Petrit Balija drejtor ekzekutiv i Shoqatës thotë se në këtë raport paraqitet një ulje në normat mesatare të depozitave nga 3.6 për qind sa ishte ne shkurt të vitit 2013 në 2.0 për qind, që do të thotë se kishte ulje për 1.6 për qind për këtë periudhë një vjeçare.

“Kjo është reflektuar edhe në uljen e normave të interesit për kredi, ku norma mesatare për kredi ishte 13.5 për qind në shkurt 2013 dhe që ka pësuar ulje në 11.8 për qind në shkurt 2014, duke shënuar kështu ulje për 1.7 për qind. Ndërsa në krahasohet me fundin e vitit 2010, norma efektive e interesit ishte 14.31 për qind, përderisa në fund të vitit 2013 kjo normë u zvogëlua në 11.07 për qind. Kjo tregon se vetëm brenda tri viteve mesatarja e interesit për kreditë e lëshuara nga ky sektor është zvogëluar për 3.24 për qind”, ka thënë ai.


Balija kërkon nga bizneset që të ofrojnë kërkesa fizibile për kredi dhe pasqyra të rregullta financiare, në mënyrë që biznesi i tyre dhe biznes plani konkret të vlerësohen me rrezik më të ulët, me ç’rast do të kenë mundësi të marrin norma më të përshtatshme të interesit për kredi.

Siç është raportuar edhe më herët nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, sistemi bankar në Kosovë ka likuiditet të kënaqshëm përmes së cilës do të mund të përballonte kërkesat e reja të bizneseve për kredi. Mirëpo për shkak të zhvillimit të ekonomisë në nivel jo të kënaqshëm dhe po ashtu për shkak të mos zbatimit në plotëni të ligjeve në fuqi, bizneset në shumë raste nuk i plotësojnë kriteret që bankat të ju ofrojnë produktet apo shërbimet e tyre me kushte më të favorshme.

“Pra, bizneset në Kosovë ballafaqohen me shumë vështirësi gjatë punës së tyre të përditshme. Shumë biznese ndodhen në konkurrencë të pafavorshme ndaj njëra-tjetrës, duke bërë që konkurrenca të mos jetë në nivelin e dëshirueshëm. Pavarësia n ë punën e gjykatave si dhe efikasiteti i tyre në procesimin e lëndëve gjyqësore është edhe një faktorë tjetër i rëndësishëm mbi bazën e të cilave bizneset do të mund të vepronin më lehtë”, thotë Balija.

Ekonomia joformale, thonë se ende është në nivel të lartë, gjë që bën që konkurrenca të mos jetë në nivelin e kërkuar, pasqyrat financiare të bizneseve të mos jenë reale dhe stabiliteti financiar i tyre të mos jetë i qëndrueshëm.

Shoqata e Bankave të Kosovës vlerëson se në përgjithësi këto janë disa nga faktorët që do të bënin që bizneset të performojnë më mirë dhe me këtë edhe të përfitojnë nga produktet dhe shërbimet e sistemit bankar në Kosovë. /Telegrafi/