LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria me shumë barriera për bizneset nga Kosova

Shqipëria me shumë barriera për bizneset nga Kosova

Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar në mes Kosovës dhe Shqipërisë është më i dobët se ai në rrafshin politik.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka thënë se tregu i Shqipërisë nuk është mikpritës i mirë për produktet që prodhohen në Kosovë.


Ai ka theksuar se importi i produkteve shqiptare në Kosovë arrin në vlerën prej 100 milionë euro, derisa vlera e produkteve të eksportuara nga Kosova në Shqipëri shkon në jo më shumë se 35 milionë euro.

“Kosova me Shqipërinë ka një marrëveshje për tregtinë e lirë, që është e bazuar në marrëveshjen e CEFTA-s. Problemi është që kemi problem me zbatimin e marrëveshjes nga pala shqiptare. Patatja e Kosovës ka probleme për të depërtuar në Shqipëri, pastaj birra e Pejës, mielli, barnat dhe shumë produkte tjera”, ka theksuar Panxha.

Sipas tij, marrëveshja në Korçë, respektivisht zhvendosja e doganës në portin e Durrësit nuk ndikon në rritjen e shkëmbimit tregtar.

“Gjatë verës nëse ne i vonojmë frutat nëpër dogana, ato mund të prishen shumë shpejt. Keq që akuzohen bizneset e Kosovës që po bëjnë probleme në aspektin e bashkëpunimit”, ka theksuar ai.

Astrit Panxha ka folur edhe për akuzat e ministrit të Diasporës të Shqipërisë, Pandeli Majko, i cili ka thënë se biznesi po e pengon rritjen e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se bizneset e Kosovës që veprojnë në Shqipëri, ankohen vazhdimisht se nuk janë të mbrojtur dhe kanë probleme. /Telegrafi/