LAJMI I FUNDIT:

Shkarkohet kryeshefi i KOSTT-it

Shkarkohet kryeshefi i KOSTT-it

Mustafë Hasani është shkarkuar nga pozita e kryeshefit në ndërmarrjen publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe në vend të tij në detyrën e ushtruesit të detyrës është emëruar zëvendëskryeshefi i deritanishëm Kadri Kadriu.

Zyrtarisht zyrtarë të KOSTT-it konfirmojnë shkarkimin e Hasanit, por nuk japin detaje më të hollësishme se për çfarë arsye është marrë një vendim i tillë. E në anën tjetër vetë Hasani thotë se vendimi për shkarkim është i jashtëligjshëm, me ç’rast edhe i është drejtuar Gjykatës.

Zana Bajrami-Rama, zyrtare për medie në këtë ndërmarrje publike, thotë se Bordi i Drejtorëve të KOSTT-it në takimin e mbajtur më 18 gusht 2017, në vazhdën e përmbushjes së mandatit ligjor të mbikëqyrjes ka vendosur të bëjë ndryshime të kuadrit.

“Bordi i Drejtorëve në bazë të kompetencave dhe të përgjegjësive në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, ka marrë vendim që të lirojë nga detyra kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it, Mustafë Hasanin. Ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it deri në një vendim tjetër është emëruar zëvendëskryeshefi aktual për operim Kadri Kadriu”, ka thënë Bajrami-Rama. /Zëri/Telegrafi/