LAJMI I FUNDIT:

Shitjet e automjeteve në Evropë: Rënie e madhe e shitjeve të veturave elektrike dhe ato me naftë!

Shitjet e automjeteve në Evropë: Rënie e madhe e shitjeve të veturave elektrike dhe ato me naftë!

Shitjet e automobilave të reja në Evropë ranë 2.8 për qind në mars të vitit 2024 nga marsi i vitit të kaluar pasi prodhuesit e automjeteve, përfshirë Volkswagen Group dhe Stellantis, u përballën me kërkesë më të dobët, veçanërisht për automjetet elektrike.

Regjistrimet e automjeteve të reja ranë në 1.38 milion njësi të shitura muajin e kaluar në tregjet e Bashkimit Evropian, EFTA dhe Britanisë së Madhe, njoftoi Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA).


Shitjet e veturave elektrike ranë 11 për qind krahasuar me marsin e vitit të kaluar, pasi konsumatorët në Gjermani, Suedi dhe Norvegji u ‘ftohën’.

Rënia, pjesërisht për shkak të Pashkëve, ishte e dyta në katër muaj dhe nënvizon presionin me të cilin po përballen prodhuesit e automjeteve mes normave më të larta të interesit, rritjes më të dobët ekonomike dhe heqjes graduale të subvencioneve bujare për të rritur kërkesën për automjete elektrike.

Trendi po detyron disa prodhues tradicionalë të automjeteve të rishqyrtojnë se kur do të heqin dorë nga motorët me djegie të brendshme, dhe të tjerë kanë hequr dorë nga qëllimet e automjeteve elektrike.

Shitjet e automjeteve elektrike në Itali ranë 34 për qind muajin e kaluar pasi blerësit u ndalën në blerjet në pritje të subvencioneve të reja të mundshme që po konsideroheshin nga qeveria. Shitjet e automjeteve elektrike në Gjermani ranë me 29 për qind, megjithëse prodhues të tillë si VW prezantuan zbritjet e tyre në një përpjekje për të kompensuar mungesën e subvencioneve.

Shitjet e automjeteve hibride plug-in u rritën me 0.7 për qind, duke tejkaluar jo vetëm veturat elektrike, por edhe modelet me benzinë.

Shitjet e veturave me benzinë ranë me 8 për qind, ndërsa regjistrimet e makinave me naftë ranë me 18 për qind. Në përgjithësi, automjetet me benzinë kanë peshën më të madhe me 35.4 për qind të tregut dhe makinat elektrike kanë 13 për qind të tregut. /Telegrafi/