LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria shton sigurinë, ndaj suleve terroriste

Shqipëria shton sigurinë, ndaj suleve terroriste

Sulmet terroriste në disa qytete të Europës dhe kërcënimet për sulme të tjera nga ISIS, kanë bërë që Policia e Shtetit të marrë masa shtesë në fushën e sigurisë publike, krimit të organizuar, krimet e rënda dhe kufirit.

Kështu, do të ketë shtim të prezencës policore me uniformë dhe agjentëve në terren, si dhe do të forcohen masat e kontrollit gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje masive kulturore-sportive, qendra tregtare, objekte me rëndësi strategjike dhe siguria e trupit diplomatik. Gjithashtu, do të forcohen masat e kontrollit në Pikat e Kalimit Kufitar si portet dhe aeroporti, por edhe në kufirin e gjelbërt për personat që konsiderohen me risk, që dyshohet se lëvizin me mjete dhe sende të kundraligjshme.


Edhe strukturat e Antiterrorit po punojnë intensivisht në terren për mbajtjen nën kontroll të personave me risk, me prirje radikale, por edhe lidhjet e tyre. Uniformat blu kanë intensifikuar bashkëpunimin me Prokurorinë, SHISH dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për shkëmbimin e ndjekjen në kohë të çdo informacioni për veprimtari kriminale me sfond terrorist, me qëllim parandalimin, zbulimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar.

Po ashtu, policia fton qytetarët që për çdo dyshim për persona objekt i kësaj veprimtarie të denoncojnë në numrat 112 dhe 129. /Telegrafi/