LAJMI I FUNDIT:

Shkaku i krizës Ukrainë-Rusi, SHBA i kërkon të prodhojë më shumë naftë Arabisë Saudite

Shkaku i krizës Ukrainë-Rusi, SHBA i kërkon të prodhojë më shumë naftë Arabisë Saudite

Shtëpia e Bardhë dërgoi dy zyrtarë në Arabinë Saudite këtë javë për të shtyrë mbretërinë që të nxjerrë më shumë naftë pas frikës se një pushtim rus i Ukrainës do të shkaktojë rritjen e çmimeve të energjisë.

Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Lindjen e Mesme, Brett McGurk dhe i dërguari i Departamentit të Shtetit për energjinë, Amos Hochstein, ishin në Riad të mërkurën, konfirmoi një zyrtar i lartë amerikan për CNN, duke u përpjekur për të forcuar marrëdhëniet më gjerësisht, por edhe për të lobuar tek zyrtarët sauditë për të nxjerrë më shumë naftë bruto dhe stabilizimin e tregjeve.


Sauditët kanë qenë rezistent ndaj çdo ndryshimi në prodhim për shkak të angazhimeve të tyre ndaj OPEC+, një konsorcium i vendeve prodhuese të naftës që përfshin Rusinë, tha zyrtari.

Udhëtimi i zyrtarëve në Arabinë Saudite pason një telefonatë midis presidentit amerikan, Joe Bidenit dhe mbretit saudit, Salman bin Abdulaziz Al-Saud, në të cilën ata diskutuan “rreth stabilitetit të furnizimeve globale të energjisë”.

Biden, në një fjalim të martën, tha se një pushtim rus i Ukrainës nuk ka gjasa të jetë “pa dhimbje” për amerikanët.

“Mund të ketë një ndikim në çmimet tona të energjisë”, tha ai. “Pra, ne po ndërmarrim hapa aktivë për të lehtësuar presionin në tregjet tona të energjisë për të kompensuar rritjen e çmimeve”, pohoi presidenti.

Zyrtarët amerikanë kanë vazhduar të pretendojnë se një pushtim rus i Ukrainës mund të ndodhë në çdo kohë, megjithëse Biden tha të martën se ai ende sheh një dritare për diplomacinë.

Duke pasur parasysh rrezikun e lartë të një sulmi rus, administrata Biden ka bërë plane emergjente prej muajsh për të mbështetur furnizimet me energji të Evropës nëse një pushtim rus i Ukrainës krijon mungesa gazi dhe trondit ekonominë globale. /Telegrafi/