LAJMI I FUNDIT:

Shqiponjat serbe kanë vrima si djathi zviceran

Shqiponjat serbe kanë vrima si djathi zviceran

Nga: Dragan Bursaq / Autonomia.info
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kështu përfundon shteti që dërgon futbollistët për të mbrojtur ortodoksinë, në vend se të luajnë futboll; shteti që dërgon një trajner për të fyer lojtarët kundërshtarë me gjuhë fashisto-raciste, në vend se të stërviste ekipin e vet. E mundur, e turpëruar, e frustruar, e zemëruar me botën – në vend të vetvetes.


Dhe, gjithçka mbaron tek ajo fjalia e shëmtuar e ish-legjendës së futbollit, tash trajnerit fatkeq të Serbisë, Dragan Stojkoviq Piksi, me të cilën u drejtohet nënave të futbollistëve zviceranë.

“Ua q… nënën shqiptare në p…!”, bërtiti Piksi – me sa duket duke aluduar te origjina shqiptare e disa lojtarëve zviceranë – teksa demonstronte një shkallë të lartë të racizmit dhe të protofashizmit të prapambetur dhe primitiv personal.

Për ata që nuk e dinë, në përfaqësuesen zvicerane të Murat Yakinit janë tre lojtarë me origjinë shqiptare – Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Ardon Jashari.

Por, kjo këtu ka më së paku rëndësi.

Rëndësi ka motivi, rëndësi ka prapavija, e rëndësishme është gjendja shpirtërore e trajnerit serb dhe e një pjese të mirë të kombit, e gjithë paraekspertëve sportivë të cilëve urrejtja ndaj shqiptarëve ua ka mjegulluar tërësisht ndërgjegjen, ua ka konsumuar atë pak tru dhe ua ka bërë logjikën të pakuptimtë. Edhe një personi mesatar dhe të painteresuar – që ndjek sportin sipërfaqësisht – i dukej se Serbia luante kundër Shqipërisë apo Kosovës, jo kundër Zvicrës. Dhe, kjo jo për shkak të futbollistëve zviceranë, por për shkak të opinionit publik serb. Kështu, mediat në Serbi dhe jo vetëm ato sportive, e nxehën atmosferën deri te shkëlqimi i sëmurë nacionalist që u kthye në linç mediatik ndaj zviceranëve.

Por, e përsëris sërish, këtu më së paku është fjala për sport – nëse ka diçka sportive te Piksi që është kthyer në një lloj të mjerimit nacionalist, dhe nëse ka ndonjë gjë sportive te mediat e Serbisë të cilat, kujdes tani, thanë se kjo kombëtare do të mbrojë ortodoksinë në kampionatin botëror në Katar (sic.!).

Do të ishte e logjikshme që ai të shkonte të luante futboll, por jo: në vendin e spektaklit të të varfërve në të cilin kriminelët e luftës dhe pjesëmarrësit në programe të çuditshme televizive janë të vetmet yje; në vendin në të cilin presidenti neurotik Vuçiq në të njëjtën mënyrë kontrollon gjithë shtetin, është goxha e pritshme që kombëtarja e futbollit në vend të futbollit të shkojë të shenjtërojë, të mbrojë, të predikojë, të betohet dhe të shajë; shkon të mbrojë ortodoksinë dhe ngjitet në mejdanin e myslimanëve, katolikëve dhe gjithë të tjerëve në botën e keqe. Me një fjalë, e kemi në veprim mesjetën digjitale me gjithë shkëlqimin apo dëshpërimin e saj, si doni merreni.

Kombëtarja e Serbisë, objektivisht nuk tregoi asgjë dhe portieri që ka marrë tetë gola në tri ndeshje në kampionat, ishte lojtari më i mirë – gjë që mendoj se flet shumë për pafuqinë, atë sportive. Por, kjo është krejtësisht e parëndësishme, sepse ky është një sport dhe në sport ka ulje-ngritje. Përsëri, në vend të sportit, ne mund të shihnim pothuajse gjithçka – nga pretorianët e Vuçiqit në tribuna, deri te skandalet e çuditshme seksuale të futbollistëve. Dhe, gjithçka, edhe në Katar, kishte erën e Serbisë radikale. Publiku më shumë merrej me prostitucion, me suingerë e marifete tjera – sigurisht “për mbrojtjen e Kosovës dhe të vendeve të shenjta” – sesa me ndeshjet. Me një fjalë, Serbia u paraqit para botës pikërisht ashtu siç është.

Pastaj, në mënyrë shumë logjike, ndeshjet ishin siç ishin – ngjanin me gjithçka pos me futboll. Këta të rinj me fanella serbe nuk janë në lartësinë e detyrës, sepse si shumë sportistë tjerë janë kthyer në punonjës të Vuçiqit dhe në propagandues të tij në fushë. Prandaj, pritet që Vuçiqi, personalisht, në fjalimin e tij patetik do të marrë përgjegjësinë për dështimin e futbollit të Serbisë, edhe pse askush nuk ia kërkon një gjë të tillë. Por, ai është pronar i tokës me gjithë popullin dhe pronën e paluajtshme, ndaj sillet në atë mënyrë. Natyrisht, do ta bëjë këtë mes shpërthimeve të zemërimit ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të cilin e quan terrorist dhe llum.

Në fund të fundit, ky është diskursi; është realiteti ky dhe spektakli në të. Nëse presidenti abuzon çdo natë me ganglionet tua të trurit me historinë për Kosovën serbe, nëse akademitë e fuqishme të shkencës për dekada me radhë bëjnë gjithçka për t’i kthyer shqiptarët në qenie subhumane dhe inferiore, nëse përzgjedhësi para kamerave shqipton si fjali normale atë të cilën e tha për “nënat shqiptare”, atëherë futbollistët në fushë janë vetëm një dorë e zgjatur e së keqes që mbretëron rreth tyre; të keqes që është grumbulluar aq shumë në Serbi saqë thjesht nuk di më ku është dhe çfarë është.

Në njërën anë, Aleksandar Vulini mban BIA-në në emër të rusëve; nga ana tjetër, Vuçiqi për çdo mbrëmje në prime-time “e kthen Kosovën”; nga ana e tretë janë servilët rusofilë që jetojnë në mjerim dhe iluzione; dhe, nga ana e katërt, janë njerëzit e fuqishëm të spektaklit, sikurse futbollistët e rinj, të cilët janë produkt i gjithë kësaj. Kjo është anamneza.

Pra, eliminimi nga Botërori është më e pakta që i ka ndodhur Serbisë. Ajo natë do të kalojë dhe të gjithë në fund do të shkojnë në shtëpi të mundur, përveç kampionit. Dallimi është se kombëtaret dhe kombet tjera po i kthehen jetës së denjë për njeriun dhe Serbia, pas disfatës nga Zvicra – e cila u lexua si disfatë nga Kosova – po i kthehet vetes, një njeriu dhe një pusi plot me demonë të brendshëm.

Dhe, kjo është arsyeja se pse futbolli është sport i rrezikshëm për kombet që jetojnë në neurozën e tyre të pajetuar dhe të shtypur; për ata që eksesi dhe ekstremizmi janë gjendja e natyrshme e gjërave. Krimineli Sllobodan Millosheviq dikur tha se serbët së paku “dinë të luftojnë”, ndoshta duke aluduar se pas ngrënies epike të rrënjëve të veta, vetëm kaq u kishte mbetur. Në botën ku sot jetojnë serbët dhe Serbia, ka ndodhur që popujt e tillë të përçmohen nga qytetërimi. Nuk është përbuzje, sa është keqardhje.

A ka ndonjë model social, a ka ndonjë sociometri që do të jepte diagnozën, që do të bënte prerje dhe më pas shërim? Kam frikë se u largua për pa kthim ai treni me Xhingjiqin e vdekur.

Dhe, fakti se ranë shqiponjat serbe, ky është problemi më i vogël në gjithë këtë histori të trishtë për një shoqëri të varfër, të ndërtuar nga mitet dhe të pavërtetat, që ia ngulit thellë sytë vetes e që nuk e sheh pjesën tjetër të planetit, për çfarë edhe sillet kështu. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori