LAJMI I FUNDIT:

Shkaqet e mbylljes së kompanive fason në Shqipëri

Shkaqet e mbylljes së kompanive fason në Shqipëri

Kompanitë fasone po mbyllin aktivitetin në Shqipëri. Humbjet e vazhdueshme po i detyrojnë të zhvendosen në vende të tjera, ndërsa lënë pas qindra punonjës në asistencë.

Kriza e zgjatur që buroi nga zhvlerësimi i euros, po detyron kompanitë fasone në vend të marrin vendime drastike.


Një pjesë e tyre kanë shkurtuar staf, duke çuar në asistencë dhjetëra-qindra punonjës, ndërsa të tjera po e zhvendosin aktivitetin.

Sipas shoqatës së eksportuesve, në vetëm pak ditë janë rreth një mijë punonjës që kanë mbetur pa punë, ndërsa të tjera kanë zgjedhur vende si Tunizia e Egjipti, aty ku kosto e prodhimit është më e lirë. Për shoqatën, kostot u rritën ndjeshëm në vend, kur euro nisi të humbë pikë përballë lekut dhe paga minimale u rrit dy herë.

Industria e tekstileve e këpucëve, që punon me material porositësi është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, dhe të dhënat zyrtare tregojnë se për më shumë se 6 muaj në radhë, eksportet e tekstileve e këpucëve kanë rënë.

Në tetor, ky grup u tkurr me 18.7%, që është rënia më e lartë që nga periudha e pandemisë, kur fabrikat mbyllën punën për shkak të problemeve të krijuara në ekonominë globale nga kufizimet e pandemisë.

Për gjithë 11-mujorin, eksportet e këtij grupi kanë rënë me 5.8%. Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i madh eksportues në vend, me rreth 29% të totalit, raporton Euronews Albania. /Telegrafi/