LAJMI I FUNDIT:

Shtegu ‘Via Dinarika’ përmirësohet dita-ditës – nga zhvillimi i saj po përfitojnë edhe vizitorët

Shtegu ‘Via Dinarika’ përmirësohet dita-ditës – nga zhvillimi i saj po përfitojnë edhe vizitorët

Është ora 11:00 e një të hëne të qetë. Në fshatin Rekë të Allagës në malet e Rugovës duket sikur panjat e gjelbra do t’i lagë shiu nga çasti në çast.

Fetije Nikiqi po fillon përgatitjet për flinë me djathë, ndërsa Hozefa Indorevala e hedh shikimin drejt qiellit duke menduar miqtë e tij. Sa lart do të jenë ngjitur vallë? Kushedi sa do të jenë lagur deri sa të kthehen nga ngjitja e të vijnë për të ngrënë drekë!


Fetija është 46 vjeç, ndërsa i shoqi, Mustafai është 58. Së bashku ata kanë një bujtinë të vogël në Shtegun Dinarik, që ndryshe njihet me emrin “Via Dinarika”, dhe që kalon në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Hozefa është një djalë 29 vjeçar nga Gjermania, i cili punon si inxhinier softueri. Ai ka ardhur në këtë zonë për t’u ngjitur në Aplet Dinarike duke filluar nga Thethi në Shqipëri e duke kaluar në Plavë në Mal të Zi, sërish në Theth e më pas në Rekën e Allagës në Kosovë.

Shtigje të përmirësuara në të mirë të të gjithëve

Hozefa dhe gjashtë miqtë e tij janë brezi i parë i ngjitësve që po përdorin shtigjet e sapopastruara në Kosovë. Këto shtigje kanë tashmë jo vetëm shenjat e duhura, por edhe lidhjen me sistemin GPS, që u tregon përdoruesve vendndodhjen e tyre të saktë. Shtigjet u bënë të përdorshme në qershor të këtij viti nëpërmjet një skeme grantesh për turizmin me fonde të BE-së e të vënë në zbatim nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

“Financimi që morëm na ndihmoi të zhvillonim tetë pjesë të reja të Via Dinarikës, duke lidhur më mirë Kosovën me Shqipërinë dhe me Malin e Zi, por edhe duke përmirësuar përvojën dhe përjetimin e ngjitësve dhe vizitorëve. Pesëdhjetë kilometrat që hapëm së fundmi, lidhen me rreth 65 kilometra të Via Dinarikës në Kosovë, me 115 kilometra në Shqipëri dhe 315 kilometra në Mal të Zi duke krijuar një rrjet të tërë, të cilin mund ta përdorin vizitorët për të eksploruar pjesë të ndryshme të Bjeshkëve të Namuna”, na tregon Gramen Taraku nga Fondi i Zhvillimit të Komunitetit, një nga përfituesit e granteve të RCC-së.

Tërheqja që solli autenticitet

Për Hozefën është vizita e parë në Ballkanin Perëndimor.

“Për herë të parë kam patur mundësinë të takohem me të rinj nga Ballkani, kur isha në universitet dhe që atëherë gjithnjë kam dashur të vija në rajon, pasi më duket disi e mistershme kjo zonë”, thotë ai.

Ai na tregon që Via Dinarika po i tejkalon pritshmëritë që kishte krijuar përpara se të vinte.

“Këtu natyra është e virgjër dhe e gjithë zona ka shumë më pak turistë e vizitorë se sa Alpet Evropiane. Ballkani është fantastik. Në fshatrat ku ndalojmë, takojmë njerëz si Fetija dhe Mustafai, që ndajnë me ne ushqimin e mrekullueshëm të zonës. Sot në mëngjes Mustafai moli lopët dhe solli 25 litra qumësht në shtëpi, kështu që ne do të kemi mundësi të hamë fli me djathë të bërë nga qumështi i freskët. A nuk është fantastike kjo gjë?”, thotë Hozefa.

Si fillim, ai kishte menduar të bënte një udhëtim malor me biçikletë, por plani i çiklizmit u anulua, kështu që ai u bashkua me disa shokë dhe tani po bën udhëtimin e tij të parë me ngjitje. Hozefa vendosi të pushonte një ditë, ndërsa miqtë e tij u nisën të provonin një pjesë të re të shtegut, e cila u bë e mundur me ndihmën dhe mbështetjen e RCC-së. Kur u kthyen nga ngjitja, miqtë e tij ishin bërë qull dhe kishin uri, por arritën tamam në kohë për të ngrënë fli, djathë, mish qengji e perime të gatuara për mrekulli. A mund të kishte vizitorë më të kënaqur se ta?

Me përmirësimin e shtigjeve rritet dhe zhvillohet aktiviteti ekonomik në zonë

Fetija dhe Mustafai nuk ishin marrë më turizëm më parë. Fetija kujdesej për shtëpinë dhe familjen, ndërsa Mustafai punonte në ndërtim, me njohuri shumë të mira të gjermanishtes për shkak të periudhës që kishte punuar në Zvicër. Në të shkuarën ata jetonin në Pejë, në qytetin që gjendet në rrëzë të Malit të Rugovës.

Pothuajse dymbëdhjetë vite më parë, Mustafai vendosi të rikthehej në zonën malore e të rindërtonte fermën e familjes. Një mik u kishte dhënë idenë që të bënin fli e t’ua shisnin atë kalimtarëve, të cilëve gjatë ngjitjes u binte rruga andej. Dhe kështu, pak nga pak, u formësua ideja për të ndërtuar një han për udhëtarët.

Më pas, Fetija dhe Mustafai filluan të ofronin një menu më të pasur, si edhe më shumë shtretër për ngjitësit që donin të kalonin natën aty.

“Në fillim nuk kishim shtretër të tjerë përveç tonit. Megjithatë kishim dyshekë, në të cilët mund të flinin deri në katër vetë. Por me shtimin e turistëve që bëjnë ngjitje në këtë zonë, ne filluam të shtonim numrin e shtretërve. Mbrapa shtëpisë sonë kemi ndërtuar edhe një shtëpi tjetër, ku mund të qëndrojnë deri në 65 vetë çdo natë. Nuk e kemi arritur ende kapacitetin e plotë, por darka kemi shtruar edhe për grupe me 50 vetë”, tregon Fetija.

Planet për të ardhmen

Me zhvillimin e shtigjeve dhe me promovimin e zonës Fetija mendon se numri i vizitorëve do të rritet gjithnjë e më shumë.

“Sipas llogaritjeve që kemi bërë, ne besojmë se deri në pesë vitet e ardhshme do të na duhen edhe 22 shtretër të tjerë, si edhe më shumë njerëz që të punojnë tek ne”, tha ajo.

Tani për tani, Fetija dhe Mustafai kanë ndihmën e vëllait të Mustafait dhe të nuses së tij. Edhe fëmijët, përkatësisht 14 dhe 16 vjeç, punojnë me ta por vetëm gjatë periudhës së verës. Megjithatë, në të ardhmen, me rritjen e numrit të vizitorëve ata do të kenë patjetër nevojë të marrin në punë punëtorë që t’i ndihmojnë me aktivitetin.

Këtë çështje na e risolli në vëmendje edhe Nazmi Hasanramaj, i cili është udhërrëfyes dhe shoqëron vizitorë që bëjnë ngjitje në zonën e Rekës së Allagës.

“Gjatë sezonit nuk kemi numër të mjaftueshëm udhëzuesish. Unë e kam filluar këtë punë në vitin 2005. Në fillim gjërat ecnin ngadalë, por herë pas here e shikojmë që mungojnë guidat profesionalë, dmth guida të trajnuar e që të kenë kualifikimet e duhura”, thotë Hasanramaj.

Kjo do të jetë fusha, ku Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, me mbështetjen e BE-së mbështesë vendet e rajonit. RCC-ja do të vijojë me përmirësimin e infrastrukturës së zonës dhe me promovimin e të gjithë shtegut “Via Dinarika” që përshkon Ballkanin Perëndimor. RCC-ja vazhdon të japë ndihmën e vet për ngritjen e një strukture rajonale për menaxhimin e Via Dinarikës. Po ashtu, do të ndihmojë edhe me trajnimin e udhërrëfyesve, që janë kaq të nevojshëm për promovimin e mëtejshëm të zonës. /Telegrafi/