LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët largohen nga dyqanet e lagjes apo kafenetë, investojnë në TIK

Shqiptarët largohen nga dyqanet e lagjes apo kafenetë, investojnë në TIK

Shqiptarët përherë e më shumë po heqin dorë nga hapja e një dyqani të vogël në lagje apo kafeneve. Lulëzimi i zinxhirëve të supermarketeve apo linjat e organizuara të bareve nga njëra anë, me rënien e konsumit ka tjetra po zbehin interesin për këto kategori investimesh.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i ndërmarrjeve të shërbimit ushqimor është pakësuar me gati 3 mijë e 400 në gjashtë vitet e fundit.


“Unë do ta quaja një lajm të mirë në fakt sepse gati 43 për qind e regjistrit të sipërmarrjeve në Shqipëri zihet nga tregtia. Pra veç bareve dhe restoranteve ka ardhur koha që të kemi sipërmarrje më kreative, më të qëndrueshme sfidave dhe faktorëve që na vijnë si pasojë e zhvillimeve globale”, thotë për A2 CNN Daniel Guçe, konsulent investimesh.

Ndërkohë, në vend a nisur të fryjë era e sipërmarrjeve më përparimtare. Të dhënat na tregojnë se në Tiranë, aty ku është përqendruar pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik, investimet e reja po kryhen në drejtim të teknologjisë së informacionit, konsulencës, kontabilitetit apo aktivitetet e shëndetit.

Për ekspertin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, njëherazi konsulent investimesh, Daniel Guçe, potencial për investime të qëndrueshme shfaq edhe turizmi me inovacionin.

“Janë dy sektorë ku jo vetëm të rinjtë, po gjithkush mund të investojë. Ka edhe mbështetje direkte nga brenda dhe jashtë ku mund të përfitohet financim”, thotë Guçe.

Për të arritur difersifikimi dhe kapërcimin e kufijve, investimet e reja kanë nevojë për burime të kualifikuara njerëzore thonë ekspertë të fushës. Ndaj sipas tyre, universitetet duhet të marrin më shumë rol duke përditësuar edhe kurikulat mësimore.