LAJMI I FUNDIT:

“Shpellarët” e Tiranës së… Erion Velisë

“Shpellarët” e Tiranës së… Erion Velisë

Cilësori “shpellar” që administratori i gati tetëqindmijë banorëve të kryeqytetit shqiptar, zotërija e tij Erion Veliaj quajti një tubë jo të vogël banorësh te Unaza e re, të cilëve ai ka vendosë t’ua shembë shtëpitë në këmbim të zgjerimit të Unazës me më shumë korsi, pa marrë përsipër thuajse asgjë për të ardhmen e afërme të atyre, që mbase qysh të nesërmen do të zbardhen të pastrehë, më solli ndërmend një persiatje dhe një ndodhi të herëshme, të cilat, po ua përcjell lexuesve të mij, falë me përulësi mirësisë së tyre.

Ngjarja, të cilën ma ka pasë tregue Besniku, miku im i ndjerë, është pak a shumë kjo: “Shkojmë nga Lezha në Gjinokastër – tregonte ai – një grup shokësh tifoza të skuadrës sonë me pa një ndeshje Besëlidhja-Luftëtari. Unë vetë i dyti me motoçikletë e të tjerët, që se kishin këtë mundsi të rrallë, me makina rasti e me ç’të mundnin. Ka qenë ajo kohë, kur tifozë të Vllaznisë niseshin nga Shkodra me biçikleta deri në Laç (65 km rrugë) e mandej hipnin në tren megjith biçikleta deri në Tiranë me pâ ndeshjet e ekipit të zemrës… Qoftë për atëherë… Fillon ndeshja, bajnë gol të parët vendasit. Ovacione në stadium. Shënojmë ne. Në stadium qetësi… Shënojnë vendasit për së dyti dhe stadiumi në kambë. Ne ulun, të ramë puplash prej entuzjasmit të deriatëhershëm. Prej ovacioneve, nji zâ shkëputet e drejtohet prej nesh: ‘Hë maloku i m… ta futëm ë.’ Dhe bënte atë shenjen me duar e me gishtin e mesit që ndërron pozicionin e zakonshëm, në raste si ky. Edhe ne të rí entuziastë si gjithë tifozëria, gjithashtu dhe prandaj s’më ndejti shpirti rehat e i kthehem tifozit gjinokastrit:


– Mirë, mor zot… po malok kah të dal unë ty ? Aty ku jetoj unë, nuk gjej një gur me gjujt qenin kur të më lëshohet me më hanger. Kurse jù këtu, i u asht dashtë me e bâjt dheun me shporta si kinezëve… me ba stadiumin. ”

Në rrethe miqsh, kemi qeshur deri së voni me ngjarjen, sa herë e kujtonim, që në vetvehte është krejt e rëndomtë, po e qeshura jonë vërtitej më shumë përreth batutës së mikut tonë, tashmë të ndjerë.

Ndërsa një diferencë serioze deri në diskriminim, që përtej propagandës zhvillohej në terrenin e brendshëm të nomeklaturës karshi veriorëve “malokë” qe ekzistente përgjatë gjithë kohës së regjimit komunist. Blatimi i kësaj sjellje u shfaq si platformë ideologjike e mandej sociale që në instalimin e regjimit. Filloi me persekutimin dhe eliminimin e shtresave më të ndriçuara intelektuale e vijoi pastaj pa ndërprerje si “damka” ideologjike e sociale me persekuime masive, veçanërisht të popullatës veriore.

Edhe më heret, mjaft më heret, asokohe kur mbruhej shteti shqiptar, në fillesën e jetës politike parlamentare, “thumbimi” gegë e toskë ka qenë permanent. Kryesisht në aulat e më tepër në kafehanet e jetës politike, gjithherë të tendosur. Preteksti i lindjes së veprës së shënuar satirike të Gjergj Fishtës “Gomari i Babatasit” botuar më pas nën emrin autorial: Gegë Toska, sipas njërit prej varianteve që tregohet, ishte ai i një loje shahu ndërmjet tij dhe Dhimtër Beratit, parlamentar zogist, njeri shumë i kulturuar dhe personazh shumë i rëndësishëm i botës shqiptare që në kohën e Rilindjes kombëtare. Dhimitri e mund Fishten në lojë dhe më pas fillon dhe e ngacmon atë: ”Të munda gegë!” Ndërsa Fishta, me dy gisht letër i përgjigjet të nesërmen: ”Hë toskë, toskë, tash ke me e pá se kush asht gega”…

Me siguri Fishta kishte në mendje “Gomarin…” që kish nisë me e shkrue. Kurse shkaku i vërtetë që u shkrua ajo vepër-satirë politike, ndër më të shquarat vepra të atij zhanri ishte situata politike e sociale e Shqipërisë së viteve 1921-23 dhe subjekti që ishte blatuar prej kohësh në mendjen e shkrimtarit ishte pjellë e debatit të egër e polemikave pa frut që bëheshin në parlamentin (Asamble Kushtetuese) e drejtuar prej zotni Eshref Frashërit. Por, gjithësesi debati e polemikat shfaqeshin mbrenda për mbrenda klasës së politikës. Në asnjë rast ata nuk përfshinin grupe a njësi krahinore popullate.

Kurse cilësori “shpellar”, që përdor sot zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës, mbështjellë me një ndjenjë të dukshme urrejtjeje, të cilën e përcjell në publik kumtuesi i saj, peshon vetëvetishëm më rëndë e është shumë e shumë më përbuzëse se “maloku” i tifozit gjirokastrit të fillimit të viteve ’80. Se fundja, ajo e atëherëshmja është batutë mes të barabartësh, mes dy qytetarëve të dy qyteteve të Shqipërisë, njëri në veri e tjetri në jug të vendit dhe një dialog që “qet e prêt” me sportivitet fjalë e romuze që nuk vrasin aspak, asnjerin, nuk fyejnë askërkend… Sigurisht “maloku” alias “shpellari” si një përzjerje tingullore me mllef e neveri nuk është trill dituror i zotit kryetar të Bashkisë. Ai vjen si reminishencë e kohës së shkuar të regjimit. E asaj kohës, që vetëm se udhëheqësia vinte numerikisht në shumicë me herë nga treva jugore kishte bekimin e vetë atij “të naltit”, prijësit diktator.

Porse të kategorizosh me cilësorin “shpellar” një tubë jo të vogël (po edhe vetëm një sikur të ishte!), nga podium i të parit të qytetit, i të parit të kryeqytetit dhe mbas kësaj të gjindesh prapë në atë podium, në atë karrige e në atë zyrë, kjo është e pangjashme në një vend të qytetëruar.

E po kush është ky zotëri, xhanëm, prej ç’galaktike vjen?! A prej cilës mbretëri vjen e u drejtohet kështu skllevërve të tij!?

Sa e fuqishme paska qenë “mbretëria e fiqve”!…