Kosova sot feston 10-vjetorin e saj si federatë anëtare e FIFA-s. Së bashku me Gjibraltarin, Kosova mbetet një nga shtetet e fundit të pranuara nga organi qeverisës i futbollit botëror.

Një dekadë më pas, rritja e futbollit të Kosovës ka qenë e jashtëzakonshme, e reflektuar në progresin e vazhdueshëm në renditjen botërore të FIFA-s si për meshkuj ashtu edhe për femra. Dhe trajektorja në rritje nuk tregon shenja ngadalësimi.


Kombëtarja e Kosovës bëri rritjen më të madhe gjatë vitit 2025 dhe së fundmi u ngjit edhe për dy vende për të arritur në vendin e 78-të, që është renditja më e lartë ndonjëherë, shkruan faqja zyrtare e FIFA-s.

Kombëtarja e Kosovës për futbolliste, e renditur i 80-ti, së fundmi u ngjit për 11 vende, duke arritur po ashtu renditjen më të lartë në përditësimin e fundit në prill.

“E gjithë kjo është rezultat i punës së palodhur dhe përkushtimit nga të gjithë ata që përfaqësojnë vendin tonë - nga presidenti Agim Ademi, te stafi i trajnerëve të udhëhequr nga Franco Foda, lojtarët dhe tifozët tanë, ‘Dardanët’, të cilët janë mbështetësit më të mëdhenj të motivimit dhe patriotizmit”, ka thënë mbrojtësi Dion Gallapeni për “FIFA”.

Në moshën 21-vjeçare, Gallapeni përfaqëson në mënyrë të përsosur rrugëtimin e Kosovës dhe zhvillimin e talentit vendor.

Ndryshe nga shumë bashkëlojtarë në përfaqësuese, të cilët janë rritur jashtë vendit, Gallapeni ka lindur, është rritur dhe është formuar si futbollist në Kosovë.

Pasi i hodhi hapat e parë në shkollën e futbollit “Winner Prizren”, ai iu bashkua në vitin 2023 klubit më të trofeshëm në Kosovë, FC Prishtinës, përpara se të transferohej jashtë vendit për herë të parë, duke iu bashkuar klubit polak Widzew Łódź, e më pas Wisła Płock.


“Mund të them me krenari se e njoh shumë mirë ligën e Kosovës, sepse kam luajtur atje deri në vitin 2025. Niveli ka qenë gjithmonë i mirë dhe ka vazhduar të përmirësohet që kur u bëmë anëtarë të UEFA-s dhe FIFA-s”.

“Liga e vendit ka bërë përparim të konsiderueshëm, veçanërisht përmes përmirësimeve të mëdha në infrastrukturë dhe një rritjeje të vazhdueshme të cilësisë së lojës. Sot, shumë lojtarë të zhvilluar në Kosovë po luajnë në ligat më të mëdha të Evropës – dhe unë jam një prej tyre”, deklaroi Gallapeni.

FIFA ka luajtur rol të rëndësishëm në përparimin e Kosovës. Përmes programit “FIFA Forward”, janë ndarë 4 milionë e 613 mijë dollarë për të mbështetur futjen e sistemit VAR në Superligën e Kosovës, për të financuar ndërtimin e gjashtë fushave artificiale për klubet dhe për të kontribuar në modernizimin e stadiumit në Hajvali, i cili tani është integruar në qendrën teknike kombëtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.


Programi i “Zhvillimit të Talenteve” të FIFA-s ka mbështetur gjithashtu federatën, duke përfshirë një grant prej 50 mijë dollarësh për të organizuar një garë për vajza U15 në vitin 2024, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të rritur mundësitë për vajzat në futboll. Po atë vit, programi “Futbolli për Shkollat” filloi në Kosovë.

“Futbolli po lulëzon në Kosovë. Mbështetja nga FIFA përmes programeve të saj ka kontribuar qartë në përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin e arsimit dhe krijimin e më shumë mundësive për fëmijët dhe të rinjtë, si vajzat ashtu edhe djemtë”.

“Sot, të gjithë në Kosovë kanë mundësinë të luajnë. Një shembull i mirë është futbolli për persona me gjymtyrë të amputuar, i cili është zhvilluar ndjeshëm në vend. Të gjithë në sportin tonë trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga gjinia apo aftësia. Ne themi, ‘zemra është më e rëndësishme se trupi’, dhe këtu ne luajmë me zemrat tona”, nënvizoi mbrojtësi i kombëtares.


E nxitur nga pasioni i një vendi të tërë, Kosova iu afrua edhe një arritjeje historike. “Dardanët” e humbën për pak kualifikimin për Kupën e Botës 2026, duke u mposhtur nga Turqia në finale të play-offit.

Megjithatë, duke pasur parasysh vendosmërinë e treguar nga ekipi dhe shkallën e progresit të Kosovës në vetëm 10 vjet, një kualifikim i parë në Kupën e Botës tashmë duket më pak një ëndërr dhe më shumë një çështje kohe. /Telegrafi/

telegrafi sport app