprimi i zv.ministrit serb do të trondiste themelet e çdo qeverie, do të ngrinte mediat në këmbë, shoqërinë civile, Parlamentin, të gjithë. Në Kosovë qeveria edhe pasi skandali u bë publik, po hesht, po e mbulon krimin, po bën vepër penale të moskallëzimit të krimit. Deputetët, përfaqësuesit e popullit fusin kokën në rërë si struci, ndërsa mediat me ndonjë përjashtim të vogël, nuk ju duket se ky skandal përbën lajm.

Në Kosovë ka kohë që njerëzit nuk distancohen nga krimi, sepse përsëritja e vazhdueshme e ka kthyer tashmë në diçka të pranuar, në normë, në pjesë të kulturës tonë. Shembulli më tipik i kësaj situate ku anormalja pranohet si normë është veriu i Kosovës, ku mosrespektimi i ligjit nga qytetarët serbë u tolerua për 14 vjet nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Dihen konsekuencat e kësaj, na solli tek dialogu politik, një përpjekje e djallëzuar për të zgjidhur atë që u konstruktua me qëllim, që u bë kulturë sjelljeje.

Dhe kultura është ajo që krijon identitetet, identitetet tona si individë por mbi të gjitha identitetin tonë shtetëror. Ne sot si qytetarë të shtetit tonë kemi humbur pritshmëritë nga sistemi, ndërsa të tjerët kanë humbur pritshmërinë për shtetin tonë. Kjo është për t’u alarmuar.

Në trend

Më shumë
Qeveria e Kosovës me draft-statut për Asociacionin frymëzuar nga FES, do ta dorëzojë në Kushtetuese

Qeveria e Kosovës me draft-statut për Asociacionin frymëzuar nga FES, do ta dorëzojë në Kushtetuese

Lajme
Flet i dyshuari që plagosi kryeministrin sllovak - tregon motivin pse e kreu atentatin ndaj Ficos

Flet i dyshuari që plagosi kryeministrin sllovak - tregon motivin pse e kreu atentatin ndaj Ficos

Evropa
Vrasja e policit në Fier, momenti kur Azgan Mërnica vetëdorëzohet duke qeshur

Vrasja e policit në Fier, momenti kur Azgan Mërnica vetëdorëzohet duke qeshur

Lajme
Është më i vogël se një fushë futbolli dhe ka 1000 banorë: Shikoni si duket ishulli më i populluar në botë

Është më i vogël se një fushë futbolli dhe ka 1000 banorë: Shikoni si duket ishulli më i populluar në botë

Afrika

"SHBA të çojë dronë në Kosovë", Serwer: Vuçiq do "Serbinë e madhe", Asociacioni pas njohjes së Kosovës nga Serbia

Lajme
Bruno Fernandes zbulonte të ardhmen, por intervista e tij ndërpritet nga Ten Hag

Bruno Fernandes zbulonte të ardhmen, por intervista e tij ndërpritet nga Ten Hag

Premier League
Kalo në kategori