LAJMI I FUNDIT:

Shëtitorja e prishur në Drin të Zi, mirëpret turistët

Shëtitorja e prishur në Drin të Zi, mirëpret turistët

Struga sezonin turistik dhe mërgimtarët këtë verë do t’i presë me shëtitore të prishur në anën e djathtë të Drinit të Zi. Ndonëse kryetari Merko, më 8 maj, kur nisën aktivitetet për zëvendësimin e pllakave të vjetra, premtoi se punimet do të bëhen shpejt, punimet jo vetëm nuk kanë përfunduar, por as nuk kanë arritur në gjysmë.

Përveç kësaj, nuk ka tabela informuese, kush është investitori, cila është kompania që kryen punimet e ndërtimit dhe si do të dukej shëtitorja e re kurse nuk ka informacion nëse është shpallur tender dhe sa kushton i gjithë projekti. Reagojnë edhe qytetarët. Thonë se komuna zgjodhi moment të keq për invetervenime të tilla.
“Kjo nismë është nga faktorët politikë në Strugë. Dihet se sezoni është tani dhe kjo duhet bërë, sepse turistët janë ata që do ta vizitojnë Strugën, si dhe mërgimtarët që vijnë tani në këtë qytet”.


Aleanca për Shqiptarët dyshon se në një pjesë të shëtitores do të ndërtohet rrugë.

Nga ASH thonë se nuk ka të dhëna nëse komuna ka leje për rindërtim dhe sipas cilit dokumentacion teknik po kryhen punimet.

Nga komuna e Strugës përmes faqes në Facebook, kanë shkruar se një pjesë e shëtitores do të ketë regjim të caktuar kohor për furnizimin e bizneseve me mall në orët e mëngjesit, ndërsa gjatë ditës dhe mbrëmjes ajo pjesë do të jetë e dedikuar për këmbësorë.