Policia shqiptare ka reaguar në lidhje me arrestimin e Ermal Beqirajt në Francë, teksa ai ishte i shpallur në kërkim nga SPAK për çështjen e “AKSHI”-t.

“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, Francë, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes dy strukturave, autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit E. B, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)”, njoftojnë blutë.


Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Ai u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze, raporton Tch.

Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim, teksa sipas policisë ditën e sotme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Në kërkim për dosjen “AKSHI”, si u arrestua në Francë Ermal Beqiraj! Po fluturonte me avion civil mbi një central bërthamor, dyshime për spiunazh

Është arrestuar ditën e djeshme në Francë Ermal Beqiraj, i kërkuar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion për dosjen “AKSHI”. Ndaj tij është lëshuar masa “arrest me burg” nga SPAK, ndërsa pritet që të ekstradohet në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.

Biznesmeni Ermal Beqiraj zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se përfitoi tenderë mbi 1.1 milion euro me procedura të parregullta. Hetimet e SPAK, të nisura për çështjen e AKSHI-t, zbuluan edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit, në vlerën e rreth 1 milion eurove.

Gjithashtu, atij i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij e subjekteve. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete.

Mediat franceze raportojnë se shqiptari Beqiraj u ndalua pasi fluturoi mbi një central bërthamor në Normandi të Francës, në një lartësi më të ulët se kufiri i lejuar. Profili i tij ka ngjallur dyshime te hetuesit francezë, të cilët nuk e përjashtojnë pistën e spiunazhit.

Sipas mediave në Francë, Ermal Beqiraj po fluturonte të shtunën pasdite me një avion të vogël civil në një mënyrë anormale mbi centralin bërthamor. Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze ndërhynë menjëherë, duke neutralizuar dhe arrestuar shqiptarin, i cili po mbahet në paraburgim, deri në momentin kur të ekstradohet drejt Rinasit.

Mediat franceze raportojnë se biznesmeni shqiptar është tashmë i njohur për drejtësinë franceze dhe atë shqiptare për mashtrim financiar, mashtrim në grup të organizuar, si dhe për aktivitete të paligjshme lidhur me piraterinë kompjuterike.

Një fakt i pazakontë, sipas artikullit, ishte se gjatë kontrollit fizik, forcat e rendit gjetën tre pajisje AirTag të fshehura në rrobat e tij. Këto pajisje të vogla GPS, të prodhuara nga Apple, përdoren për të lokalizuar dhe gjurmuar objektet ose personat që i mbajnë me vete.

Para hetuesve francezë, biznesmeni shqiptar deklaroi se kishte gabuar lartësinë e fluturimit, pasi ishte duke folur në telefon me nënën e tij në momentin kur po kalonte mbi centralin bërthamor.

Sipas mediave franceze, ai ishte nisur nga qyteti i vogël Albert, kishte fluturuar drejt Calais, më pas kishte kaluar drejt Bretanjës, për të përfunduar mbi centralin bërthamor të Penly, kur u kap nga autoritetet.

Ai është u dënua nga autoritetet e drejtësisë në Francë me 7 mijë euro gjobë për fluturim të ndaluar dhe më pas iu dorëzua Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar, ku pritet edhe ekstradimi.

Përveçse është një central bërthamor me rëndësi të madhe, Penly është edhe vendi ku po ndërtohen reaktorët e rinj bërthamorë EPR-2, një projekt që ndiqet me interes nga e gjithë bota.