LAJMI I FUNDIT:

Shkrimtari dhe ambientet e shkrimit

Shkrimtari dhe ambientet e shkrimit

Nga: Hysein Su
Përktheu: Emir Hukallo

Karakteri i shkrimtarit si njeri, kushtet e jetesës, kultura dhe mjedisi në të cilin u rrit, parimet të cilat e sheh veten të obliguar t’u përmbahet, kufijtë e tij, lloji i shkrimit, forma që e zgjedh brenda këtij lloji, madje edhe detajet nga të cilat s’mund të heqë dorë, në përgjithësi përbëjnë totalin e faktorëve të cilët i përcaktojnë dhe i formësojnë raportet e shkrimtarit me hapësirën ku jeton dhe shkruan si dhe mjetet që i përdor derisa jeton dhe shkruan. Edhe ambientet e shkrimit kanë kontribut të madh në jetën e shkrimtarit, në personalitetin e tij, në vetëdijen dhe funksionin e tij si shkrimtar dhe në shkrimin si akt.


Çdo njeri në mënyrë të pashmangshme brenda ambientit material dhe shpirtëror, ndien, mendon dhe jeton. Orhan Pamuku na thotë: “Qëndrimi gjatë tërë ditës në një tavolinë, puna e zhvilluar në të, dhe qëndrimi vetëm me aromën e letrës dhe lapsit është shndërruar në shprehi të tij”. Në fakt, na flet për një jetë tjetër të ngritur me ambientin e shkrimit dhe pajisjet për aktin në fjalë. Kjo jetë dhe botë tjetër, për një shkrimtar thuajse është jetë e dytë.

Vendi kryesor i shkrimtarit qoftë pallati, vila, tenda, hoteli, një zyrë e vogël, një dhomë e shtëpisë apo një qoshe e kafenesë, si për nga funksioni si për nga rezultatet dhe efektet, nuk është shumë e ndryshme prej folesë së krimbit të mëndafshit. Shkrimtari këtë fole e thur pa ndalur përmes shkronjave, fjalëve, fjalive, librave, endjeve dhe ndjenjave, e punon kujdesshëm me majën e lapsit, si përfundim qoftë edhe nëse jeton fizikisht brenda shoqërisë, një shkrim dhe mendim, për shkak të jetës së shkrimtarit, jeton vetëm brenda këtij ambienti. Për këtë arsye shkrimtarët dhe artistët janë njerëzit që në të shumtën e rasteve, nuk ia dalin mbanë me jetën dhe s’mund të përshtaten me të. Këto gjykime, përveçse janë të padhembshme për shkak të ndikimit mprehës të artit e mbi shkrimtarët e artistët, s’mund të trajtohet i pavlerë mendimi se brenda kësaj jete ndihen të pambrojtur e të dobët dhe me këto ndjenja në një kuptim jetojnë të lënduar. Puna që e bëjnë shkrimtarët, vendet ku ata mbyllen, puna që e bëjnë nëpërmjet mjeteve dhe metodave të ndryshme që iu zgjat deri në fund të jetës, vlerësohen po aq sa veprat e tyre.

Shkrimi lind gjithsesi nga vetmia. Kjo vetmi pjellore mund të realizohet në mënyra të ndryshme varësisht prej kushteve të jetesës së shkrimtarit. Kushtet e jetesës, të mira ose të këqija, shfaqen varësisht nga perceptimi që shkrimtari e ka për jetën dhe për shkrimin; kushtet e këqija derisa disa shkrimtarë i shkatërrojnë, disa tjerë i sforcojnë edhe më shumë. Te shkrimtarët që pasioni për të jetuar është më i theksuar se pasioni për të shkruar, shqetësimi për jetën e zhduk aftësinë për të shkruar. Nëse shkrimi për një shkrimtar është shndërruar në formë të jetës së tij, atëherë një situatë e tillë s’mund të vlejë për të gjitha vështirësitë. Pavarësisht prej mënyrës së realizimit, akti i shkrimit është produkt i kohës së shkrimtarit dhe asaj kohe të pacopëtuar. Qoftë edhe nëse shkruan në kafene, pastiqeri, park apo në çajbahçe, duhet ta mbyllë veten nga bota e jashtme, të qëndrojë në botën e vetmisë, pra duhet ta ndërtojë një dhomë për vete; madje shkrimtari e bën këtë! Sepse as që ka zgjidhje tjetër.

Hemingway me të drejtë thotë: “Aq sa rrugëtoni me shkrimet tuaja, aq largoheni nga njerëzit”. Shkrimtari ia kthen shpinën atraktivitetit të jetës sa shkon e dashuron vetminë dhe botën e tij të heshtur, të qetë e të ngatërruar dhe kështu vjen në një gjendje, që nuk heq dorë prej saj. Në të shumtën e rasteve jeta jashtë mjediseve të shkrimit pa laps e pa letër e ngufat dhe pastaj ky ikën mbrapa në folenë e tij. Shkrimtari i bashkon zërin e dorës, atë të shpirtit, të lapsit e letrës dhe të shkronjave, kështu pastaj e formon një kor. Andaj, derisa flasim për ndjeshmërinë e artistit, e kemi fjalën për kompozimin që e sjell ky kor.

Po ashtu, edhe “Barra e penës” është po kjo. Si hapësira e krijuar nga akti i shkrimit si dhe ajo që ndodh aty, s’është gjë tjetër veçse rrudhje dhe zgjerim i kësaj barre. Rebecca West thotë: “Kujtesa ime është e lidhur prerazi me duart e mia. Unë mund të kujtoj vetëm nëse kam laps në dorë për të shkruar apo për të luajtur me të”. Kjo dëshmi e Westit mund të merret për shenjë të rëndësishme të kontekstit ontologjik të lapsit, shkrimit, shkrimtarit dhe të shkruarit. Brenda këtij konteksti shkrimtari e vëren se jeton gjatë gjithë jetës në folenë e vetmisë, gjatë tërë ditës.

Shkrimi dhe mendimi si angazhime humane që infiltrohen më së shumti në jetën e njeriut, edhe indet edhe nyjat e pëlhurës së jetës së shkrimtarit i thur përmes rrjetit të privatësisë, pastaj atë e hap me kujdesin që kjo privatësi e kërkon. Nxitimin e gjuhës së tij Ernest Hemingway e shpreh nëpërmjet besimit të palëkundur se akti i shkrimit duhet të mos ndahet me askënd para se të përfundojë, se është privat dhe realizohet në vetmi. Shkrimtari William Faulkner, që ende është prej më të rëndësishmëve në botë për romanin modern, derisa e ndan sekretin e tij si shkrimtar, thotë kështu: “Nëntëdhjetenëntë për qind talent… Nëntëdhjetenëntë për qind disiplinë… Nëntëdhjetenëntë për qind punë…” Qoftë edhe nëse në shikim të parë duket se nuk thotë gjë të rëndësishme, kuptimin e këtyre tri rregullave në jetën materiale dhe shpirtërore të njeriut, e kuptojnë ata që ndërtojnë botë të ngritur sipër shkrimit, shkronjave dhe fjalëve.

Faulkner duhet të ketë menduar se fjalët e tij nuk shprehin aq saktësi dhe e shton këtë: “Artist është ai që i errësohet shikimi dhe rrëmbehet nga puna”.

Për këtë arsye qetësisht thotë se arti dhe profesioni prej shkrimtari s’ka fare lidhje me lumturinë e brendshme. As që beson se ka gjë të mirë të shkruar për kundërvlerë monetare. Vetëm shkrimtarët që s’i përkasin klasës së parë janë ata që fshihen pas të metave të tyre dhe as që e kanë ndonjë metodë mekanike apo rrugë të shkurtër që ia preferojnë ndokujt. Sipas tyre, artisti/shkrimtari duhet të jetë i paanshëm sa ta gjykojë punën që e bën. Vetëmashtrimi, shikimi i punës së bërë përmes llupës, asnjëherë s’është qëndrimi i një artisti të vërtetë. Shkrimtari as që ka nevojë për diçka tjetër pos eksperimentit, vëzhgimit dhe fuqisë imagjinare. Shkrimtari që lidhet për këto parime na e hap botën e shkrimit dhe folenë e tij: “Heshtja më pëlqen më shumë se zëri sepse zhurma e krijuar nga shkronjat formohet në qetësi. Rrufeja dhe muzika e prozës mundësohet vetëm në heshtje”.

Heroi i “Zërit dhe zemërimit” thotë: “Më djeg sikur ta kem brenda një hut”… duket se flet për këtë zhurmë. Lufta që shkrimtari e ka me fjalët në formën çmonto e monto, pastaj sërish çmonto e monto, te disa shkrimtarë shndërrohet në qërim hesapesh me heshtje, te disa me gjuhë të zëshme, metodë dhe laps. Natyrisht se në krye të shkrimtarëve që shkruajnë sikur luftojnë vjen Nuri Pakdil, i cili derisa e dërgon librin në shtypshkronjë, thotë: “Futeni edhe këtë libër në tytë”. Ai shkruan sikur angazhohet për komandim të një ushtrie të madhe.

Një shkrimtar tjetër që është i tillë mund të përmendet Stephen King i cili thotë: “Gjithnjë kam menduar që secili libër të cilin e shkruaj është një lloj sulmi personal dhe, po ashtu, mendoj se secili romansier duhet të jetë i tillë”. Ajo që e bëni duhet t’ju bëjë të ndiheni sikur nga ana e përballme e tavolinës meqë të dyja duart ju kap për fyti dhe ju godet me dorë prej aty. Gjithashtu, mendon se shkrimi e ka ritmin e tij të cilën duhet ta ndiejë edhe lexuesi.

Shtëpia, hoteli, kafenetë, pastiqeritë si ambient shkrimi për shkrimtarin, në kontekst të raportit që e thur si me shkrimin, po ashtu edhe me jetën, e bëjnë atë të ketë identitet shkrimor.

Detajet dhe çështjet në të cilat ka kujdes shkrimtari, heronjtë e trilluar, bartin gjurmë nga jeta dhe bota mendimore e tij, madje me të gjitha këto shndërrohet në ambient të ri. Pra, në një ambient shkrimor. Ajo shtëpi, tanimë është shtëpi shkrimtari. Shtëpia, kafeneja, hoteli, kopshti, pastiqeria njihen si vende shkrimtari.

Librat e Nuri Pakdilit me titull “Librat që shohin hotele”, shikuar nga ky aspekt, sa janë edukuese po aq të rëndësishme. Për shembull “Hoteli Park” njihet me Jahja Kemalin, kurse “Pastiqeria Divan” me Atilla Ilhanin.

Kur pash se në Pragë, i cili është qytet njëmilionësh, tridhjetekatër vende janë ngritur në emër të Kafkës, mendova se sa Turqia është shtet jomirënjohës dhe s’e respekton të kaluarën e shkrimtarëve, mendimtarëve dhe artistëve.

Reflektimi i një jete sipas shkrimtarëve nga ana e shtëpive dhe ambienteve të tyre, qoftë edhe nëse s’është në tërësi, patjetër do ta ketë një lidhje në raport me shkrimet dhe përqindjen e tyre. Për shembull, shtëpia e shtruar me koleksione shtrojesh speciale dhe artistike, të dekoruar sipas stilit të kohës së Victorias, me libra bambu dhe gjësende të tjera të sjella nga vende të ndryshme të botës, Truman Capote, i cili thotë: “E vetmja gjë që di është të punoj”… dhe shtëpia e varfër e Dostojevskit, pallati i Tolstojit dhe foleja e Tevfik Fikretit, me apo pa dashje të bëjnë të mendosh për veprat dhe jetët e disa shkrimtarëve. Dhoma e fjetjes së Ernest Hemingway, njëkohësisht është edhe dhoma e tij e shkrimit. I tillë është edhe Rasim Yzdenyren, librat i ka në sallon, por shkruan në kompjuterin e vet të vendosur në një tavolinë të dhomës së fjetjes. Vendi ku shkruan J. Luis Borges është Biblioteka Kombëtare e Argjentinës. Vendi i shkrimtarit në këtë hapësirë të madhe nuk është ndonjë zyrë, por një pjesë e sapo restauruar, glamuroze dhe me tavan të lartë brenda bibliotekës. Kurse zyra e Gabriel Garcia Marquezit është ndërtesë e gjatë, por e ulët, sikur të jetë planifikuar për fjetore. Brenda në qoshe ka divan, dy kolltukë të rehatshëm dhe frigorifer të vogël me shishe të ujit mineral. Tavolina e shkrimit gjendet më në qoshe sikur të ishte diçka e parëndësishme. Kjo dhomë e punës së bashku me Marquezin me apo pa dashje ta përkujton përkthyesin e tij, Tomris Ujar, i cili, derisa e definon këtë romansier të famshëm, thotë: “Ngjyrosës mistrec i këpucëve”.

William Faulkner thotë se s’ka rëndësi vendi ku ai shkruan, ku gjendet dhe ku punon. Athua a është kështu me të vërtetë? Duke u lavdëruar thotë se vendi i tij më i mirë për të shkruar është shtëpia publike. Sepse s’ka frikë nga uria dhe gjithnjë e gjen një hapësirë për ta futur kokën. “Nevojat e artistit janë: vendi që s’ka shumë shpenzime, ku mund ta gjejë lumturinë, vetminë dhe argëtimin. Të gjitha vendet e zgjedhura gabimisht ia rrisin shkrimtarit shtypjen dhe ndikojnë që shumicën e kohës ta kalojë me zhgënjim dhe hidhërim”. Gjërat për të cilat ka nevojë derisa shkruan janë: letra, duhani, ushqimi dhe pak uiski. Romanet e çmuara duhet t’i ketë shkruar për shkak se di të mjaftohet me kaq nga bota dhe për shkak se ngrihet herët në mëngjes dhe shkruan në kohën kur është më se produktive dhe kur s’lëviz dot gjë nga vendi. Stepheren King është prej shkrimtarëve që di të mjaftohet me pak. Ai thotë: “Vendi ku i shkruaj shkrimet e mia është një dhomë mesatare. Nëse kam tavolinë për shkrim do të ishte mirë, pastaj nevojitet karrige e qetë që të mos ndërroj vend vazhdimisht, kurse dhoma duhet të jetë e ndriçuar mjafueshëm. Kudo që të shkruani, ai vend duhet të jetë hapësira ku ikni nga tërë bota dhe strehoheni aty. Për aq sa aty shkëputeni nga rrethi, aq mbeteni vetëm me fuqinë imagjinative dhe zhyteni në thellësi”.

Më e rëndësishme se të gjitha këto dhe hapësira është shfrytëzimi i çdo dite duke punuar. As hapësira e qetë e as vendi shumë i mirë për të shkruar nuk ia dalin ta bëjnë të shkruajë, shkrimtarin e padisiplinuar.

Puna dhe shkrimi ka rituale që janë specifike për çdo shkrimtar. Për ata që shikojnë nga jashtë secila prej këtyre mund të duken detaje dhe teke të panevojshme, por secila prej tyre mund të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për atë shkrimtar, madje të tilla janë. Disa shkrimtarë s’mund të shkruajnë pa pasur afër vetes çaj, kafe ose cigare. Disa s’mund të shkruajnë nëse nuk shtrihen e të relaksohen, disa nëse s’prekin edhe gjëra të tjera pos letrës e lapsit dhe njëkohësisht duke menduar në karrigen e tij nën një disiplinë të ngjeshur. Thuhet se shkrimtari Hamdi Jazar s’ia del ta shkruajë asnjë fjali nëse s’ka cigare mes gishtave. Nuri Pakdil përgatitet sikur do të dalë jashtë apo do të shkojë në takim edhe para se të ulet të shkruajë apo të lexojë, rruhet, vishet dhe kalon te pjesa e tavolinës. Derisa fle, lapsin dhe letrën e mban me vete, s’dëshiron ta lë t’i ikë as edhe një fjalë që i kujtohet. Nëse shkruan në zyrën e revistën Edebijat, thotë se i preferon kohët kur është i vetëm, por nëse gjendet ndokush aty, mund të shkruajë vetëm nëse distancohet tërësisht nga ato që të tjerët i prezantojnë në zyrë. Disa shkrimtarë, versionin e parë të shkrimit e bëjnë me dorë, pastaj atë e nxjerrin pastër në makinë shkrimi apo kompjuter. Kurse kalimi nga makina e shkrimit në kompjuter, për shumë shkrimtarë ka qenë problem në vete. Disave u pëlqen të shkruajnë me laps të thjeshtë e disave me stilolaps, gjëra që kanë lidhje me botën emocionale dhe mendimore të tyre. Sepse shkrimtari vetëm në këtë mënyrë ia del të jetë vetja. Dostojevski veprat e veta ia diktoi Anna Grigorijevnasë, kurse disa tjerë, sikurse është rasti i Kemal Tahirit, i cili veprën “Nëna shtet” e shkroi duke e incizuar zërin në kasetë.

Mustafa Shahin shumicën e atyre tregimeve dhe shkrimeve të bukura i përfundon në gjysmë të rrugës derisa shkon në shtypshkronjë. Sevim Burak fillimisht i shkruan fjalitë në letra të vogla dhe i var në perde, pastaj i mbledh ato, i rendit dhe kështu i përfundon tregimet e veta. Të gjithë e kemi lexuar se Enis Batur poezitë i shkruan në një tavolinë e prozën në një tjetër.

Truman Capote pesëdhjetë vjet më herët tregon ta ketë marrë makinën e shkrimit dhe të ketë shkruar duke e vendosur atë mbi gjunjë si për inat të njerëzve që sot shkruajnë me laptop. Kurse Ernest Hemingway shkruante gjithnjë me laps të thjeshtë para tavolinës së lartë dhe duke qëndruar në këmbë. Hemingway, i cili niste të shkruante çdo ditë me zbardhjen e dritës së parë të mëngjesit, shkrimi i dukej si meç boksi.

Disa shkrimtarë shkruajnë gjatë ditës e disa natën. Disa shkruajnë përnjëherë, e disa shkruajnë duke i hedhur ato në letër dhe rishkruar përsëri. Hemingway hotelin e trajton si vend shumë të mirë për të shkruar. Por ia del mbanë të shkruajë shumë mirë kudo që të gjendet. Pra, është prej shkrimtarëve që u është errësuar shikimi. Krahas kësaj, Hemingway shkruan më së miri kur është i dashuruar. Poeti i veprës “Shteti shterp”, T. S. Eliot, që është edhe autor i eseve dhe analizave të thella për kulturën dhe letërsinë, në të shumtën e rasteve shkruan me laps, ndonjëherë edhe me makinë shkrimi.

Derisa shkruan me makinë shkrimi bën ndryshime të mëdha. Çdo ditë punon rregullisht nga tri orë. Nëse shkruan më shumë se tre orë, s’është i sigurt në ato që i thotë. Thotë se punët e tjera që i bën në bankë dhe si botues janë të dobishme për të si shkrimtarë dhe s’ankohet si shumë shkrimtarë që s’mund të gjejnë kohë për të shkruar. Ja që këto angazhime jashtë profesionit të shkrimtarit janë angazhime që ua marrin kohën artistëve dhe shkrimtarëve dhe ua shpërqendron koncentrimin.

Në vitet e para të botimit të revistës “Mavera”, Erdem Bejazët merrej me çështjet financiare të revistës. Derisa punonte i lodhur pranë tavolinës përplot fatura dhe fletore llogarish, e hodhi lapsin që e kishte në dorë, u mbështet në karrige dhe duke aluduar në letrat që i kishte përpara, tha: “Derisa merrem me të gjitha këto, ndihem sikur ta kem futur dorën brenda në shporte me krimba dhe e përziej atë, pastaj përmallohem për shkrimin e leximin”. Kurse Borgesi në mënyrë natyrale të gjitha veprat i shkruan duke ua diktuar ato tjetrit. Sekretari ato që i dëgjon nga Borgesi i nxjerr pastër në makinë shkrimi dhe pastaj ia jep t’i lexojë.

G. G. Marquez nis të shkruajë në orën nëntë të mëngjesit dhe pasdite vazhdon deri në orën dy apo tre. Kështu i bie të shkruajë pesë apo gjashtë orë pa ndërprerë, por kjo i vjen nga shprehia e përfituar prej gazetarisë. Sipas Marquezit, të shkruash diçka është po aq vështirë sa ta bësh një tavolinë. Në të dy rastet materiali që e ke në dorë është i vërtetë, sepse edhe e vërteta është po aq e fortë si druri dhe e vështirë për t’u përpunuar. Marquezi s’beson se del libër që ia vlen ta lexosh nëse shkrimtari nuk është jashtëzakonisht i disiplinuar. Romanet i shkruan në vendet që i është adoptuar dhe që i njeh më shumë. Thuhet se s’punon në dhoma hoteli, në vende të përkohshme dhe makina shkrimi të marra hua. Andaj kur udhëtonte s’mund të shkruante. Kur mendojmë sa shumë vepra kanë nxjerrë Nexhip Fazëll, Nazim Hikmet dhe Kemal Tahiri në burgje, natyrisht se pasioni i shumë shkrimtarëve për hapësirën, makinën e shkrimit dhe kompjuterin, dalin të jenë fantazi. Stephan King, duke u lavdëruar, tregon se çdo gjë e shkruan me laps dore, andaj ende mes gishtave i ka mbetur shenja e yndyrës së lapsit. Fatkeqësisht, për shkrimtarët turq s’dimë për vendet ku ata shkruajnë, jetojnë dhe ndonjë gjë për gjendjen e tyre si shkrimtarë, aq sa dimë për shkrimtarët perëndimorë. Këto informata më shumë i hasim te shkrimtarët e rinj. Edhe pse këto informata mund të jenë tërheqëse dhe edukuese për shkrimtarët dhe për lexuesit e ardhshëm.

Në emrin tim s’mund të them se me vite të tëra si shkrimtarë kam një jetë të rregullt shkrimore. Këtë s’e them si ankesë, por si çështje për t’u ndarë me të tjerët. Përkundër vazhdimit të raporteve me manifestimin e mendimit dhe artit të revistës “Edebijat” dhe me Nuri Pakdilin, më shumë e çmoja përhapjen e revistës se të shkruaja shkrime në të.

Më parë, përmes rasteve të tjera, e bëra me dije se nisa të shkruaj me insistimin e Nuri Pakdilit. Fillimisht me shkrim dore i shkrova dy tregime dhe një shkrim, të cilat pastaj i rishkrova me makinë shkrimi dhe ia dhashë Nuri Pakdilit. Për ca kohë vazhdova të shkruaj njëjtë. Natyrisht që s’kisha dhomë pune. Për herë të parë kur shkova në një qytet të punoj si arsimtar e kisha në dispozicion dhomën e punës. Gjatë këtyre viteve disa tregime i shkrova në tavolinën e arsimtarit, para nxënësve të mi. Makinën e parë të shkrimit e bleva në po ato vite, deri në atë kohë të gjitha ato që i kam shkruar i rishkrova me makina shkrimi që i kisha marrë borxh. Pastaj për një kohë të gjatë mbeta pa dhomë dhe larg librave të mi. Shkrimet maratonike, natyrisht që kërkojnë mjedis shkrimtari. Letrat dhe tekstet e shkurtra mund të shkruhen kudo që të jemi. Shikuar nga ky aspekt, mund të thuhet se shkrimi që e bën poeti mund të jetë më i lehtë. Ndoshta për këtë arsye Nuri Pakdil thotë: “Poezia shkruhet duke vrapuar”. Në vende të hapura dhe në kafene nuk mund të shkruaj, mendoj se çdokush më shikon mua dhe kjo më shqetëson. Më kujtohet se vetëm një tregim e kam shkruar në kafene, natyrisht që duke qenë shumë i zemëruar, derisa e lexoj këtë tregim mund të them se ende i kam ato ndjenja. Të qenit i rregullt nuk është çështje që duhet të ketë lidhje vetëm me shkrim e lexim, por ky element është determinues saqë e vështirëson jetën time. Nëse them se ky element është shterpëzues, nuk e teproj dot. Përafërsisht e di se ku gjenden rreth pesëmbëdhjetë mijë libra që i kam në raftet e mia dhe përmes përshkrimit mund ta siguroj një libër edhe jashtë qytetit. Çdo gjë që gjendet sipër tavolinës patjetër duhet të jetë në vend të vet. Gjithashtu edhe brendia e çantës. S’dal aq lehtë nga shtëpia pa çantë dhe çantat që tjerët i mbajnë në dorë ma tërheqin vëmendjen. Çantat estetike i dua shumë. Më pëlqen shumë që të shkruaj në letra të vogla të notesit me laps të thjeshtë. Mbledh fletore dhe lapsa. As laps kimikët që më shpenzohen s’i hedh, ato i mbledh në një kuti. Stilolapsat më pëlqejnë shumë, por s’mund të shkruaj gjatë me të tillë. Pena, gjithashtu, më pëlqen shumë si mjet shkrimi. Ende e kam stilolapsin ku shkruan ‘1/C-139’, (në të cilën shifër përmblidhen klasa dhe numri im) që më është dhuruar kur e kam kaluar klasën e gjashtë duke u graduar i pari i klasës. Në këtë mënyrë i kam me dhjetëra lapsa dhe fletore. Të tilla janë edhe letrat e notesëve që kanë të kaluar prej dyzet vjetësh, edhe pse s’i përdor, s’mund t’i hedh.

Zëri që e nxjerr makina e shkrimit më nxit të shkruaj. Kurdo që e dëgjoj zërin e makinës së shkrimit apo të tastierës së kompjuterit nxitem të shkruaj. Lehtësia që e solli kompjuteri në faqosjen e revistave ndikoi që me vite të tëra të mos e hapim kapakun e makinës së shkrimit.

Natyrisht se s’kam nevojë ta fsheh lëndimin tim që e kam nga dëbimi për shkak të teknologjisë së tërë atyre mjeteve të shkrimit. /Revista “Akademia”/

Shënim: Për informatat që kanë të bëjnë me shkrimtarët dhe citatet e kam shfrytëzuar veprën “Dhoma e shkrimtarit” (Botimet “Timash”, Stamboll, 2009)