LAJMI I FUNDIT:

Shkencëtarja e parë shqiptare e Gjeologjisë, Miradije Rama: Arma më e fuqishme, dituria në shkencë dhe teknologji

Shkencëtarja e parë shqiptare e Gjeologjisë, Miradije Rama: Arma më e fuqishme, dituria në shkencë dhe teknologji

Shkencëtarja, Miradije Rama edhe pse është femra e parë shqiptare gjeologe, që punon dhe vepron në Finlandë, shpreson që mos të jetë e vetmja shqiptare në këtë profesion, pasi që ajo dëshiron të shoh sa më shumë femra (gra dhe vajza) shqiptare shkencëtare në drejtime të ndryshme.

Në krye të Shërbimit Gjeologjik në qytetin Turku të Finlandës, (Geologian Tutkimuskeskus GTK- www.gtk.fi), Miradije Rama, nga Kosova, udhëheq institucionin kryesor hulumtues, ku bëjnë pjesë ekspertët kryesorë në zbatimin e gjeo-shkencave në Evropë.


Ky rreth i partneritetit, sipas saj, përfshinë institucione kërkimore, kompani dhe universitete brenda Finlandës, por edhe globalisht.

Megjithatë, ajo ka një porosi për të rinjtë që synojnë botën e shkencës, ku sipas saj, vetëm me dituri, shqiptarët mund t’i arrijnë kulmet e shoqërive bashkëkohore dhe të zhvilluara.

“I bëj thirrje rinisë në Kosovë, që të shkollohen në shkencat matematike- natyrore, në profesione të ndryshme dhe të luftojnë për pozita të ndryshme. Po ashtu, i inkurajoj të rinjtë që të kërkojnë mënyra dhe metoda të reja dhe të krijoni biznese inovative të reja. Kosova ka minerale të shumta e të vlefshme, prandaj kërkoni mundësi që të shkolloheni në drejtimet e gjeo-shkencave, mësoni si t’i menaxhoni e ti përdorni gjithë ato resurse për veten tuaj”, tha ajo në intervistë.

Telegrafi: Znj. Rama jeni shkencëtarja e parë shqiptare e Gjeologjisë Mjedisore në Finlandë, që konsiderohet sukses i madh. Sa ka qenë i vështirë rrugëtimi juaj?

Miradije Rama: Rrugëtimi im deri këtu ku jam tani, ka qenë me shumë sfida. Në moshën 11 vjeçare, familja ime largohet nga Kosova (fshati Syriganë-Drenicë) dhe emigroi në Finlandë në vitin 1992. Në fillim ka qenë e vështirë për ta pranuar realitetin, se rikthimi në Kosovë ndoshta nuk do të ndodhë kurrë. Për këtë arsye serioziteti i familjes tonë për tu integruar në shoqërinë finlandeze ka filluar herët, por lehtë nuk ka qenë dhe lehtë nuk është, pasi që integrimi është proces, i cili është i vazhdueshëm dhe mjaft sfidues. Unë jam fokusuar në shkollim, sepse dëshira ime ishte që në të ardhmen të ndikoj në mbrojtjen e mjedisit.

Mbas përfundimit të shkollës së mesme, kam ndjek studimet bazike, mandej Master në “Universitetin e Turkut” në drejtimin e Gjeologjisë, dhe pastaj kam vazhduar në studimet e doktoraturës në Åbo Akademi në degën – Gjeologji Mjedisore, ku do të mbarojë doktoraturën në fund të vitit 2021 “ PhD of Science and Engineering”.

Në “Åbo Akdemi” kam bërë hulumtime në riciklimin e azotit (N) nga ujërat e zeza, duke përdorur mineralë argjilor dhe pastaj këto minerale argjilorë të përdoren si lëndë ushqyese për bimët. Hulumtimi im ka qenë i suksesshëm, dhe në bazë të rezultateve kam pasur sukses që të krijojmë një metodë të quajtur “GeoTrap” ekologjike, për t’i pastruar ujërat e zeza të shtëpive që janë jashtë rrjetit komunal, d.m.th., rrjeti i ujërave të zeza. “GeoTrap” është metodë e bazuar në minerale që ka një aftësi jashtëzakonisht të fortë për të lidhur azotin (N), dhe për të precipituar fosforin (P). Pas pastrimit të ujërave “GeoTrap”, është i ngarkuar me lëndë ushqyese, mund të përdoret si një shtesë ushqyese për bimët. Riciklimi i azotit (N) është risi dhe zhvillimi në këtë drejtim tash ka filluar, mirëpo metoda “GeoTrap”, është e para në ketë drejtim.

Azoti (N) i ricikluar është përdorur si  shtesë ushqyese për bimët në anën e djathtë, dhe janë 10 herë ma te forta sesa ato në anenë e majtë, që janë rritur në medium referimi.

Sfida më e fundit, ishte procesi i rekrutimit të punës aktuale që kam. Në Finlandë ka shumë ekspertë të lartë dhe konkurrenca është e ashpër. Gjatë procesit të rekrutimit me ftuan në intervistën e parë, dhe pas kësaj me ftuan t’i ndjek edhe testet e aftësive dhe testet psikologjike që zgjatën dy ditë radhazi. Në intervistën e dytë më ftuan pasi që kanë përmbledhë rezultatin e testeve dhe pastaj prita 2-3 javë për vendimin.

Telegrafi: Kush ju ka ndihmuar deri të ky sukses?

Miradije Rama: Fillimisht ndihmën më të madhe e kam nga shteti i Finlandës, që ka siguruar për neve gjitha mundësitë e barabarta dhe për jetë të sigurt dhe të shëndoshë. Pos kësaj, ka pasur shumë individë të ndryshëm që më kanë ndihmuar gjatë suksesit, duke filluar nga shkolla fillore – pedagogët, në gjimnaz dhe fakultet profesorët, që gjithmonë kanë qenë të gatshëm të më japin mësim shtesë nëse unë kisha nevojë, pasi që gjuha finlandeze nuk ishte gjuhë amtare për mua.

Kjo, sigurisht që më ka dalluar mua nga nxënësit tjerë, unë e kisha më të vështirë. Dy persona dëshiroj t’i dalloj, ata që kanë pas më së shumti ndikim në karrierën time: Dr. Taina Laiho dhe Prof. Olav Eklund, të cilët ma mësuan bazën e hulumtimit shkencorë gjatë doktoraturës. Unë ndihem shumë e privilegjuar që pata mundësinë të punoj në grupin e tyre hulumtues, dhe njëherit dua t’i falënderoj nga thellësia e zemrës, sepse pa këta dy unë nuk do isha këtu ku jam sot. Dhe më në fund më kryesorja është familja ime, prindërit Sanije Dajaku Rama dhe Mehmet Rama, të cilët më kanë mbështetur shumë për shkollim, e sidomos duke na përkrahur në këtë rrugëtim, sepse për ta “shkollimi i vajzave ka qenë prioritet numër 1”. E vlerësoj shumë  mbështetjen e tyre për këtë rrugëtim, që ata kanë kontribuar, dhe se tani ata përjetojnë sukseset tona që ishte ëndrra e tyre, tashmë e realizuar.

Telegrafi: Punoni si hulumtuese dhe jeni në krye të Shërbimit Gjeologjik i Finlandës në qytetin Turku të Finlandës. Është ky privilegj apo një përkushtim më i madh për punë dhe karrierë?

Miradije Rama: Shërbimi Gjeologjik i Finlandës (Geologian Tutkimuskeskus GTK- www.gtk.fi), është një institucion hulumtues me ekspertët kryesorë në zbatimin e gjeo-shkencave në Evropë. Rrjeti ynë i partneritetit përfshinë institucione kërkimore, kompani dhe universitete brenda Finlandës, por edhe globalisht. Për mua, është nder dhe privilegj të jem pjesë e grupit tonë në “Circular Economy Solution” në GTK,  ku promovojmë efikasitetin e materialit dhe ripërdorimin e lëndëve të para me bazë minerale. Ne zhvillojmë zgjidhje të reja për përpunimin e mineraleve, fraksionet e mbetjeve dhe trajtimin e ujit, dhe thellojmë kuptimin tonë të ciklit jetësor të materialeve.

Duhet përkushtim i madh ndaj punës që e kryej me shumë dëshirë dhe pasion. Jemi duke ndërtuar “Ekonominë Qarkore në Industrinë e Minierave”, kjo synon të zvogëlojë sasinë e mbeturinave dhe ripërdorimin e materialeve. Po ashtu, Ekonomia Qarkore maksimizon vlerën e lëndës së parë të materialeve primare dhe dytësore, dhe ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në promovimin e përdorimit të qëndrueshëm të materialeve dhe luftimin e ndryshimeve klimatike.

Objektivat kryesorë janë përdorimi eko-efiçent i lëndëve të para, dhe minimizimi i gjurmës mjedisore të aktiviteteve industriale, efikasiteti i materialit, menaxhimi i rrjedhës së materialit, prodhimi me emision të ulët dhe përdorimi i mbeturinave dhe nënprodukteve si lëndë e parë e re, pa rritur ngarkesa mjedisore. Për të arritur qëllimet tona në ketë fushë, duhet gjithë ekipi i ekspertëve të jep maksimumin e vet, sepse jemi duke bërë ndryshime që do të ketë ndikim në të ardhmen.

Telegrafi: Si profesioniste keni vizituar dy herë Kosovën, pikërisht Trepçën, me një grup ekspertësh nga Finlanda. Cili ka qenë qëllimi i këtyre vizitave?

Miradije Rama: Po. Kemi vizituar Kosovën dy herë në vitin 2015 me stafin dhe studentët e Universitetit të  “Åbo Akademisë”. Në vitin të 2019-tës, përpos Kosovës kemi vizituar edhe Shqipërinë me stafin dhe studentët e Universitetit “Åbo Akademisë” dhe “Universitetin e Turkut”. Qëllimi i këtyre vizitave, ka qenë që studentët tonë të njoftohen me Gjeologjinë e Kosovës e të Shqipërisë. Pos kësaj, jemi njoftuar edhe me Fakultetin e Gjeoshkencave në Universitetin e “Isa Boletinit”  dhe Industrinë e Minierave në Kosovë (Trepçën , FerroNikelin edhe Obiliqin). Në vizitën e dytë,  kemi bërë edhe një hulumtim të vogël në rrethinën e Trepçës, ku kemi mbledh mostra të ujërave nga lumenjtë Ibër dhe Sitnicë. Qëllimi i këtij studimit, ka qenë t’i mësojmë studentët marrjen e mostrave dhe si të bëhet studimi shkencorë mirë, por edhe ta shohim se si ka ndikuar Trepça dhe përpunimi i zehës në ndotjen e lumenjve. Kjo për arsye, që në të ardhmen të kontribuoj me projekte që mund të financohen nga Banka Botërore, dhe fondacione të ndryshme që kontribuojnë për qëndrueshmëri në industrinë e minierave dhe mbrojtjen e mjedisit.

Për ta kuptuar situatën në te cilën është Kosova, në grup me gjeo-shkencëtarët, jemi njoftuar edhe me historinë dhe vuajtjet e kosovarëve. Kemi vizituar Memorialin e Legjendarit “Adem Jasharit”, aty studentët tonë (finlandezë) kuptojnë dhe përjetojnë dhimbjen që kosovarët kanë përjetuar me dekada, kështu që edhe për t’i marr këmbët që kosovarët të arrijnë në nivelin tonë, shkon një kohë bukur e gjatë. Njëkohësisht, kam menduar që t’iu ofroj këtë vizitë studentëve tonë finlandezë, që në të ardhmen do jenë ekspertë në industrinë e minierave, dhe ndoshta ata do kanë mundësi të merren me projekte që munden ta kyçin edhe Kosovën në projekte të ndryshme.

Telegrafi: Pasi që jeni femra e parë shqiptare gjeologe që punoni në Finlandë, çka do të thotë kjo për ju, dhe sa po mundeni t’i ruani lidhjet me atdheun, me Kosovën?

Miradije Rama: Shpresoj që të mos jem e vetmja shqiptare në këtë profesion, por dëshiroj të shoh sa më shumë femra (gra dhe vajza) shqiptare në kulmin e shkencëtarëve në drejtime të ndryshme. Bota ka nevojë për shkencëtarë, dhe më në fund shkencëtarët, janë ata që ja japin drejtimin dhe zhvillimin e shtetit, kontinenteve dhe gjithë botës.

Kam dashuri të madhe ndaj Kosovës dhe ashtu i kam edukuar edhe dy fëmijët e mi, me qenë atdhedashës dhe të jenë krenar ndaj rrënjëve të tyre. Pushimet vjetore gjithherë i kaloj në Kosovë dhe në bregdetin e Shqipërisë.

Telegrafi: Meqë profesioni juaj është shumë specifik, e që ka të bëjë me fushën e minierave dhe mineraleve, dhe me mbrojtje të ambientit, sa jeni e gatshme që përvojën tënde ta ushtroni në Kosovë, dhe a keni pas ndonjë ftesë nga ndonjë institucion deri më tani?

Miradije Rama: Gjithmonë e kam një derë hapur për Kosovën. Madje tash pasi jam pjesë e GTK-së, shpresoj që institucionet e gjeo-shkencave, të drejtohen nga ne për projektet e përbashkëta. Ne planifikojmë, menaxhojmë dhe realizojmë projekte të ndryshme globalisht, nga Banka Botërore dhe fondacione të ndryshme nga Bashkimi Evropian. Shpresoj që kosovarët të marrin iniciativa, pasi GTK ka projekte të realizuara në Kosovë edhe më herët, dhe kemi njohuri të gjerë në gjeo-shkencat. Sidomos, kur është në pyetje zhvillimi i industrisë së minierave, kishte me qenë me sukses të madh, nëse njohuritë që ka GTK, të angazhohet në zhvillimin, e  p. sh gjigantit të Trepçës.

Në vitin 2019, pasi jemi kthyer nga vizita më kanë kontaktuar Prof. Behxhet Shala nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, për një projekt ERASMUS+ (CBHE) për  Ndërtimin i Kapaciteteve në Arsimin e Lartë, që mbështet modernizimin, aksesueshmërinë dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në vendet jo-partnere të BE-së. Kjo iniciativë nuk ka pas sukses, sepse s´kemi pasur kohë për ta mbledhur konsorciumin për t’i përmbushur kriteret që kërkohen nga ERASMUS+. Mirëpo tash e kam gati konsorciumin e partnerëve nga Bashkimi Evropian,  dhe në plan është që të aplikojmë në 2022 në ERASMUS+ për një Master Program “Vlerësimi dhe Riparimi i Rrezikut Mjedisor”, që do të realizohet në Universitetin “Isa Boletinit” në Fakultetin e Gjeoshkencave në Kosovë.

Telegrafi: Kosova ka një diasporë të jashtëzakonshme në botë, ku shumë shqiptarët në vendet kryesore të botës kanë prekë majat e suksesit. Cili është bashkëpunimi juaj më komunitetin shqiptarë që jeton dhe vepron në Finlandë?

Miradije Rama: Përkushtimi ndaj punës dhe familjes nuk më lënë shumë kohë të lirë të merrem me komunitetin tonë shqiptarë këtu në Finlandë. Por, megjithatë unë prapë gjejë kohë të bashkëpunimit me disa shqiptarë që janë më aktiv në shkencë, dhe bëjmë plane për një kohë më të gjatë të bashkëpunimit në aspektin e publikimeve të përbashkëta.

Telegrafi: Na flisni pak për projektet tuaja që keni përfunduar, ato aktuale dhe për projektet që  keni në agjendën tuaj të  punës për muajt e ardhshëm?

Evropa kërkon të rrisë prodhimin e saj të brendshëm primar të mineraleve veçanërisht kritikët, por ka qenë e ngadaltë në adoptimin e teknologjive të menaxhimit të mbetjeve (tailings) të lagura, një përbërës kryesor i minierave.  Për momentin jam duke planifikuar projektin që zhvillon kapacitete dhe mjete të reja evropiane për të ndihmuar në planifikimin, hartimin dhe vendosjen e opsioneve të menaxhimit të mbetjeve të lagura.

Në rajone të populluara me dendësi  siç është Evropa, janë të mundshme vetëm miniera të sigurta, me ndikim minimal. Menaxhimi i mbetjeve është i një rëndësie thelbësore këtu, dhe metodat e menaxhimit të mbetjeve të dehidratuara (të thara) ofrojnë disa përparësi krahasuar me mbetjet konvencionale: më pak ujë në impiantin e mbetjeve, rreziqe të reduktuara mjedisore dhe gjeoteknike, integrim me riciklimin e ujit në proces, gjurmë më të vogla dhe diga, më shumë dizajnime fleksibile të objekteve dhe integrim me mbyllje progresive, përfitime mjedisore dhe ripërdorime nga mbetjet jo-veçuese. Projekti zhvillon qasje, metoda dhe mjete për pjesët thelbësore të menaxhimit. Projekti zhvillohet me partnerët industrial dhe akademik nga disa shtete evropiane.

Trajtimi i ujit në miniera është një biznes miliardë dollarësh që parashikohet të rritet me një normë vjetore prej 11%, në rreth tetë miliardë deri në vitin 2023. Për momentin, jam duke menaxhuar një projekt që integron teknologji të reja të personalizueme, në një zgjidhje tradicionale totale për trajtimin e ujit në miniera, dhe industri me kosto efektive.

Ideja e projektit është krijimi i mjeteve që mund të ndërthurin teknologji të reja inovative dhe tradicionale të trajtimit të ujit në një zgjidhje unike rast pas rasti, duke marrë parasysh karakteristikat specifike, për shembull për rikuperimin e përqendrimeve të ulëta të metaleve nga procesi intensiv i ujit industrial dhe ujërat e zeza.

Në projekt konsorciumi i formuar do të prodhojë një model biznesi teknikisht të realizueshëm, të replikueshëm dhe ekonomikisht të qëndrueshëm, dhe që do të mundësojë kombinimin e teknologjive më të mira dhe futjen e një zgjidhjeje më efikase për trajtimin e ujit në industri të ndryshme, si një koncept gjithëpërfshirës i shërbimit.

Kombinimet e teknologjisë që rezultojnë nga projekti do të komercializohen si eksporte të drejtpërdrejta, ose në kompanitë anëtare të konsorciumit, ose në një kompani krejtësisht të re, që ofron një zgjidhje për trajtimin e ujit me përqendrim të ulët si një koncept shërbimi, që do të vendoset nga anëtarët e konsorciumit.

Telegrafi: Si një shqiptare e suksesshëm në shtetin e Finlandës, cili është mesazhi juaj për të rinjtë e Kosovës?

Miradije Rama: Arma më e fuqishme është dituria në shkencë dhe teknologji. Vetëm me dituri ne shqiptarët mund ti arrijmë kulmet e shoqërive bashkëkohore dhe të zhvilluara. Prandaj i bëj apel rinisë në Kosovë, që të shkollohen në shkencat matematike- natyrore, në profesione të ndryshme dhe të luftojnë për pozita të ndryshme. Po ashtu i inkurajoj të rinjtë që të kërkojnë mënyra dhe metoda të reja, të krijoni biznese inovative të reja. Kosova ka minerale të shumta e të vlefshme, prandaj kërkoni mundësi që të shkolloheni në drejtimet e gjeoshkencave, mësoni si ti menaxhoni, e ti përdorni gjithë ato resurse për veten tuaj!  Kështu do të jeni më të fortë dhe kështu edhe do mundeni të kontribuoni më së shumti për zhvillimin e Kosovës. Uroj shumë suksese në shkencat ekzakte, mjedisore dhe më së shumti në gjeoshkencat për gjithë rininë e shkëlqyeshme dhe të shëndoshë që ka Kosova!. /Lumturije BEKAJ/Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Bujar Osmani shpall fitore: Dallimi është mbi 40 mijë vota ndaj Taravarit

Politikë
Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Zgjedhjet në RMV, Abdixhiku: Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë me një kandidat, sot do të ishin në balotazh

Lajme
Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje:

Iu mori shokëve një milion euro duke mashtruar për vetëvrasje: "Unë po i jap fund jetës, amanet gruan dhe dy djemtë"

Lajme
Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Rezultatet e para përfundimtare në Tetovë, këto janë rezultatet

Politikë
Kalo në kategori