LAJMI I FUNDIT:

Shkenca nuk shkruhet politikisht!

Shkenca nuk shkruhet politikisht!
Ilustrim

Kërkuesi shkencor i diplomuar në Harvard, Ermal Frashëri, kritikon nismën e Akademisë së Shkencave për rishkrimin e historisë, në sajë të projektit të prezantuar si “Historia e shqiptarëve”.

Frashëri thotë se “një histori zyrtare, ka ngjyrim të mentalitetit totalitar”.


“Vula e Akademisë së Shkencave nuk është mburojë për historinë”, thotë ai.

Një tjetër problem, sipas tij, është grupi i punës. Emrat e historianëve, vëren ai, do të duhej të ishin zgjedhur me kujdes në një vend që ka probleme me të kaluarën e tij.

“Projekti ka përjashtuar shkencëtarët e diasporës dhe nga ana tjetër ka në të emra si Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi që kanë shfaqur në kohë të ndryshme protagonizëm politik. Që të jem i qartë, nuk kam asgjë personale me Xhufin e Milon, por historia është tjetër gjë. Xhufi e Milo janë shprehur politikisht për historinë. Sigurisht që historianët mund të kenë mendime politike, por nuk mund të imponojnë zyrtarisht si histori qëndrimin e tyre personal”, thotë që ka marrë pjesë në disa konferenca shkencore historike në Shqipëri.

Sa i takon deklaratës së fundit që Milo bëri për takimin e Mit’hat Frashërit me grekun Napolon Zerva – që njihet për masakrën ndaj çamëve – Frashëri argumenton se qasja e Milos është personale.

“Milo krijon sensacion me Mit’hat Frashërin. Ai foli për të e Zervën pa dhënë kontekstin; pa dhënë arsyet dhe rrethanat. Milo krijon insinuata. Takimi me Zervën në kohë lufte, nuk ishte tradhti”, shprehet ai.

Edhe për deklaratën e Milos mbi letrën e një partizani dërguar nga Shkodra më 29 nëntor, Ermal Frashëri thotë se qasja e tij për 29 nëntorin i ngjan një fetishi, një lloj obsesioni iracional.

“Komunistët e vunë 29 nëntorin si simbol që të dallohej nga 28 nëntori. Ende nuk ka një mendim për të cilin bien dakord të gjithë se ç’është çlirimi? A është çlirimi marrje e qytetit, a është ndalim të shtënash? Në këtë kontekst, Milo është i pabesueshëm”, thotë Frashëri, ndërsa gjykon se të paktën për çështje që Xhufi dhe Milo janë shprehur politikisht, nuk duhet të punojnë në projektin e historisë.

Projekti i historisë së shqiptarëve do të marrë pothuajse tri vite kohë dhe do të kushtojë rreth 300 milionë lekë. /BW/