LAJMI I FUNDIT:

Shqiptari vritet nga anëtari i “Agimit të Artë”

Shqiptari vritet nga anëtari i “Agimit të Artë”

Mediat greke kanë publikuar identitetin e shqiptarit të vrarë në Korfuz më 25 Nëntor. Viktima është Petrit Zifle 63 vjeç.

Autori i krimit është një 44-vjeçar banor i zonës, i cili u arrestua pak ditë pas vrasjes. Ai pranoi krimin para hetuesve, ndërsa gjykata e ka lënë në burg. Shtypi grek shkruan sot se autori është një anëtar i partisë naziste “Agimi i Artë”.


Ai madje ka qenë përfaqësues i “Agimit të Artë” në zgjedhjet që janë mbajtur në fshatin Lefkimi të Korfuzit.

Konflikti mes 63-vjeçarit Zifle dhe autorit nisi në një lokal të zonës. Sipas mediave vendase, 44-vjeçari ishte përfshirë në një bisedë me të pranishmit për çështjen e emrit të Maqedonisë duke marrë shkas nga marrëveshja mes dy vendeve. Ai ofendonte Maqedoninë dhe qytetarët e tjerë jo grekë. Në këtë pikë të debatit ndërhyri edhe shqiptari Petrit Zifle. Mes të dyve nisi konflikti, ndërsa 44-vjeçari e kërcënoi me vrasje. Për të ndarë sherrin ndërhynë klientët e tjerë që ndodheshin në lokal.

Por, 44-vjeçari anëtar i “Agimit të Artë” ishte larguar dhe kishte shkuar të merrte armën. Ai i ngriti kurth 63-vjeçarit dhe e qëlloi për vdekje me çifte.

Më pas trupin e tij e kishte hedhur në një kanal në anë të rrugës, që u gjet një ditë më pas nga kalimtarë të rastit. Banorët e zonës thanë se shqiptari Petrit Zifle jetonte prej vitesh në Korfuz dhe nuk kishte konflikte me askënd. Mediat lokale kanë ngritur problemin e personave me prirje nacionaliste, sikurse janë ata të “Agimit të Artë”, ndërsa vdekjen e shqiptarit e kanë konsideruar si një “vrasje fashiste”.