LAJMI I FUNDIT:

Shpend Xani, aktrimi, sukseset dhe ëndrra amerikane

Shpend Xani, aktrimi, sukseset dhe ëndrra amerikane

Gjithçka për fillimet e para në artin skenik, jetën e tij në Amerikë, projektet e afërta dhe periudhën e ‘artë’ që po përjeton në aktrim

Shpend Xani është padyshim një prej aktorëve të suksesshëm të teatrit dhe filmit. Interesant është këndvështrimi i tij mbi artin dhe frymëzimet që ka ky kur fjala vjen për t’u shprehur përmes talentit të tij artistik.

Ne jemi ndalur në një intervistë për të kuptuar më shumë rreth tij.

Intervistoi: Lumturije Beka

Jeni larguar nga Kosova në vitin 1999, me vetëm një diplomë të Universitetit të Prishtinës, por me një talent të fuqishëm dhe aftësi unike prej zanatit të aktorit. Ka qenë i vështirë vendimi për t’u larguar nga Kosova drejt të shtetit të panjohur?

Natyrisht që ka qenë shumë vështirë, sepse nuk jam larguar me vetdëshirë. Jam dëbuar me familje, si shumë të tjerë, nga Kosova. Të plaçkitur, shtëpi të djegur dhe pa njërin prind. Pas çlirimit, jam kthyer në vitin 2000 dhe kam mbaruar provimet që më patën mbetur gjatë luftës. Pastaj, jam kthyer prapë në Amerikë dhe kam vazhduar studimet më tutje.

Cilat kanë qenë sfidat me të cilat jeni përballur më së shumti, gjatë rrugëtimit tuaj?

Ka shumë sfida, prej atyre financiare deri tek ato emocionale. Si gjeneratë e parë emigranti në Amerikë është vështirë, sepse çdo gjë është e re dhe panjohur. Është kulturë dhe stil ndryshe i jetesës. Përderisa, mundohesh që të gjesh vetveten në një shoqëri të re, mungesa e informatave rreth profesionit dhe jetës në përgjithësi, e bënë të vështirë dhe e vonon kyçjen në profesion.

Kush ju ka ndihmuar më së shumti, për të ecur në këtë rrugë që keni nisur, dhe sa ka qenë e vështirë arritja e qëllimit tuaj drejtë suksesit që keni arritur, si një aktor i suksesshëm shqiptar në një shtet të fuqishëm siç është Amerika?

Ndihmën dhe përkrahjen më të madhe e kam pas nga familja dhe gruaja Besa. Nëse ju e konsideroni sukses, atëherë, meritat e këtij suksesi i ka Besa, sepse pa ndihmën e saj, si nga aspekti artistik edhe emocional, nuk do të isha këtu ku jam sot. Por sinqerisht ka shumë njerëz, profesorë e shoqëri, që u jam mirënjohës për përkrahjen, do ta veçoja ambasadoren Vlora Çitaku, e cila vazhdimisht i ka përcjellë shfaqjet e mia dhe më ka përkrahur.

A mund të na i përshkruani fillimet e para në artin skenik?

Unë kam filluar studimet në Fakultetin e Arteve me 1996, në klasën e profesor Fadil Hysajt. Për shkak të rrethanave politike të asaj kohe, provat dhe shfaqjet i kemi mbajtur në teatrin e vetëm të qytetit që kishim atëherë, teatrin Dodona. Ndërsa, Teatri Kombëtar ka qenë në masa të dhunshme, kur kam qenë unë student, dhe gjithmonë kam pasur dëshirë të kthehem dhe të luaj një shfaqje, aty ku gjatë okupimit e kemi pasur të ndaluar. Dëshiroj dhe shpresoj që së shpejti ta kem një premierë në Prishtinë.

Cili ishte gjykimi që i dhatë vetvetes që të ushqeni dëshirën e të bëheni një aktor i suksesshëm në një shtet të huaj?

Nuk kam ndonjë formulë apo përgjigje intelektuale, por do të mundohem të përgjigjem. Profesioni i aktorit nuk është i lehtë dhe “glamorous” si mund të duket në shikim të parë. Në fakt, është një profesion ku çfarëdo suksesi është shumë vështirë për t’u arritur, por edhe më vështirë për ta mbajtur. Arti është stil i jetës. Në njëfarë mënyre, çdo ditë lidhet rreth artit dhe profesionit të aktorit. E vërteta është se unë gjithmonë e kam dashur dhe çmuar procesin e punës së aktorit, prej momentit kur përgatitem dhe analizoj rolin, pastaj procesi i provave e deri tek performanca në teatër. Të bësh një muaj prova dhe t’i luash 8 shfaqje në javë, për më shumë se një muaj rresht, duhet të kesh pasion dhe të përjetosh kënaqësi. Rrugëtimi i aktorit është maratonë pa fund, pa vijë finishi.

Krahas punës, keni ndjekur studimet në shumë universitete të njohura në ShBA. Si ja keni dalur me të dyja këto angazhime?

Duhet të kesh vullnet, dedikim dhe disiplinë, por në të njëjtën kohë duhet ta jetosh dhe t’i kënaqesh jetës së përditshme. Koha ecën, puna, mësimet dhe karriera nuk duhet ta definojnë jetën. Për mua, lumturia dhe përmbushja shpirtërore më japin energji të pafund. Megjithatë, kur punon dhe studion nuk mbetet kohë për kënaqësi të jetës, dhe është shumë lehtë të devijosh nga qëllimi. Mirëpo, siç ka thënë Meryl Streep, janë shumë t ë thjeshta gjërat që na bëjnë të lumtur: dashuri, seks dhe ushqim të mirë. Kjo ka qenë edhe formula ima. Tek e fundit kush jam unë të mos e marr këshillën e Meryl Streep..

Çka mund të na thoni lidhur me punën, përjetimet, pasi që aktori jeton për një kohë të gjatë me personazhin e vet prej fillimit të punën me provat deri tek shfaqjet në skenë, bile, bile, edhe pas tyre?

Siç thash edhe më parë, aktrimi është stil jetës. Zgjohesh herët në mëngjes për t’i përcjellur audicionet dhe bijë në gjumë vonë pasi që kthehesh nga performanca çdo natë. Kohën që e ke të lirë, mundohesh të kalosh me familje e shoqëri, ose kryen ndonjë angazhim tjetër, lexon materiale të reja, ose përpunon tekste për audicione. Jeta emocionale e karakterit në skenë ndonjëherë të ndjek pas edhe në shtëpi. Ka ndodhur që të punoj në dy shfaqje të ndryshme në të njëjtën periudhë dhe të punoj në dy karaktere të ndryshme brenda ditës, me javë të tëra. Nganjëherë nuk ke fare kohë për asgjë tjetër. Mirëpo, me gjitha sfidat, jam shumë mirënjohës që kam fatin dhe mundësinë të punoj në këtë profesion.

Z. Xani, e keni pritur këtë sukses tuajin si aktor, dhe sa ka patur rëndësi vetëbesimi në rrugën që keni zgjedhur?

Në aktrim vetëbesimi është shumë më rëndësi për të vazhduar krijimtarinë dhe të kesh balancë emocionale. Por, të njëjtën kohë, është pikërisht vetëbesimi që goditet pothuajse çdo ditë, në audicone dhe në refuzime të panumërta. Por, kjo është natyra e profesionit, të paktën në Amerikë.

A është e vështirë të punosh me regjisorë dhe producent të mëdhenj, dhe a janë ata njerëz të vështirë për të bashkëpunuar, apo në anën tjetër ua kanë lehtësuar punën?

Ende kam për të punuar me regjisorë e producentë super të mëdhenj, mirëpo kam pasur rastin të bashkëpunoj me disa regjisorë shumë të suksesshëm në Amerikë, si Michael Kahn, themelues i shkollës së Juliardit dhe Akademisë së Aktrimit Klasik ku edhe e kam bërë Masterin, pastaj me regjisorët Mark Wing Davey, Aaron Posner, etj. Gjithmonë është kënaqësi kur kam rastin të punoj me profesionistë dhe gjithmonë mësoj gjëra të reja nga ata.

Çka e llogaritni suksesin tuaj më të madh në karrierë?

E konsideroj vetën me fat, që kam mundësinë dhe shëndetin që të merrem me këtë profesion. E dua punën që e bëj, njerëzit që i takoj dhe gjërat që çdo ditë i mësoj nga ky profesion. Ky është sukses për mua.

Në cilët filma dhe shfaqje teatrale, jeni shfaqur më tepër?

Mundohem të gjejë bilancin mes të dyjave, por vitet e fundit kam punuar më shumë në teatër. Tani më mungon filmi, kështu që besoj të angazhohem më shumë në film këtë vit.

E pëlqeni më shumë teatrin apo filmin?

Të dyjat e komplimentojnë njëra-tjetrën dhe ndihem shumë më i kompletuar si aktor, kur më jepet rasti të punoj në film dhe në teatër.

Me gjykimin e tanishëm, cili është roli më i preferuar i juaj?

Nuk kam rol, film apo dramë të preferuar. Ka shumë që më pëlqejnë dhe nuk jam njëri prej atyre, që kanë vetëm një apo dy artistë, ushqim, ngjyrë, apo karakter të preferuar. Ka shumë që më pëlqejnë, varet nga momenti i caktuar. Në përgjithësi më pëlqejnë karakteret dhe projektet që më sfidojnë mua si aktor dhe e ngacmojnë audiencën.

Njiheni si një aktor energjetik dhe bashkëpunues, ku jeni shfaqur në shumë filma amerikanë dhe ndërkombëtarë. Ky epitet ju ka bërë edhe më të fuqishëm drejt suksesit që keni tashmë?

Aktrimi është profesion dhe punë kolektive, prandaj bashkëpunimi pozitiv dhe respekti ndaj punës dhe kolegëve është shumë i nevojshëm. Në çdo projekt punon me njerëz të ndryshëm. Në Amerikë, ka aq shumë aktorë, sa që gati kurrë nuk të bie të punosh më të njëjtit njerëz. Unë mundohem të fokusohem vetëm në punë dhe të krijoj energji pozitive dhe bashkëpunuese në raport me kolegët. Edhe filmi edhe teatri, janë punë grupore ku ndanë momente shumë intime me kolegë, që më parë nuk i ke njohur, prandaj kërkohet investim emocional dhe mirëkuptim. Gjithmonë, mundohem të krijoj atmosferë pozitive dhe harmoni mes kolegëve, dhe të respektoj opinionet e tyre. Të gjithë duhet të ndihemi të barabartë në ekip, prej atyre në prapaskenë e deri te aktorët kryesorë. Punës i ofroj disiplinë e kolegut bashkëpunim, respekt e mirëkuptim.

Krahas aktrimit, veçoheni nga aktorët tjerë edhe me pamjen interesante. Si do ta përshkruanit stilin tuaj?

E kam shumë bezdi të flas për vete, po kisha me thënë se si popull shqiptar kemi fytyra shumë interesante, mund të dukemi si shumë kombësi të ndryshme, e kjo më ka ndihmuar që të luaj role të ndryshme. Stili im është “upscale casual”, jeans and a t-shirt. Më pëlqen stili vintage, dhe nuk më pëlqejnë aspak kur duken logot ose emrat e brendit në rroba.

Të merresh me art është edhe pak sakrificë, sepse këtu nuk ka orar. Është e vështirë kjo për ju?

Nganjëherë është e lodhshme, sidomos kur më duhet të shkoj në ndonjë shtet tjetër me shfaqje apo xhirim dhe, ndodh që të mos vijë në shtëpi disa javë.

Jashtë skenës dhe angazhimeve, si nis një ditë e zakonshme për ju?

E kam si ritual që çdo ditë kafen e mëngjesit e pi duke shikuar një episod të ndonjë seriali, ha mëngjes të lehtë dhe shkoj në fitnes për një kohë të shkurtë, dhe pastaj vazhdon dita.

Cili është aktori juaj i preferuar, pasi që shumë aktor kanë idhujt e tyre?

Ka shumë, por pasi po insistoni, po i përmendi disa që më pëlqejnë, si Daniel Day-Lewis, Christian Bale, Bill Murray, Ian McKellen etj.

Çfarë jeni duke punuar momentalisht dhe cilat janë projektet që do t’i realizoni gjatë këtij viti?

Viti sapo ka filluar dhe për momentin jam duke punuar në disa projekte personale. Njëherë nuk kam asgjë të re për të lajmëruar.

Çfarë mendoni për Teatrin dhe Kinematografinë e Kosovës. A jemi në rrugën e duhur apo kemi ngecje?

Kosova ka shumë aktorë dhe regjisorë të talentuar. Kohëve të fundit jam shumë i lumtur me sukseset e filmit kosovar në botë. Qendra Kinematografike e Kosovës, ka bashkëprodhuar filma që na kanë bërë krenarë të gjithë shqiptarët. Padyshim, Kinematografia e Kosovës, ka bërë një kapërcim të madh pozitiv në arenën ndërkombëtare dhe rezultatet nuk kanë munguar, si p.sh., nominimi për Oscar i filmit “Shok” dhe shumë filma të tjerë, që kanë mare çmime nëpër festivalet më prestigjioze të filmit në botë. Të gjitha këto suksese të filmit kosovar më bëjnë shumë krenar.

Sa i përket teatrit, nuk mund të jap ndonjë opinion konkret, sepse ka kohë që nuk kam parë shfaqje teatrale në Kosovë. Zakonisht kur unë vijë në Kosovë verës, nuk ka shfaqje në repertoar, që është për keqardhje. Do të ishte mirë, sikur Prishtina si kryeqytet, të ketë teatrin e qytetit dhe kështu të përmbushet repertoari i qytetit, ku një vendas apo vizitor do të kishte mundësi që çdo ditë (edhe gjatë verës) të shikoj, në njërin prej teatrove, një shfaqje teatrale. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

Magazina
Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Botë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Magazina
Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Magazina
Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Magazina
Kalo në kategori