LAJMI I FUNDIT:

​Shoqata e Gastronomëve distancohet nga marrëveshja për ngritjen e çmimit të kafesë

​Shoqata e Gastronomëve distancohet nga marrëveshja për ngritjen e çmimit të kafesë

Gjatë ditës është raportuar se janë duke ndodhur marrëveshje sa i përket rritjes së çmimit të kafesë të disa bizneseve në disa komuna të ndryshme të Kosovës.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka njoftuar se distancohen nga këto veprime të kundërligjshme të cilat bien ndesh me Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.


Sipas kësaj shoqate, rritja apo mosrritja e çmimit është vendim subjektiv i një biznesi e jo kolektiv.

“E kuptojmë që është bërë sfidë në vete arritja e likuidimit të shpenzimeve operative, kreditore, etj. mirëpo jo në mënyrë të tillë siç po raportohet. Rrjedhimisht, nëse ky fenomen është duke ndodhur, ju bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të këtyre veprimeve”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

Ndërkaq, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se forma e ngritjes së çmimit të kafesë është e ndaluar.

Prestreshi ka paralajmëruar se do të inicojë procedura hetimore.

“Gjithë ato ankesa, gjithë ato protesta, gjithë ai presion që u ushtrua nga sektori i gastronomisë, kundrejt masave të vendosura nga Qeveria për ta parandaluar infekcionin Covid 19, e që kishin të drejtë në disa raste, tani po të njejtit gastronomë në disa qytete të Kosovës kanë vendosur që bashkarisht me marrëveshje t’i ngrisinë çmimet e kafeve dhe produkteve tjera. Kjo formë e ngritjes së çmimit është e ndaluar, andaj para se të inicoj procedura hetimore Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, si titullar i këtij institucioni fillimisht i bëjë thirrje Shoqatës së Gastronomëve, që ata të distancohen nga këto sjellje të gastronomëve dhe të bëjnë thirrje për ndalim të këtyrë veprimeve. Në të kundërtën, derën e parë që do ta trokasim është dera e shoqatës së gastronomëve”, ka shkruar Prestreshi. /Telegrafi.